BE, Juncker refuzon nismën e Austrisë për të ngrirë bisedimet me Turqinë
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka bërë të ditur se ngrirja e bisedimeve për anëtarësim me Turqinë do të ishte kundërproduktive, duke refuzuar kështu një nismë të ndërmarrë nga Austria.
Deklarata e tij është dhënë për rrjetin televiziv gjerman “ARD”, e publikuar pikërisht këtë të enjte, teksa ndër të tjera ai është shprehur se Turqia, aktualisht është e papërshtatshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, komente këto që mund t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Ankarasë dhe bllokut, ku dëshiron të anëtarësohet, pas asaj tentative të dështuar për grusht shteti.
“Turqia, në gjendjen që është aktualisht, nuk mund të bëhet një vend anëtar i Bashkimit Europian”, tha Juncker për “ARD” nga Brukseli. “Dhe sigurisht, aq më pak i përshtatshëm, nëse do të rikthejë vendimin me vdekje, siç kërkohet nga disa”. Ai shtoi më tej se nuk e mendon si diçka që do të vinte në ndihmë të ngërçit, nëse “ne do t’i thonim Turqisë në mënyrë të njëanshme, se negociatat janë të ngrira”.