Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë loje po luan Meta?

Do ndahet apo jo me Ramën ? Do e prishë apo jo koalicionin? A është për qeveri teknike? A do bashkojë votat me Bashën?

Prej disa javësh lëvizjet e Ilir Metës po ngjallin gjithnjë e më shumë pikpyetje. Po të shikosh mediat e kontrolluara prej tij, divorci me PS duket tashmë i përfunduar. Po të dëgjosh vetë kreun e LSI, një herë e beson këtë version dhe pastaj e gjen të përgënjeshtruar.

Kur propozoi një zgjidhje konsensuale për reformën në drejtësi ai i hodhi Lulzim Bashës karremin e zgjedhjeve të parakohëshme. Doli në selinë e kuvendit dhe e deklaroi hapur këtë.

Por vetëm një ditë më pas, në emisionin “Opinion” përballë Blendi Fevziut, ai i uli ndjeshëm tonet dhe u shpreh për vazhdimin e aleancës së majtë.

E njëjta fabul u përsërit edhe tani afër, kur ai ndërmori një tur të ri takimesh. Ai ka biseduar me ish presidentin Mediani dhe Kokëdhimën mundësinë e krijimit të një federate të majtë që mund të bashkonte më pas votat me PD-në për një qeveri teknike. Pasi doli nga takimi me të, edhe Basha foli për një kabinet të tillë para zgjedhjeve.

Por Ilir Meta doli publikisht për të thënë: “Koalicioni duhet të vazhdojë maksimalisht të përmbushë detyrimet e tij programore dhe qeverisëse, e morale ndaj qytetarëve shqiptarë, pasi ky koalicion qeveris të gjithë shqiptarët, në mënyrë të veçantë ndaj atyre që e kanë votuar, për të mos i zhgënjyer”.

Atëherë çfarë loje po luan Ilir Meta?

Disa mendojë se lëvizjet e tij kaotike dhe të pakuptueshme shpjegohen me kompleksin e mbijetesës së partisë të vogël që duhet t’ua shkelë syrin të dy krahëve për t’i shantazhuar me njëra tjetrën.

Meta po përdor këtë taktikë për të arritur qëllimet e tij. Nga koalicioni me PS ai kërkon jo kokën e Ramës por atë të disa ministrave.

I pari është Sajmir Tahiri, të cilin po e lufton si politikisht ashtu edhe me anë të prokurorisë. Meta është i bindur se Tahiri po e përgjon ndaj do me çdo kusht kokën e tij. Ai është i bindur se nëse arrin të rrëzojë ministrin e rendit, duke e zëvendësuar qoftë edhe me një socialist të devotshëm si Taulant Balla, askush nuk do t’i bindet më Ramës për të punuar kundër tij.

I pari që e ka kuptuar këtë është vetë Rama, i cili nuk po e dorëzon Tahirin. I dyti është vetë ministri, që prej javësh është futur në negociata të ethshme për të siguruar mazhorancën e nevojshme prej 71 deputetësh, në mënyrë që Rama të mos varet më nga Meta në rast nevoje.

Koka e dytë që kërkon Meta është ajo e Ditmir Bushatit. Kryeparlamentari është i bindur se ai po shfrytëzon lidhjet e tij diplomatike për të nxirë imazhin e LSI-së në të shkuarën dhe sot. Atij sipas Metës i është dhënë detyra që të justifikojë dështimet e qeverisë Rama përmes pengesave që i shkakton koalicioni me LSI-në.

Prandaj kundër Bushatit janë vënë në punë lobistë dhe shkrues të super të paguar për të shkatërruar imazhin e tij.

Por për të arritur këto qëllime si dhe zgjerimin e pjesës së tij në tortën e pushtetit, Ilir Metës i duhet opozita. Deri diku ia ka arritur. Tani në PD numërohen me gishtat e dorës njerëzit që akuzojnë dyshen e krimit Rama- Meta si dikur. Kupola hesht për LSI-në. Në PD besojnë se Meta po bëhet gati ta braktisë Ramën dhe të bashkohet me aleatët e dikurshëm.

A mund të ndodhë kjo? Nuk është një mundësi që përjashtohet. Nëse nuk arrin të marrë asgjë nga Rama, Meta ka treguar se di të ikë.

Por deri më tani, shkelja e tij e syrit për Bashën duket më tepër si një mashtrim. Një manovër për t’i bërë shantazh Ramës, sipas strategjisë së Mao Ce Dunit: turbullo që të kthjellohet. (Lapsi.al)

Please follow and like us: