Ambasada turke, replikë me ish-atasheun ushtarak të Shqipërisë në Turqi*
Sinan Cem Baş
Po e bëj këtë shkrim për të sqaruar opinionin publik në Shqipëri, si dhe në kuadër të së drejtës tonë të replikës dhe të korigjimit, duke marrë shkas nga një shkrim i botuar në gazetën tuaj të datës 3 gusht 2016, me titull “Një përgjigje për Ambasadorin Turk në Tiranë” me autor Hajro Limaj, i cili e prezanton veten e tij si ish-atashe ushtarak i Shqipërisë në Ankara, i vënë në siklet së fundmi pas qëndrimit të prerë të Ambasadës në lidhje me zgjatimet e Organizatës Terroriste FETO në Shqipëri.
Sikurse është bërë e ditur, më datë 15 korrik 2016, një grupim militantësh anëtarë të organizatës FETO, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Turqisë, kanë organizuar një sulm në shkallë të gjerë me qëllim rrëzimin e Presidentit të zgjedhur me 52 % të votave të popullit turk dhe shpërbërjen e sistemit demokratik parlamentar në vendin tonë. Gjatë këtij sulmi u godit disa herë nga avionët godina e parlamentit, e cila përfaqëson vullnetin popullor, ndërkohë që deputetët e partive të pozitës dhe opozitës ishin duke zhvilluar seancën. U godit sërish nga avionët godina e Presidencës, e cila po ashtu shpreh vullnetin popullor, ndërkohë që përreth saj kishte civilë. U bombardua mizorisht qendra e njësisë speciale më të zgjedhur të policisë në vendin tonë, ndërkohë që aty po zhvillohej një mbledhje, ku ranë dëshmorë 50 efektivë policie të kësaj njësie. Në Stamboll dhe Ankara tanket kaluan mbi popullin, i cili mbante flamurë në duar dhe, duke mos u mjaftuar me kaq, shumë njerëz të pafajshëm u vranë mizorisht nga avionët, helikopterët, armët e rënda dhe snajperët.
Pas sulmit me bomba në Presidencë koka e një qytetareje është gjetur mbi një çati. Nga këto sulme kanë humbur jetën 238 qytetarë dhe janë plagosur rreth 2200 të tjerë. Ka qenë e qartë që në fillim se kjo tentativë e çmendur për grusht shteti u organiza nga FETO, fakt ky i konfirmuar dhe nga shumë prej të dyshuarve të ndaluar, të cilët kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë sulm. Këta terroristë me uniformë ushtarake, pjesëtarë të këtij rrjeti tradhtarësh, kanë masakruar pa hezituar popullin duke përdorur logjistikën ushtarake pronë e popullit, e cila u ishte lënë atyre në dorëzim.
Por me sa duket kjo masakër dhe ky tmerr që u pa në sytë e gjithë botës, nuk e ka bindur ish-atasheun ushtarak Hajro Limaj, i cili ndan të njëjtat mendime me puçistët, për natyrën terroriste të organizatës FETO. Hajro Limaj, në dukje një “mik i madh i Turqisë”, në shkrimin e tij as që e lejon cenimin e organizatës FETO me udhëheqës Fethullah Gülen-in, madje kërkon të legjitimojë krimet e ndodhura, duke theksuar se kjo organizatë nuk bën pjesë në listën e organizatave terroriste. Ish-atasheu ushtarak Hajro Limaj tenton të shkojë edhe më tej, duke dashur t’i faturojë përgjegjësinë e këtyre akteve terroriste të ndodhura në Turqi presidentit të zgjedhur Erdoğan, nëpërmjet kritikave ndaj tij (si psh. preudototalitarizmi, agresiviteti ndaj opozitës, mungesa e lirisë së shtypit dhe të shprehjes), duke e legjitimuar në këtë mënyrë terrorin. Mos vallë natën e 15 korrikut, populli vërshoi në rrugë për të mbrojtur demokracinë duke sfiduar tanket dhe avionët luftarakë, madje duke rrezikuar dhe jetën, si pasojë e “presionit” të ushtruar nga Erdoğani? Mos vallë një ditë pas bombardimit të Parlamentit të gjithë deputetët e pozitës dhe opozitës, ndërsa merrnin vendime kundër organizatës FETO ishin të shqetësuar për “agresivitetin” e Erdoğanit? Përse një nga objektivat e para të goditura nga puçistët e dështuar të FETO-s ishte shtypi i lirë, të cilit sipas Limaj “i mungon liria e shtypit dhe e të shprehurit”?
Pa dashur të zgjatem më tej, ia lë lexuesit vlerësimin e këtij perceptimi të cungët të ish-atasheut ushtarak Hajro Limaj, i cili e legjitimon terrorin në Turqi. Nuk ka asnjë motiv që të legjitimojë aktet terroriste. Hajro Limaj një “ish-atashe ushtarak” kërkon të provojë se lëvizja FETO/Gülen nuk është organizatë terroriste, duke kopjuar disa nga fjalët e Kreut të Qeverisë Flamene nga Belgjika, duke bërë në këtë mënyrë një përpjekje të mjerë dhe tragjikomike. Belgjika, vend të cilit ai i referohet, pas akteve terroriste të ndodhura në zemër të Ankarasë më datë 13 mars 2016, ka lejuar organizatën terroriste PKK, përgjegjësen e këtyre akteve që të ngrejë çadrën e saj në Bruksel me qëllim bërjen e propagandës së kësaj organizate terroriste. Ky vend është kritikuar nga qytetarët e vet për tolarencën e treguar ndër vite ndaj individëve/organizatave terroriste, të cilat fatkeqësisht e goditën edhe atë vetë një ditë (22 mars 2016). Hajro Limaj përmend gjithashtu dhe vizitat e zyrtarëve të lartë në të kaluarën, bërë në shkollat të cilat kanë lidhje me FETO-n në Shqipëri. Po, në të kaluarën disa nga qeveritë e vendit tonë janë afruar me ndjenja të pastra dhe të sinqerta ndaj institucioneve të kësaj lëvizjeje, e cila pretendonte se kryente aktivitetin e saj bazuar në motive morale dhe fetare po që më vonë është kuptuar kërcënimi dhe rreziku i madh që kanosej nga organizata tinzare FETO, pjesë e së cilës janë edhe këto shkolla.
Anëtarët e kësaj organizate janë aq tinzarë sa mund t’ju japim si shembull rastin e Levent Türkan, asistent personal i shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Hulusi Akar, i cili, natën e tentativës për gusht shteti i drejtoi pistoletën atij, të cilit i ka qëndruar pranë prej vitesh, pra eprorit të vet, Shefit Të Shtabit të Përgjithshëm. Personi në fjalë, pasi u ndalua, ka pohuar në deklarimet e tij se qysh në fëmijëri ka qenë anëtar i FETO-s. Gjithashtu shumë ushtarë puçistë FETO-istë kanë goditur pas shpine shokët e tyre të armëve. Kjo organizatë e shtrirë në të gjitha institucionet tona si gjyqësor, polici, shërbim informativ etj. në një të shkuarën e afërt ka dëmtuar me mijëra qytetarët tanë nëpërmjet komploteve të paimagjinueshëm dhe fabrikimit të fakteve të rreme. Nuk do të mjaftonin as këto rreshta e as vëllime të tëra për të treguar historitë e dëmeve të shkaktuara nga FETO, mostruozitetet dhe tradhëtitë e saj. Ithtari i FETO-s, Hajro Limaj, i cili këto ditë është angazhuar me sulme ndaj presidentit dhe qeverisë së zgjedhur të Turqisë, nuk lejon cenimin e figurës së kryeterroristit Fethullah Gülen, por e ngre atë në piedestal duke e përkufizuar si filozofin dhe arkitektin e krijimit të shkollave turke në Turqi dhe mbarë botën (Gazeta Shekulli 7 mars 2014). Site-t të cilat bëjnë propagandën e organizatës FETO, shpesh herë i referohen shkrimeve të Hajro Limaj. Kam përshtypjen se të gjitha këto fakte janë të mjaftueshme për të kuptuar se kush e komandon Hajro Limajn, atë që nuk lejon cenimin e organizatës FETO.
*Këshilltar i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë dhe zv. Shef i Misionit