Albspirit

Media/News/Publishing

“Puçi”, Kerry do të vizitojë Ankaranë mes marrëdhënieve të tensionuara SHBA-Turqi

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pritet të mbërrijë në Turqi gjatë muajit gusht, në mes të marrëdhënieve të tensionuara me Uashingtonin për shkak të ekstradimit të mundshëm të klerikut mysliman Gulen, të akuzuar nga Ankaraja si organizatori i tentativës për grusht shteti të muajit të kaluar.

Lajmi është konfirmuar këtë të premte nga ministri i Jashtëm turk, ndërkohë që qeveria turke ka shfaqur bezdisjen gjithnjë e më të madhe ndaj asaj, që ata e quajnë si një mungesë solidariteti të aleatëve ndërkombëtarë pas ngjarjes së 15 korrikut, dështimit të përpjekjes për grusht shteti, sikurse edhe rritje të frustrimit mbi atë që është perceptuar si zvarritje nga ana e Shteteve të Bashkuara, ndaj kërkesës së Turqisë për rikthimin e klerikut mysliman që jeton në ekzil në Pensilvani drejt Ankarasë, për t’u përballur me drejtësinë.

Turqia e akuzon Gulenin, një ish-aleat i presidentit Recep Tayyip Erdogan, si trurin e grushtit të shtetit të 15 korrikut, që u vu në zbatim nga oficerë rebelë të ushtrisë turke. Madje lëvizja e tij “Hizmet”, e cila drejton fonde bamirësie, shkolla dhe biznese në mbarë botën, është konsideruar si një organizatë terroriste, e për këtë arsye është organizuar edhe një spastrim i gjerë i administratës, arsimit, drejtësisë, sportit dhe shumë fushave të tjera nga anëtarë të kësaj lëvizjeje apo simpatizantë të saj, që pas dështimit të grushtit të shtetit.

Gulen e ka mohuar përfshirjen apo dijeninë mbi këtë akt të dhunshëm, që la mbi 270 persona të vdekur. Uashingtoni, nga ana e tij, i ka kërkuar prova Ankarasë mbi përfshirjen e dyshuar të klerikut, si dhe ka bërë të ditur se procesi i ekstradimit mund të lejohet të marrë rrjedhën e vet.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se Kerry pritet të mbërrijë në Turqi më 24 gusht, siç raporton edhe agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”, ndërkohë që ai foli edhe mbi mundësinë e një vizite tjetër nga amerikanët, pikërisht atë të zëvendëspresidentit Joe Biden.

Turqia lëshoi një urdhërarresti gjatë së enjtes për Gulenin, të cilin e akuzon si urdhëruesin e grushtit të dështuar të shtetit, një lëvizje që shihet si prelud i kërkesës zyrtare për ekstradimin e tij. Që prej asaj tentative të dështuar, afro 70 mijë njerëz të dyshuar për lidhje me Gulenin janë pezulluar apo shkarkuar nga vendet e tyre të punës, në shërbimin civil, drejtësi, edukim, kujdes shëndetësor, apo edhe ushtri. Rreth 18 mijë njerëz janë arrestuar ose burgosur, shumica pjesë e ushtrisë, mbi dyshimet si pjesëmarrës në “puçin” e dështuar.

Zyrtarë europianë dhe grupe të të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi këtë fushatë spastrimesh. Ndërsa Turqia vijon t’u bëjë presion aleatëve të saj për të gjurmuar të gjitha shkollat dhe organizatat bamirëse të lidhura me Gulenin, si dhe i ka kërkuar Kazakistanit të mbyllë të gjitha shkollat që janë të lidhura me lëvizjen e tij.

“Lëvizja e Gulenit nuk është një kërcënim vetëm për Turqinë, por për të gjitha vendet në të cilat ajo ka shtrirë praninë e saj”, tha Erdogan gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin kazak. Megjithatë ky i fundit, Nazarbayev tha se shkollat në fjalë ishin kontrolluar në mënyrë strikte nga autoritetet shtetërore, dhe se 90 për qind e mësuesve në to ishin të kombësisë kazake. Gjithsesi, ai deklaroi se nëse ndonjë mësues zbulohet të ketë lidhje me lëvizjen “Hizmet” do të merret në konsideratë dhe mund të dëbohet nga vendi.

 

Please follow and like us: