MIT’HAT HAVARI/ Studentja e bukur e Fakultetit Ekonomik dhe juristi që përfundoi në dhomën e shurrës
Ishte viti 1999, kryeja detyrën e drejtorit të policisë së Tiranës, ka qenë rregulli i punës sime që ç’do ditë të hëne prisja popullin, për të ndihmuar e zgjidhur hallet e tyre.
Ishte punë e lodhshme , por më jepte kënaqësi, kur përcillja qytetarët të kënaqur, qoftë duke ju shpejtuar dhënien e një pasaporte.
Një nga të hënat e asaj kohe, vjen në takim një studente e fakultetit ekonomik nga Elbasani . Vajza ishte e bukur si drita, e edukuar dhe e kulturuar, pasi eksperienca ime e dallon menjëherë specien.
Ndërsa sekretarja ime regjistroi emrin e se ardhurës, unë i kërkova të shpjegohej .
Ajo filloi të fliste me zërin e dridhur se një djalë që punonte jurist në tatimet e Tiranës, i dilte përpara ç’do ditë duke e kërcënuar verbalisht, por dhe fizikisht në rrugë dhe qytetarët e shihnin skenën e nuk reagonin, biles kishte qëlluar dhe një polic në shërbim, vajza i kishte kërkuar ndihmë, por polici ordiner që mbushte strukturën numerikisht kishte vazhduar rrugën.
E pyeta studenten a kishte pasur lidhje serioze me juristin, vajza filloi të qante dhe u betua që nuk kishte, veç ai ishte “i sëmur” mendor vazhdoi ajo, këtë veprim e bëra për tu siguruar, eksperienca mi kishte mësuar raste të tilla.
Mora numrin e telefonit te vajzës dhe i thash se do ta ndiqja problemin.
Ajo u largua duke mu lutur ta ndihmoja se ishte në gjendje kritike për jetën e mund të braktiste dhe shkollën.
Ishte familje e thjeshte dhe prindërit e kishin këshilluar të vinte tek unë, kjo për faktin se më njihnin që kur drejtoja policinë e Elbasanit.
Sa u largua vajza, vura në lëvizje strukturat dhe brenda dy orësh “bandilli” ishte brenda dhomës së ndalimit e cila kundërmonte era urine, ato kushte ishin atëherë .
Njoftova studenten të vinte në drejtori, jam larg mu përgjigj, jam në fakultet.
Aty prit i thash se do vije makina e policisë t’ju marri .
Për 5 minuta u duk ne zyrën time, thirra specialistët e fushës dhe sakaq filloi “gjyqi”.
Juristi rrinte me kokë poshtë, ngrije kokën e urdhërova, ai ngriti kokën. O zot sa antipatik ishte ai djalë.
Ju drejtova e njeh vajzën?
Po u përgjigj.
Përse e terrorizon, kur ajo nuk të do, ai heshtte.
E ke parë veten në pasqyrë ti?
Mendon se kjo vajzë e mrekullueshme të përket ty? Aq më shumë që ajo nuk të konsideron.
Po sikur dikush të dhunojë motrën tuaj, si do veproje zotrote, me siguri pushkën, se ju atë kini mjetin e parë për të ruajtur nderin!
Por kjo vajza ka mua zot mbrojtës, unë jam babai i saj e di ti? Ai shqeu sytë ndoshta përnjëmend e ka ngrënë.
U kryen veprimet proceduriale, kallëzimin e vajzës etj., ndërsa materialet ju kaluan prokurorisë.
Pas një ore i thirra të dy në zyrë. I kërkova zyrtarit rrugaç të shtetit që kur ti dilte përpara vajza në bulevard, ti ndryshonte rrugën 100 metra larg, në të kundërt e kishte vendin në burg.
E pranoi kushtin, i kërkoi ndjesë dhe vajzës me flokë kaçurrela të verdha .
E morën dhe e kthyen tek dhoma e shurrës, do rrinte aty për 12 orë a më shumë.
Studentes i dhashë numri zyrtar të celularit dhe i thash të më telefononte çdo ditë pas dite që unë të isha i qetë.
Normal, që u caktuan me shërbim dhe dy agjentë policie që ruanin lëvizjet e studentes.
Pas një jave ajo erdhi në zyrë, më falënderoi për gjithçka kisha bërë, ja ktheva kam bërë vetëm detyrën.
Më dhuroi një stilolaps nga buxheti i saj i varfër, e ruaj dhe sot e kësaj dite.
Është stilolapsi i studentes së kërcënuar!
Mu kujtua kjo histori, sigurisht i ndikuar dhe nga disa ngjarje të rënda që kanë ndodhur këto ditë në Shqipëri, deri te vrasja e turistit rus në Himarë dhe policia shkarkon përgjegjësinë e saj. Jam i bindur se ajo nuk është në lartësinë e duhur.
Kanë kaluar 17 vjet nga episodi që rrëfeva, e qysh atëherë miqtë e mi, duket sikur nuk ka ndryshuar asgjë.
Gusht 2016