Zgjedh gruan zv.presidente, Presidenti i Nikaraguas kërkon mandat familjar
Zgjedhja e kandidatit për zëvendëspresident është një vendim shumë i rëndësishëm për procesin elektoral dhe presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega e ka marrë shumë seriozisht këtë çështje.
Zëvendëspresidenti duhet të jetë njeri shumë i besuar, ndaj dhe Ortega e ka çuar në një nivel të ri këtë besim, duke zgjedhur si kandidate për postin e zëvendpresidentit të vendit, që do të garojë krah tij në zgjedhje, pikërisht bashkëshorten e tij.
Ortega kërkon mandatin e tretë dhe këtë herë ka marrë me vete në garë Zonjën e Parë, Rosario Murillo, e cila më parë kishte një rol të rëndësishëm si zëdhënëse e qeverisë. Ajo shfaqet thuasje çdo ditë në televizonet e vendit dhe ekspertët mendojnë se ndan pushtetin me të shoqin.
Kritikët e çiftit presidencial i akuzojnë ata se po e drejtojnë Nikaraguan si të ishte principata e tyre, e me kandidimin e Murillos si zëvendëspresidente, kritikat vetëm sa janë shtuar. Opozita në vend mendon se kandidimi i çiftit mund t’i hapë rrugën një dinastie të re sunduese në vend.
Rosario Murillo, nëna e 7 fëmijëve të presidentit Ortega, është mjaft aktive në politikë dhe, veçse zëri i qeverisë, ajo konsiderohet edhe një prej aktorëve më të rëndësishëm në të. Presidenti Ortega del rrallë para mediave dhe fakti që bashkëshortja e tij është gjithnnjë në objektivin e tyre e përforcon këtë ide.
Zgjedhjet presidenciale në Nikaragua do të zhvillohen në nëntor dhe sondazhet i japin sërish fitoren Daniel Ortegës.