Albspirit

Media/News/Publishing

Tsipras, propozim për Front të Europës Jugore. “Presion” për masa zbutëse

Me nismën e kryeministrit Alexis Tsipras, qeveria greke po përgatit zhvillimin e një konference të udhëheqësve të vendeve jugore të BE-së, e cila do të ketë një karakter simbolik dhe thelbësor.

Synimi i kryeqeveritarit grek, sipas mediave vendase është krijimi i një fronti të përbashkët, që do të kërkojë relaksimin e masave shtrënguese për vendet e Europës Jugore, shoqërite e të cilave mbajtën barrën e reformave të ashpra, u gjunjëzuan nga kriza e borxhit, ndërkohë që po përballojnë edhe peshën e krizës së refugjatëve, në kontrast me vendet e Europës Qendrore që mbyllën kufijtë dhe refuzojnë azilkërkuesit.

Agjencia shtetërore e lajmeve bën të ditur se, në konferencën që pritet të zhvillohet më 9 shtator në Athinë, Tsipras u ka bërë ftesë Presidentit francez Hollande, kryeministrit spanjoll Rajoy, atij italian Renzi, si dhe homologëve nga Malta, Portugalia dhe Qipro.

Ky takim thuhet se do të fokusohet te sfidat kryesore, me të cilat përballet BE-ja në nivel ekonomik, politik dhe institucional, e përbën në thelb një përpjekje për një ecuri të përbashkët të vendeve jugore të unionit.

Konferenca pritet të zhvillohet pak ditë para samitit të lartë të 27 vendeve anëtare në Bratislavë, i cili do të trajtojë problemet kryesore në lidhje me të ardhmen e Europës pas “Brexit”-it, apo votës së britanikëve në referendum në favor të largimit nga BE-ja.

Please follow and like us: