Hipoteka që nuk zbatojnë vendimin e gjykatave
Vëzhgim: Hipoteka që nuk zbatojnë vendimin e gjykatave, tapi për toka të zëna dhe përpjekja për pamundësimin e gjykimeve nga Strasburgu.
Ka disa kohë që ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, shfaqet kërcënues ndaj hipotekave, që sipas tij nuk respektojnë vendimet e gjykatave në regjistrimin e pronës së qytetarëve. Më e fundit dy ditë më parë:
“Kujtesë për të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP): Fundi i këtij muaji është afati që kemi vendosur për të trajtuar të gjitha aplikimet e prapambetura! Veçanërisht ato aplikime që vijnë me vendime gjyqësore të formës së prerë! E përsëris: Askush nuk ka të drejtë të mos zbatojë vendimet e gjykatave që kanë marrë formë të prerë! Askush! ZRPP është thjesht një zyrë inventari i pronave të qytetarëve dhe jo nje zyrë që ndan apo jep prona! Pronësia fitohet vetëm me mjete ligjore dhe ZRPP nuk është as zyrë e as mjet për të fituar apo hequr pronësinë e askujt! Vendimi i gjykatës, me përjashtim të vërtetimit të faktit gjyqsor, është ligj dhe si i tillë duhet zbatuar! Ju kam sqaruar nëpërmjet një letre zyrtare se si duhen trajtuar sipas ligjit të gjitha rastet! Kam kërkuar dhe kërkoj shërbim sa më të shpejtë, pa zvarritur në këto zyra! Është e thjeshtë: regjistroni çdo transaktion sipas ligjit dhe po sipas ligjit mund të refuzoni, por jo të zvarrisni asnjë praktikë dhe asnjë person! Në shtator kontrolli do jetë i rreptë dhe toleranca zero”, ka deklaruar Manjani.
Një mesazh që lë të çuditur këdo. E para pse duhet që ministri të vendosë afate, kur shumë mirë ligji e rregullon edhe sanksionin ndaj nëpunësve të hipotekave që nuk e zbatojnë atë.
Së dyti, jemi para një dukuri që nuk ka përkufizim. Një zyrë shteti që nuk zbaton vendimin e gjykatës, për arsye që i dinë shumë mirë ata që përballen me këtë problem. Dhe këtu kënga e reformës në drejtësi nuk qëndron, sa kohë që kemi administratën që në mënyrë arrogante nuk shpërfill vendime që janë urdhëra për të.
Për këtë sjellje mund të shkohet edhe më tutje, kur kujton se qeveria ka kohë që mburret se me ligjin e ri të pronave i jep zgjidhje çështjes së shumëndërlikuar të pronave, paralelisht me kërkesën që i është bërë Gjykatës së Strasburgut për të mos shqyrtuar më dosje pronësie nga Shqipëria. Nuk dihet nga rrjedh dhe buron ky standard që nuk njeh vendime gjykatash, por edhe kërkon të parandalojë shqyrtimin gjyqësor në një shkallë si Strasburgu që është shpresa e vetme që mbetet.
Por nuk mbaron këtu. Është edhe qershia mbi tortë: Qeveria promovon dhe ka si kartë të fortë morale të vetën, ndarjen e tapive të legalizimit të Tokave të Zëna pa Leje. Tapitë e të cilave i shpërndan kryeministri aktual, e të cilat siç mund ta marrim me mend, vështirë se ka zyrë hipoteke që i zvarrit për regjistrim.