Albspirit

Media/News/Publishing

Shehaj “kërcënon” tatimorët, për pagesën e vonuar të sigurimeve

 

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj, bën “presion” në Drejtoritë Rajonale të marrin në konsideratë ankesat e tatimpaguesve, që janë ankimuar se nuk kanë përfituar nga falja e gjobave për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të parashikuara në ligjin nr. 66 të vitit 2015.

Në një qarkore drejtuar Drejtorive Rajonale, Shehaj kërkon të merren në konsideratë të gjitha ankesat e tatimpaguesve të lidhura me mosveprimin e administratës tatimore  për zbatimin e ligjit për fshirjen në afat të gjobave, të cilat janë evidentuar më 31 dhjetor 2014 dhe kur kontributi dhe kamatëvonesa përkatëse janë paguar deri në datën 30 shtator 2015.

“Nëse gjatë shqyrtimit të ankesës konstatohet se pretendimet e ankimuesit qëndrojnë, Drejtoria Rajonale Tatimore merr masat e nevojshme për të vepruar sipas ankesës dhe parashikimeve të ligjit “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve  shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike.”

Drejtoria e Apelimit Tatimor njofton tatimpaguesit që kanë ankimuar pranë saj se tagrin për trajtimin ligjor të ankesave si më sipër i kanë Drejtoritë Rajonale Tatimore ku tatimpaguesi rezulton i regjistruar dhe njëkohësisht i përcjell për kompetencë Drejtorisë Rajonale Tatimore, ankesën në të cilën nuk është shprehur me vendim në respektim të parashikimeve të nenit 24 të Kodit të Procedurave Administrative.

“Në rast se pas trajtimit të ankesës së tatimpaguesit konstatohet se jemi në kushtet e mosveprimit të organit tatimor, në kundërshtim me parashikimi e ligjit për faljen e gjobave, mosveprimi ngarkon me përgjegjësi punonjësit përkatës, për të cilët nga eprorët e tyre merren hapat e parashikuar në nenin 59 të ligjit “Për nëpunësin civil”, shkruan Shehaj.

Në korrik të vitit 2015, Kuvendi vendosi  të falen, në masën 100 për qind, gjobat e lidhura me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat janë evidentuar deri më 31 dhjetor 2014, për subjektet juridike dhe fizike, kur kontributi dhe kamatëvonesa është paguar plotësisht deri në datën 30 shtator 2015.

Please follow and like us: