Ç’mund të ndodhë nëse Turqia anulon marrëveshjen me BE-në për refugjatët?
Edhe vetëm ideja se mund t’i ekstradojnë nga ishujt grekë sërish në Turqi duket se i ka dekurajuar shumë refugjatë që të ndërmarrin rrugën e rrezikshme përmes detit.
Turqia kërcënon se nuk do ta respektojë më marrëveshjen për refugjatët me BE-në, nëse nuk miratohet deri në tetor heqja e vizave për udhëtimin e turqve në vendet e BE-së. Zyrtarët në Bruksel shtrojnë pyetjen: a kemi vërtetë nevojë për marrëveshjen për refugjatët dhe mbi të gjitha a funksionon ajo?
Përgjigja për këtë pyetje nuk është e qartë. Numri i azilkërkuesve dhe i emigrantëve që kalojnë përmes detit nga Turqia në Greqi vërtet ka rënë në mënyrë dramatike që nga 20 marsi. Por kjo sipas ekspertëve lidhet me faktin se politika e azilit e BE-së mbështetet me mbylljen e rrugës së Ballkanit tek izolimi dhe për këtë arsye ka një efekt parandalues për emigrantët. Edhe vetëm ideja se mund t’i ekstradojnë nga ishujt grekë sërish në Turqi duket se i ka dekurajuar shumë refugjatë që të ndërmarrin rrugën e rrezikshme përmes detit.
Po ashtu edhe numri i ekstradimeve nga Greqia është shumë më i ulët nga sa mendonin arkitektët e marrëveshjes për refugjatët në mars. Nga prilli deri në fund të muajit korrik nga Greqia për në Turqi janë ekstraduar saktësisht 468 vetë.
Plane të ekzagjeruara?
Shtetet e BE-së duhet të dërgonin deri në 4000 nëpunës për të mbështetur administratën greke. Por deri tani në Greqi janë dërguar vetëm 61 përkthyes, 92 ekspert për azilin, dy ekspertë për ekstradimet dhe 66 policë kufitarë për dëbimet, pra në total 221 nëpunës. Këta janë të mjaftueshëm, tha një zëdhënse e BE-së. Përllogaritjet e para kishin qenë tepër të larta.
Por procedurat e regjistrimit dhe të ekstradimit të refugjatëve në Greqi zgjasin shumë më gjatë nga sa mendohej, kur u nënshkrua marrëveshja me Turqinë. Tani që prej 20 marsit refugjatët dhe emigrantët nuk çohen më nga ishujt për në pjesën tjetër të Greqisë dhe në pikat e regjistrimit gjenden tani 9399 vetë dhe kapacitetet janë të tejkaluara. Sipas mediave në të gjithë Greqinë ka për momentin 57.115 azilkërkues.
Probleme me Greqinë dhe shpërndarjen
Greqia ka marrë nga BE-ja ndërkohë miliona për zgjerimin e sistemit të azilit. Po ashtu edhe ndihma të tjera, por problemi është se procedurat dhe burokracia aty zgjasin tepër gjatë.
Por edhe shpërndarja e refugjatëve brenda vendeve të BE-së nuk po ndodh sikurse qe parashikuar në takimin e marsit. Që prej asaj kohe nga Greqia në vendet e tjera të BE-së janë shpërndarë vetëm 2681 vetë, nga rreth 12.000 që ishte parashikuar.
Probleme ka edhe me gjendjen e kampeve. Autoritetet shëndetsore të Greqisë kanë insepektuar disa kampe dhe kane rekomanduar mbylljen e tyre për shkak të përhapjes së epidemive.
Kryetari i bashkisë së kryeqytetit të ishullit Kos paralajmëroi në një letër drejtuar qeverisë greke për pasojat e një vale të mëtejshme refugjatësh. “Kjo do të ishte një katastrofë për përpjekjet tona për të kufizuar humbjet në industrinë e turizmit”, i shkroi kryebashkiaku Giorgos Kyritsis kryeministrit grek Aleksis Tsipras.
Situata në Greqi ka gjasa të përkeqësohet nëse Turqia heq dorë nga marrëveshja për refugjatët e cila ka efekt frikësues. Apo mos ndoshta gjendja në Greqi dhe rruga e mbyllur ballkanike do të jenë të mjaftueshme që emigrantët të mos largohen nga Turqia? Këto pyetje nuk i shtrojnë vetëm zyrtarët e BE-së në Bruksel. Një përgjigje të qartë, nuk ka.