Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Si e dëboi Egjipti Ahmet Zogun pasi e akuzonte për kontrabandë

Mbreti Ahmet Zogu, pas largimit nga Shqipëria me pushtimin e italianëve, gjeti strehim të përshtatshëm në Egjipt. Ai jetoi për shumë vite në Aleksandri dhe prej andej ndërmori një sërë tentativash për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Mirëpo, shërbimi sekret amerikan ka zbardhur detaje nga dëbimi i tij nga Egjipti. Zogu është akuzuar shpesh për kontrabandë pambuku, por sipas dy dokumenteve të deklasifikuara nga CIA, tregohet se Egjipti e përzuri atë nga vendi i tij dhe nisi hetimet për kontrabandë.

Aty tregoheshin se si policia egjiptiane bastisi banesën e tij, teksa frika më e madhe e Mbretit ishte se do i sekuestronin pronat, banesën dhe do i bllokonin paratë. Por interesant është fakti se ai i kërkoi ndihmë CIA. Sipas një shkrese, agjentët e saj që ishin përgjegjës për Shqipërinë, përmes një shkrese drejtuar kreut të inteligjencës, i kërkonin që të nisnin me urgjencë procedurat për strehimin e Zogut.

Në dokument thuhej se ai i kishte ndihmuar ata jashtë mase në tentativat për rrëzimin e regjimit dhe për këtë arsye duhej strehuar. Mirëpo, kjo gjë nuk ishte dhe aq e lehtë pasi Mbreti kishte pretendime. Aty thuhet se ai nuk donte të hynte me vizë refugjatësh për shkak të kredos së tij politike.

27 maj 1953

Memorandum drejtorit të inteligjencës

Subjekti: Lejimi i hyrjes në SHBA të mbretit Zog dhe familjes së tij

Ju kërkohet që të përdorni autoritetin tuaj sipas ligjit publik 110, për të kryer hyrjen në Shtetet e Bashkuara të mbretit Zog të Shqipërisë, gruas, shtatë motrave të tij, për arsye të kërkesave urgjente operacionale. Divizioni ynë ka konsultuar mënyra të ndryshme të arritjes së kësaj çështjeje, por pa sukses. Prej rreth dy vjetësh, mbreti Zog ka qenë një aset me vlerë për divizionin SE dhe infiltrimin e agjentëve të nivelit të lartë në Shqipëri dhe sinjalizimet tregojnë për avantazhe edhe më të mëdha në të ardhmen. Për arsye të vlerës së tij operacionale, ne po e ndihmojmë atë të vendosë familjen në shtëpinë e tij në Long Island në Nju Jork, ku ai kërkon të qëndrojë për një kohë të pacaktuar, derisa situata politike në Shqipëri të lejojë kthimin e tij. Për arsye të natyrës patriarkale të familjes së tij, dëshira e tij për t’u vendosur në SHBA nënkupton shoqërimin e tij nga familja. Zogu nuk dëshiron të avancojë pretendimet e tij politike duke hyrë në SHBA, dhe mendon se hyrja në vend me vizë emigranti do të cenonte prestigjin e tij në lidhje me fronin mbretëror. Asistenca e CIA për Zogun përfundon me marrëveshjen për hyrjen e tij në SHBA pa pagesa financiare.

Justifikimi operacional

Marrëdhënia e CIA me mbretin Zog të Shqipërisë vitet e fundit është bërë mjaft e vlefshme në një operacion delikat dhe kompleks. Megjithëse mbreti Zog nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me frontin politik të CIA, në formën e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA), partia e tij e Legalitetit që favorizon kthimin e monarkisë, është e përfaqësuar në Komitet. Vetë Zogu ka qëndruar në hije, por ka prestigjin personal si një faktor i rëndësishëm në skenën politike shqiptare. Zogu ka treguar në disa raste se e konsideron mendimin e Shteteve të Bashkuara të rëndësisë së parë, dhe ky favorizim së bashku me faktin se ka një numër të madh ndjekësish, është i rëndësishëm për operacionet tona, teksa në dy vitet e ardhshme mund të bëhet e mundur përmbysja e regjimit në Shqipëri. Për nga pikëpamja e CIA, prania e Zogut në Nju Jork lehtëson kanalet e ndërlidhjes mes divizionit të CIA, SE dhe mbretit shqiptar në emigracion.

Gjatë viteve 1951-1952, Zogu na ka mbajtur të informuar për tentativat e tij të afrimit me jugosllavët për përmbysjen e pushtetit të Tiranës, me një raport të detajuar të bisedës me dy përfaqësues të qeverisë jugosllave në Shkup, në gusht të vitit 1952. Megjithëse u pranua se çështja do të ndiqej më tej, asnjë avancim nuk është bërë nga jugosllavët. Zogu do të na mbajë të informuar dhe ka ndërmend ta rihapë çështjen me ta.

Marrëdhëniet me Zogun

Megjithëse është e parakohshme të vlerësohet e ardhmja politike e Zogut në Shqipëri, eksperienca jonë me NCFA, britanikët dhe shërbimet jugosllave na tregon se është e dëshirueshme mbajtja e marrëdhënieve të mira me mbretin shqiptar në ekzil. Mbështetësit e shumtë të tij në Shqipëri mund të jenë deçizivë për rast të zhvillimit të një fushate të përbashkët për çlirimin e Shqipërisë, ose mund të përdoren si një pikë për negociata në rast të një operacioni të përbashkët SHBA-Jugosllavi apo të kontradiktave mes grupeve përbërëse të NCFA. Miqësia e tij me SHBA mund të përcaktojë masën e influencës amerikane në qeverinë shqiptare të post-çlirimit. Megjithëse Zogut i janë shpjeguar vështirësitë e ligjeve tona të emigracionit, nëse nuk sajojmë hyrjen e tij, ai me shumë gjasa do ta konsiderojë si një neglizhencë në shërbimet e Shteteve të Bashkuara, që mund të sjellë zhgënjim. Zogu është përgatitur shumë për lëvizjen e tij në Long Island, duke blerë një shtëpi atje gjatë udhëtimit të tij të fundit në 1951 dhe ka shprehur dëshirën që djali i tij të arsimohet në SHBA. U konsiderua e nevojshme që të përfshihen në familjen e tij të afërt edhe nipi dhe e shoqja, pasi ata kanë qenë prej kohësh të varur nga mbreti.

Në rast të pranimit të mbretit dhe grupit të tij sipas seksionit 8 të ligjit, manovra do të mbahet e fshehtë duke i pajisur ata me viza vizitorësh. Prandaj, grupi mund të hyjë në SHBA si vizitorë, por CIA do të ketë mundësi të aftësojë çdo udhëtim që mbreti kërkon të bëjë në të ardhmen jashtë vendit.

Shtator 1953

Raport i zhvillimeve operacionale

1. Zhvillime të përgjithshme

Radio Greqia e Lirë, më 14 shtator u bënte thirrje grekëve të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Nuk ka pasur tregues nga burime të tjera nëse grekët apo shqiptarët po merrnin në konsideratë një veprim të tillë. Më 28 shtator, qeveria jugosllave raportonte zyrtarisht se negociatat e saj me Shqipërinë për zgjidhjen e incidenteve në kufi ishin ndërprerë në një atmosferë të akullt mosmarrëveshjeje. Takimi i parë i komisioneve shqiptare e jugosllave u mblodh më 17 gusht.

Dëbimi i Zogut

U kompletuan në Nju Jork marrëveshjet për lejimin e ish-mbretit shqiptar Zog në SHBA. Por një prej vështirësive që ka lindur është bastisja e rezidencës së Zogut në Aleksandri teksa familja ndodhej në shtëpi, me urdhër të Ministrisë së Brendshme Egjiptiane, të cilët kryen një kontroll prej tre orësh. Ata kanë konfiskuar një sasi dokumentesh financiare, por nuk kishin prekur dokumentet e tij mbi Shqipërinë. Një kontroll trupor mbi vetë Zogun dhe familjarët u kërkua por nuk u krye pas kërcënimit të tij me rezistencë të dhunshme. Besohet se qëllimi i aksionit ka qenë zbulimi i provave për kontrabandë apo të aktivitetit politik me elementë anti-Naguib, çka do të sillte veprim të autoriteteve deri në përjashtim të Zogut nga Egjipti, pa para apo prona. Me anë të kontakteve të tij, Zogu ka kërkuar të merren masa për mbrojtjen e tij dhe të familjes. Ai besohet se është siguruar nga ministri i Jashtëm i Egjiptit se nuk do të preken marrëveshjet për lëshimin e vizave dhe të transportit të parave, edhe pse kjo ishte jashtë juridiksionit të tij pasi veprimet u ndërmorën nga Ministria e Brendshme.

Aktiviteti i Komitetit për Shqipërinë e Lirë

Gjatë muajit shtator, Komiteti Kombëtar për Evropën e Lirë ka njoftuar anëtarët e NCFA se për arsye të shkurtimeve të buxhetit, NCFA do të pushojë aktivitetet më 1 tetor 1953. Në të njëjtën kohë do të ndërpriten edhe programet në shqip të radios Evropa e Lirë. Megjithëse ndihma financiare për NCFA do të vazhdojë me anë të kanaleve të tjera, rrogat dhe financat do të reduktohen. Ky ndryshim vjen në një kohë të përshtatshme edhe në formën e masës disiplinore të anëtarëve të padisiplinuar të komitetit të NCFA dhe të forcimit të kontrollit në të ardhmen.

Përmbledhje e planeve operacionale

Natën e 7-8 shtatorit, grupi prej pesë personash FIG u ri-infiltrua në Shqipëri. Ata raportuan me radio se zona e hyrjes ishte e qetë. Një mision ajror furnizimi u krye natën e 19 shtatorit për bazën Apple/2, kryesisht për furnizim me bateri për radiot. Rreth 500 kg fletushka u lëshuan mbi Shqipëri si masë diversive. Përveç misionit të rifurnizimit të Apple/2, më 19 shtator u lëshua dhe një kontejner në zonën DZ ku raportohet se gjendet baza e Hil Shllakut, lideri i supozuar i forcës së rezistencës prej 35 000 njerëzish. Në një tentativë për të verifikuar pretendimet e bëra nga Genc Korça në lidhje me aktivitetet e Hil Shllakut, Korça është zhvendosur nga Roma në Athinë për marrje në pyetje. Në të njëjtën kohë po bëhen përpjekje për të kontaktuar më Zef Shllakun, i cili është larguar për në Jugosllavi bashkë me Korçën dhe me profesor Prenk Grudën, të cilët ndodhen në zonën britanike në Austri. Zef Shllaku dhe Gruda duhet të jenë të aftë të japin detaje të mëtejshme për aktivitetet e Hil Shllakut dhe mundësitë e tij të rezistencës.

4.Britanikët na kanë informuar se grupi i tyre është ri-infiltruar me sukses natën e 29 gushtit.

Në lidhje me luftën psikologjike, grupet tona në Romë kanë raportuar se gjatë shtatorit janë mbajtur bisedime me Ali Këlcyrën dhe me Koço Mukon, liderët e Organizata e Ballit Kombëtar, që janë ndarë nga organizata bazë në fund të viteve 1950-të. Përpjekjet për t’i përfshirë ata në NCFA, deri tani nuk kanë patur sukses.

Gazetat

Anëtarët e komitetit ekzekutiv të NCFA që ishin të pakënaqur me tekstin e letrës së dërguar nga sekretari i shtetit në përgjigje të kërkesave sipas udhëzimeve tona, refuzuan të lejojnë publikimin e korrespondencës në gazetën Shqipëria. Komiteti kundërshtonte deklaratën e zotit Dulles se problemi i marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët e saj në të ardhmen, ishte çështje kryesisht për diskutime dhe zgjidhje bilaterale. Përfaqësuesi ynë në Romë raportonte se ishte detyruar të shkatërronte të gjitha kopjet e edicionit të 15 shtatorit të gazetës Shqipëria, për arsye të një artikulli inflamator mbi kufirin Shqipëri-Greqi. Gazeta më pas u riprintua pa artikullin në fjalë. Të dy përfaqësuesit tanë dhe ata britanikë po mbajnë qëndrim të ashpër ndaj komitetit në lidhje me këtë sjellje të padisiplinuar të tejkalimit të bindjes ndaj direktivave. Ata ishin të shqetësuar për ngjarjen dhe kërkonin të merrej në konsideratë shpërbërja e mundshme e komitetit.

Propaganda

Natën e 9/10 shtatorit u krye një lëshim i suksesshëm fletushkash mbi Shqipëri. Rreth 300 000 fletushka u lëshuan së bashku me një sasi të pacaktuar gjilpërash qepjeje të ngjitura me fletushkash. Gjilpërat ishin objekti i parë që u lëshuan pas rishikimit të politikës që lejon rinisjen e artikujve të ushqimit dhe të veshjeve në Shqipëri. Stacioni i monitorimit në Bari ka raportuar zhurmim të vazhdueshëm të radios klandestine, Zëri i Shqipërisë së Lirë. Forcat në terren raportojnë se zhurmimi vjen prej thirrjeve për dezertim që brehen dy herë në ditë, dhe ka sinjalizime se zhurmimi mund të vijë prej Bullgarisë. Megjithëse pengesat, transmetimet janë ruajtur sipas programit, gazeta e përdyjavshme e NCFA Shqipëria është shtypur në Romë sipas afatit. Një version më i vogël i saj, i përdorur më parë në lëshimet ajrore, është ndërprerë, ndërsa një version përmbledhës është shtypur çdo muaj dhe do të përdoret në lëshimet nga ajri në Shqipëri./Sot

Please follow and like us: