Erdogan do të godasë bizneset pas grushtit të shtetit
Presidenti turk Recep Tayyip Edogan theksoi sot se do të vërë në shënjestër bizneset që dyshohet se kanë lidhje me klerikun Fethullah Gulen i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, dhe është akuzuar nga presidenti si organizator i përpjekjes së dështuar për grusht shteti muajin e kaluar. Zoti Erdogan thotë se nevojitet ristrukturimi i shtetit ndaj është e nevojshme të shqyrtohet struktura në të gjitha nivelet.
Presidenti Erdogan foli sot para drejtuesve të dhomës ekonomike në Ankara. Ai tha se qeveria ishte e vendosur për të prerë tërësisht lidhjet e biznesit me organizatën, siç u shpreh ai, që i ka duart e lyera në gjak.
“Kjo organizatë ka një element biznesi dhe ndoshta biznesi është pika e tyre më e fortë. Projektet nuk mund të kenë sukses pa patur financime. Jemi të vendosur për të prerë të gjitha lidhjet e biznesit, të gjitha të ardhurat dhe lidhjet e kësaj organizate gjakatare.”
Zoti Edogan tha se çdo qindarkë që shkon tek lëvizja Fethullah Gulen është një plumb në pritje për t’u shkrehur kundër kombit. Presidenti turk e ka etiketuar klerikun Gulen, i cili jeton në Pensilvani që nga viti 1999, si një terrorist dhe ka kërkuar ekstradimin nga Shtetet e Bashkuara. Nga ana e tij, kleriku Gulen i ka dënuar përpjekejt e dështuara për grusht shteti dhe ka thënë se nuk ka gisht në të.
“Nuk do të falim ata që financojnë dhe vrasin popullin tonë. Në këtë pikë, çdo shkollë apo shtëpi e kësaj organizate është fole e terrorizmit. Çdo biznes apo organizatë bamirësie e kësaj lëvizje është organizatë terroriste”, tha zoti Erdogan.
Mbi 60 mijë njerëz nga ushtria, drejtësia apo sherbimi civil janë ndaluar, arrestuar ose pezulluar nga puna apo vënë nën hetime pas përpjekjeve të dështuara për grusht shteti me 15 korrik. Kjo ka shtuar drojën se presidenti turk po e përdor ngjarjen për të goditur kundërshtarët.
Më shumë se 230 njerëz, pa përfshirë këtu pjestarët e grushtit të shtetit, humbën jetën dhe mijëra u plagosën ndërsa ushtarët kundërshtarë përdorën avionët ushtarakë, helikopterët dhe tanket në përpjekjet e dështuara për rrëzimin e qeverisë.