Orë poetike me miqtë e Poradecit
Reportazh nga S. Demolli
Një traditë e bukur tashmë kjo në Pogradec, ku shkrimtarë e poetë jo vetëm nga rajoni juglindor i vendit, por edhe nga qytete të tjera, promovojnë vlerat më të reja të krijimtarisë së tyre, në “Odën Lazgushiane”. Veçanërisht vera e freskët, me krivecin që fryn mbrëmjeve nga veriu, si askund,”në këtë vend që bën unapin” siç thoshte poeti është magji, jo vetëm për ata që pushojnë, por edhe për ata që shkruajnë e bëjnë art.
E pashlyer ka mbetur vizita e Kadaresë, i cili u ndodh në “parverë”, në një takim të gjerë me lexues, në shkollën “Nehemia”, ku midis të tjerash u shpreh se vjen me kënaqësi të madhe në Pogradec, jo vetëm për bukurinë e tij, por edhe pse ka patur një nga miqtë e tij më të çmuar – Lazgushin, kujtimin e të cilit e nderon aq shumë dhe, ashtu si atëherë në fund të viteve ’80 – të, kur u përurua Qendra Kulturore e qytetit, që mban emrin e poetit dhe Kadare zbuloi pllakën që mban emrin e tij, edhe në këtë ardhje të përmalluar për “stërgun e fundit”, nuk harroi të shkonte pranë monumentit të tij e të vendoste një buqetë me lule.
Shtypi ka shkruar për këtë e , publikoi aq foto, duke mos e përmendur nga pakujdesia siç ndodh rëndom “paparaçin” e Pogradecit B. Xhelo, i cili ishte autori i tyre, po edhe diçka tjetër për këtë vepër të skulptorit Mumtaz Dhrami, që poradecarët, siç shprehet V. Samsuri i bën krenarë kur e dëgjojnë nga goja e të madhit Kadare, ashtu si e tha në bisedë me miqtë që e shoqëronin gjatë vizitës: “Nuk kam parë një monument kaq të bukur kushtuar një poeti, kudo që kam shkuar. Vepra të tilla rrallë i gjen edhe në qytete me dhjetë milion banorë”.
Po ç’i bën kaq të rëndësishëm poetët?
Siç dihet poeti i shërben pavdekësisë, duke luftuar të përjetësojë botën dhe njeriun brenda botës. Eshtë “Sizifi që ngjit gurin e vet dhe gurin e ne të gjithëve”. Me atë mision aq të vështirë, “të mbushë letrën e bardhë që ka përpara me mirësi qiellore dhe ta stolisë atë me thesaret e shpirtit të tij”. Ose siç merrte përsipër F. G. Lorka, duke folur për poezinë e tij: “Mbaj zjarrin brenda duarve të mia. E ndjej dhe punoj me atë, deri në përsosmëri, por nuk mundem të flas për atë pa filologji. I kuptoj të gjitha poezitë dhe, do të mundesha të flas për ato, sikur të mos ndryshoja mendje ç’do pesë minuta. Nuk e di. Mundet ndonjë ditë të më pëlqejë mjaftueshëm poezia e keqe, siç më pëlqen (na pëlqen) sot muzika e keqe deri në lajthitje. Do ta djeg natën Parthenonën, për të filluar ta rindërtoj në mëngjez e, të mos mbaroj kurrë”.
Sado e pabesueshme, deri atje arrin lajthitja e poezisë, përkufizimin e së cilës në një sonetë italiane e gjejmë si: “Immago dell eterna idea”.( Figura e idesë shekullore). Veçse, siç është vënë në dukje problemet e poezisë nuk munden të zgjidhen në kuadrin e një përkufizimi të saj, sado i përsosur mund të jetë ai. Për këtë kur ndodhemi para Lazgushit themi me adhurim; poezia tek poeti dhe poeti tek poezia.
Por sot nuk është çështja të himnizojmë poezinë dhe poetët, që në fund të fundit nuk na i kanë nevojën, ashtu si Lazgushi p. sh. i cili e ngriti vetë së gjalli monumentin e tij me atë vepër që bëri, po të shohim se ç’rol luan poezia dhe letërsia në jetën tonë, nëse ato janë të nevojshme, kanë mbështetje dhe cila është e ardhmja e tyre, po qe se supozojmë se kanë të ardhme, në një vend si yni ku roli i saj dhe i shoqërisë në përgjithësi mbi individin është zbehur dhe mbi atë më shumë se ajo vepron natyra me ligjet e saj, duke e egërsuar të shkretin njeri.
Mbase ky ishte edhe mesazhi që desh të japë edhe Kadare, përpos homazhit me atë buqetë lulesh… Për t’i kthyer sytë më tepër sytë nga poetët dhe artistët, të cilët duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe të lidhur me vendin dhe kohën e tyre. Me njerëzit, për t’i prekur ata në shpirt me fjalët dhe veprën e tyre, duke i nxjerrë në dritën e vërtetë të bukurisë. Veçanërisht sot kur shtrohet si askurrë çështja e reformimit të shoqërisë dhe njeriut. Natyrisht pa lënë mënjanë kulturën e ndëshkimit.
Korrikun “Miqtë e Lazgushit” e mbyllën me një orë poetike, rreth vëllimit “Ende s’kemi ardhur” të një prej poetëve tanë të rinj mjaft të talentuar, siç është Qazim Muska, i cili ka lindur në Maliq dhe sot punon e jeton në Tiranë. Univers artistik dhe poezi e vërtetë, do ta cilësonte librin e tij gazetari Dhimitër Gegprifti. Kurse shkrimtari Bujar Balliu, duke folur për relacionet strukturore vuri në dukje se poeti Q. Muska sjell mëvetësi karakteristike në ligjërimin e tij poetik. Poetja Zh. Çina vlerësoi thjeshtësinë dhe lakonizmin në poezinë e Muskës, kurse A. Tahiri pedagoge në U. T. kumtin filozofik që e bën aq interesante poezinë dhe të pëlqyeshme për të rinjtë. Fjalën dhe gjuhën në poezinë e Muskës, do të veçonte në diskutimin e vet poeti dhe botuesi Petraq Risto, duke tërhequr vëmendjen për të mos harruar atë që ka porositur Valeri për poezinë, e cila sipas tij është “një gjuhë brenda gjuhës”.
Në këtë orë të bukur poetike, ku gjithçka vërtitej rreth asaj “çfar thua dhe si e thua”, ligjëruan edhe poetët R. Braholli, D. Leka, A. Kallço, E. Ruci, Z. Çela, kritiku K. Dashi shkrimtarët I. Haxhillari, R. Rexhollari etj. Kurse regjisorja Dasara Kristo dhe poetja Irini Nanushi përcollën me zërin e tyre vargje të zgjedhura nga poeti Q. Muska, duke e bërë edhe më të gjallë poezinë e tij, të cilën ia sjellim nëpërmjet këtij cikli, për ta shijuar sadopak edhe lexuesit të 360 gradë. al.
ODE PER ATDHEUN
Të marrin peng Atdheu im, të marrin peng kusarët,
Të ndjekim pas e s’të arrijmë, ne, bijtë, këmbëvrarët.
Të ndjekim pas i shtrenjti im, të ndjekim rrugë pa rrug’
Ne të përulurit e heshtur, në terr edhe në muzg.
S’të gjejmë dot, i lashti im, dhe pse shekuj kërkuam,
Të fshehin keq e mos më keq, si një kafshë të huaj.
S’po mundim dot që të ta heqim, as pluhrin, as baltën,
Na vishen sytë me zhgënjim e, s’dimë ç’mallkime patëm.
Nuk dimë në ç’letargji të gjithë, molepsur kemi rënë,
Na shuhet zëri brenda vetes sa herë thërrasim “Nënë”.
Të ndjekim pas e s’të arrijmë, kërkojmë e nuk të gjejmë,
O pengu ynë i pashërim, si vallë të të kthejmë?!…
NJE TINGULL KITARE
Një tingull kitare më ndjell nën bli,
Një tingull i largët kitare,
Kalë i harbuar, pafre e yzengji,
Vij vrap e të rri nën dritare.
Vij me revan si erë, si veri
Kaq shumë ngarkuar me malle,
Ti mbyllur sërish në “lashtësi”,
Pas perdesh e heshtjesh vrastare.
Si vallë si dëgjon këta tinguj ti;
Shpirt i trazuar që ndizje veç zjarre!?
Po hape pra perden, vështro nën bli
Dhe dridhu nën tinguj kitare!
E ndizi sërish, ashtu siç di,
Gjithë zemrat me flakën e madhe!
Ma zbraz këtë mall e lërmë të rri,
Të prehem nën tinguj kitare.
Me yjet agimit të tretem, të shkrij,
Të shkoj pastaj drobitur nën vaje,
Se perden s’e hape sërish që të vij
Një puthje s’ma dhe nën dritare.
Po qeshje dhe qaje në këtë marrëzi,
Me tinguj të zjarrtë kitare
Dhe kënga e vjetër u shua nën bli,
Si vaj i përhapur ndër varre.
AKREPI I ZI
Akrep i vogël me frakun e zi
Të shenjtë e të shtrenjtë të pata në gji,
Portat t’i hapa kanat më kanat,
Akrep i vogël, i zi, me frak.
Dhe ti pa droje, pa brejtje aspak,
Çdo cep e çdo skutë zaptove nga pak,
Nga pak e nga pak zbulove çdo mister,
Me zell të madh, në dritë e në terr.
As kode, as çelësa nuk pati pasur,
Kutia e sekreteve përherë e haur,
Dhe kur u ndjeva i qetë, pa rrezik,
Pickimin e helmët ta ndjeva, o mik.
Kaminë e ndezur, flakë e plagë,
Gjoksi ku shova mllef e shpagë,
Veç tjetër ish kjo dhimbje nga ti,
Akrep i vogël me frakun e zi.
S’JEMI DASHUR SI DUHET
Kurrë nuk jemi dashur si duhet,
Ndonëse qëndrojmë përballë
Kapur pas skajeve të një litari
Që herë e lëshon njëri
E, herë e tërheq tjetri,
Pa na rrëshqitur kurrë nga duart,
Duke mbetur në këmbë, bashkë,
Por asnjëherë të përqafuar.
Të kujdesshëm e të saktë jemi,
Si orë Grenuiçi,
Në kortezitë tona të mjera,
Pa e ndjerë helmin që mblidhet përditë
Nën plagën që e fshehim marrëzisht.
Dhe kur gjarprin e së vërtetës
E nxjerrim nga plloça e gjoksit,
Me kamzhik blasfemie
Qëllojmë njëri – tjetrin,
Pa e kuptuar se po shkojmë drejt kryqit,
Me çekiçin dhe gozhdët në duar.
PORTRETIN TEND
Në telajon e natës
Pikturoj portretin tënd
Me ngjyrat që ke lënë në sytë e mi.
Dhe e var në Yllin Polar që digjet,
Duke e vështruar deri në mëngjez,
Kur drita e agut ta pijë bashkë me vesën
E, të mi unjë qerpikët e lodhur,
Si perden e një skene,
Ku vetëm teatër nuk mund të luhet.
* * *