Albspirit

Media/News/Publishing

Andon Dede: Kjo verë e nxehtë…

 

Është thënë edhe nga metereologët se kjo ka qënë vera më e nxehtë, qysh kur ka filluar regjistrimi i temperaturave. Në Mitribah të Kuvajtit është regjistruar në fund të korrikut temperatura 54 gradë celsius ndërsa një ditë më pas, në Basra të Irakut, 53.9, që u  njohën edhe zyrtarisht si dy rekordet e reja botërore të temperaturave më të larta që janë regjistruar ndonjëherë në planetin tonë. Por, edhe pa  na e thënë ata, ne  e përjetuam vetë gjatë korrikut zhegun e padurueshëm. Edhe gushti parashikohet të jetë po kaq i nxehtë. Ne nuk po themi ndonjë gjë të re, se lexuesi këto ose i di vetë ose mund t’i gjejë me lehtësinë më të madhe përmes disa disa klikimeve në Internet, ndaj nuk e vlen të zgjatemi më tej me këtë dukuri. Qëllimi ynë me këto radhë është krejt tjetër: mirë të nxehtit e motit që nuk varet nga ne dhe do ta përballojmë atë me mundësitë që kemi, por, mos vallë, me veprimet që kryejmë, qëndrimet që mbajmë apo vendimet që marrim, ia lehtësojmë apo ia vështirësojmë vetes përballimin e këtij të nxehti apo dhe dukurive të tjera të Motit? Ky është problemi!

Logjika më elementare do të kërkonte që ne të bënim të parën, si e si t’ia lehtësojmë vetes dhe të tjerëve përballimin e saj. Por, si për çudi, njerëzit kudo që janë, po bëjnë të kundërtën. Edhe për këtë pohim lexuesi s’ka nevojë të lodhet shumë se ai e ka parë dhe po e sheh përditë, përmes burimeve nga më të ndryshmet që vërshojnë nga të katër anët.  Ja, le të hedhim një vështrim të shpejtë se ç’po ndodh rreth nesh.

Ka rastisur disa herë që edhe në ditët me mot të tmerrshëm, me shira të rrëmbyshëm, që përmbytin rrugët e i marrin makinat me vete si të qenë lodra kalamajsh, diçka tjetër ka tërhequr vëmendjen e njerëzve:  vrasjet nga terrorizmi që është bërë një tmerr i vërtetë për tërë popujt. Ai ka ekzistuar edhe më parë, por kohët e fundit ka marrë përmasa të reja dhe, më e llahtarshmja, status të ri: viktimat e tij janë të të gjitha moshave, grupeve sociale e nacionaliteteve. Dora kriminale e vrasësve nuk u drodh as para fëmijve të vegjël që po hanin bukë në një lokal apo dhe para një prifti tetëdhjet e ca vjeçar që po meshonte në një kishë. O Zot, të dridhet trupi edhe kur i mendon! Viti i kaluar shënoi ngritje në numrin e viktimave të sulmeve terroriste në shekullin XXI. Numri i të vrarëve e të plagosurve ishte mbi mesataren e 45 viteve të fundit. Por dhe 2016 del të jetë viti më i përgjakshëm i këtij shekulli në Evropë dhe jo vetëm aty.      Frika nga terrorizmi, nga vrasjet e papritura të të pafajshmëve, gjallon kudo. E gjithë bota është tronditur si kurrë më parë, saqë edhe kur lëviz në rrugë, mes shumë gjërave që mendon me vete, pandehma se pas një çasti mund të mos marrësh më frymë, s’të hiqet nga mendja. Hija e vdekjes të ndjek në çdo hap, sidomos ku ka shumë njerëz, ndaj dhe ke frikë të udhëtosh me tren, aeroplan apo autobuz; të marrësh pjesë në një ceremoni të rastit, apo të ndjekësh ndonjë ndeshje sporti a shfaqje artistike. Njerëzit kanë frikë të festojnë, të gëzojnë, të shijojnë jetën që iu ka falur Zoti apo Natyra. Hë pra, a nuk është përballimi i kësaj frike edhe më cfilitës se ai i vapës përvëluese?! Tronditje, pyetje pa përgjigje, zemërim, dëshpërim. Ndaj, viktima të kësaj situate nuk janë vetëm të vrarët e të plagosurit bashkë me të afërmit e tyre, por të gjithë ne.

Përvec dy “zagushive” të mësipërme, Amerika po përjeton këtë verë edhe një “vapë” tjetër: është fjala për zgjedhjet presidenciale që janë, pa pikë dyshimi, sui generis nga të dy palët: republikanët përfaqësohen nga një miliarder që s’ka asnjë përvojë politike, nuk ka mbajtur kurrë një post publik e nuk ka shërbyer kurrë në qeverisje; ndërsa demokratët, për herë të parë në historinë e këtij vendi, nxorrën si kandidate një grua.

Kandidati republikan befasoi botën, brenda e jashtë Amerikës kur shpalli kandidaturën. Disa të përditëshme, këtu në Nju York, që i kam parë vetë, shkruanin atë kohë: “Një klloun kërkon të bëhet president”. Pavarësisht dozës së ironisë apo dhe përçmimit, një farë të vërtete ka në atë pohim: Trampi njihej jo vetëm si miliarder por dhe si “shou men”.. Ndaj, shumë pak njerëz e morën seriozisht atë, kur shpalli kandidaturën. Madje, dhe ai vetë, sipas shtypit, e mori këtë inisiativë si me shaka, edhe pse bëhej fjalë për statusin e njeriut më të fuqishëm të botës. Të shumtë qenë ata, edhe nga radhët e republikanëve, që u shprehën hapur kundër kandidimit të tij. Në mars 2016, qindra këshilltarë republikanë, që përfaqësonin një spektër të gjerë këndvështrimesh mbi politikën e jashtme, firmosën një letër të hapur duke shprehur shqetësimin dhe kundërshtinë e tyre ndaj Trampit. Por, miliarderi njuorkez, me atë babaxhanllëkun e tij në pamje, nuk e prishte terezinë. Jo vetëm që i vazhdoi deri në fund primaret por, për habinë e të gjithëve, edhe i fitoi ato duke eliminiuar jo pak por afro njëzet kandidatë të tjerë të partisë së vet.

Befasuese qe dhe beteja në krahun tjetër me kandidimin e Sandersit, që bëri për vete jo pak zgjedhës, sidomos të rinjtë, të cilëve iu premtonte lehtësira të jashtzakonshme në shkollimin e punësimin e tyre. Por Hillari Klinton, pa shumë vështirësi, e fitoi betejën, për t’i hapur rrugën një përballjeje tjetër shumë më të ashpër e më të vështirë, atë me Trampin. Ndryshe nga fushatat e tjera që kemi ndjekur, kjo e sivjetmja nuk ndryshon vetëm nga kandidatët por dhe nga forma: filluan sulmet ndaj njeri tjetrit, herë-herë edhe me denigrime e sharje, që të kujtojnë Shqipërinë. (Ne sikur po na bëhej qejfi: të paktën t’i ngjajmë Amerikës në të këqija se në të mirat e saj as që i afrohemi dot?!). Beteja mes tyre sapo ka filluar dhe pa dyshim që do vijë duke u ashpërsuar në muajt e ardhëshëm.

Fushata nuk duhet konceptuar thjesht midis dy personave apo edhe dy partive, por mes dy qëndrimeve e platformave që ndryshojnë shumë nga njera tjetra. Shtjellimi i tyre kërkon shkrime më vete, por këtu po ndalemi vetëm në ndonjë përparësi të deklaruar e që ka rëndësi jo vetëm për Amerikën, siç është fjala vjen, politika e jashtëme. Hillary Klinton, ka premtuar vijimësi, një administratë që do të mbetet një partner me vullnet të mirë ndaj miqve dhe aleatëve të Amerikës, dhe se parimet e përgjithshme të politikës së jashtme të këtij vendi nuk do të ndryshojnë. Një vizion krejt të ndryshëm, tepër të zymtë, shpërfaq pala tjetër përmes Donald Trampit. Ai mendon se, gjatë qeverisjes së Obamës, vendi ka rënë në një humnerë nga e cila mund të mos dalë kurrë, nëse nuk fiton ai. Trump ka pohuar se ai do të rishikojë detyrimet e Amerikës ndaj NATO-s, dhe institucionevet të tjera ndërkombëtare. Jo rastësisht, vetë Obama këto ditë, iu bëri thirrje republikanëve që të mos e votojnë Trampin, si jo të përshtatshëm për president. Por, miliarderi kandidat ia ktheu me një gjuhë më të ashpër: presidenca jote, i tha ai, ka qënë më e keqja në historinë e Amerikës. Përsëri m’u kujtuan politikanët tanë, jo vetëm këta të sotmit, por edhe të mëparshmit, që merren më shumë me denigrimin e para-ardhësve se sa me qeverisjen e vendit.

Por, le ta lëmë Amerikën dhe amerikanët t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Diçka tjetër desha të theksoja me këtë rast. Tek shumë nga ne, është krijuar përshtypja se amerikanët nuk e vrasin shumë mendjen për presidentin e ardhëshëm apo se cila parti do të qeverisë, nisur nga fakti se tashmë ky shtet ka hyrë me kohë në shinat e duhura dhe pak rëndësi ka se kush e drejton “trenin” qeveritar. Në këtë pohim ka një të vërtetë të padiskutueshme: edhe sikur presidenti të marrë vendime të gabuara, ka një staf të tërë që ia korrigjon “busullën”, le pastaj dy filtrat e mëdhenj, siç janë Senati edhe Dhoma e Përfaqësuesve që e shohin çdo veprim të presidentit me lente smadhuese.  Por, ndryshe nga herët e tjera, këto zgjedhje po ndiqen me një interes të veçantë e po shoqërohen me diskutime të zjarrta. Këtë po e përjetoj dhe vetë me që prej vitesh banoj e punoj këtu. Kolegët e mij të punës, në shumicën e tyre, afro-aziatikë e hispanikë, janë të shqetësuar sidomos nga deklaratat e Trampit dhe nuk kanë shumë besim tek ai. Unë iu kundërvihem përmes argumentave që sapo shpreha më sipër, por ata më kundërshtojnë. Nëntori do jetë një e papritur për të gjithë, brenda e jashtë Amerikës dhe vështirë të bësh parashikime. Le të presim. Veç, nuk mund të mohoet se fushata e zgjedhjeve ua rëndoi sadopak vapën amerikanëve.

Po shqiptarët e gjorë si po e përballojnë të nxehtit e këtij viti? Them të gjorë se me përjashtim të politikanëve dhe biznesmenëve të fuqishëm, populli i  thjeshtë nuk i ka  përherë mundësitë që të freskohet me kondicionerë, të shuajë etjen me ujë të ftohtë apo të shullëhet plazheve. Por, si të  mos t’i mjaftonin tërë këto, atë e trullosën me të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi” që iu është bërë si burri i nënes prej kushedi sa kohësh. U duk se me miratimin e saj, do të ndodhnin çudira që nuk janë parë kurrë më parë, por… a do të ndodhin vërtet?! Një Zot e di!

Kryeministri Rama, në një nga shfaqjet e tij të përditëshme në media, dha sihariqin se falë miratimit të Reformës së Drejtësisë, shqiptarët i pret një realitet krejt tjetër, më i mirë, më i sigurt, më demokratik, me mundësi shumë më të mëdha për rritjen e ekonomisë, të investimeve të huaja, etj, etj…

Ndërkohë, nuk pushojnë trompetat për fitoren e arritur e sidomos për autorësinë e saj dhe, bashkë me to, dhe akuzat se kush po e pengon ecurinë e Reformës. Në këtë kakofoni që shoqëron vapën nuk merret vesh se kush është për Reformën dhe kush jo. Për më tepër që edhe ata që e miratuan, siç e kanë pranuar vetë, as nuk e kishin lexuar draftin e saj, duke filluar nga kryeministri që nuk nguron të pohojë se ajo duhej miratuar e zbatuar se kështu e kërkonin SHBA-ja dhe BE-ja, pavarësisht se ç’mendonin ata që do të ngrinin kartonin jeshil. Po të ndjekësh dialogjet e ndërsjellta të duket sikur gjithë reforma është reduktuar në mundësinë për hakmarrje dhe ndëshkim ndaj politikanëve dhe ndaj njerëzve të Drejtësisë, në mundësinë për t’i parë nën këmbë e pas hekurave ata që janë duartrokitur në tribuna politike apo në sallat e gjyqit me togë të zezë, se sa për të ndryshuar marrëdhënien e Drejtësisë me shoqërinë.

Ka zgjatur vetëm pak ditë “festa” e arritjes së konsensusit për votimin e ndryshimeve në Kushtetutë. Forcat kryesore politike, i janë rikthyer sherrit dhe akuzave për votimin e 7 ligjeve të reja dhe për vettingun, që janë pjesë e Reformës në fjalë. Flitet për qeveri teknike, për zgjedhje të parakohëshme, për përçarje të koalicionit, për…e përse nuk flitet?! Shprehja që do t’i shkonte më për shtat asaj situate, kur njeri i bije gozhdës e tjetri patkoit, do të ishte: “Bir Selman i nënës, ç’të të qaj më parë?!”. Them kështu se edhe pse u arrit konsensusi i shumë pritur, në vend që të hedhin hapin tjetër, për ta zbatuar atë, po merren me cic-micra se si u arrit ai, pse ranë dakord palët, kush i detyroi e blla,blla,blla, do të thoshin amerikanët. Llafe pa bukë, tipike e politikanëve mistrecë që nuk dalin dot nga vetja. Shkrimtari çek Karel Çapek, në një nga parabolat e tij thotë se për dhelprën të gjithë të tjerët janë o grabitqarë o viktima. A nuk i shkon kjo më tepër se kujtdo tjetër politikanëve tanë që po hanë kokat me njeri tjetrin me akuza të ndërsjellta, ndërkohë që populli përballet çdo ditë, përveç vapës përvëluese dhe me njëqind halle të tjera?! Të ndalemi vetëm në një tregues: ndërsa çmimet e fluturimeve në Europë janë ulur e po ulen në kufijtë e rekordeve, në Shqipëri ato vazhdojnë të jenë tepër të shtrenjta, si në asnjë vend tjetër, qoftë dhe në raport me rajonin.

Nga gjithë sa më sipër, si zor të shpresosh se bashkë me vapën do të lehtësohen dhe hallet e atij populli përsa kohë që në pushtet e në opozitë do jenë protagonistët e sotëm

Please follow and like us: