Universitetet, konkurset dhe regjistrimi në dy raunde
- Si do bëhet renditja e fituesve në raundin e parë dhe të dytë dhe regjistrimi në fakultete
- Procedura për degët me konkurs, testimet në datat 20-30 gusht. Hapat që duhen ndjekur në raundin e parë dhe të dytë
Nga Neritan Gjergo
Lista e maturantëve që do të aplikojnë deri në datën 10 gusht, do t’u dërgohet universiteteve, deri në datën 16 gusht, e këta të fundit do të shpallin fituesit në javën e parë të shtatorit. Por, duhet theksuar se në datën 5 shtator, lista e fituesve do të jetë paraprake, sepse maturantët që nuk gjejnë emrin dhe ata që do të japin provimet e vjeshtës do të kenë një mundësi të dytë për të fituar shkollën e lartë. Raundi i dytë i aplikimeve do të bëhet në fund të muajit shtator, pikërisht në datat 23 shtator-1 tetor 2016. Po ashtu, për të rinjtë që kërkojnë të studiojnë në Universitetin e Arteve, Sporteve apo Arkitekturë, do të hapen konkurset, sipas datave specifike, ndërmjet 20 dhe 30 gushtit.
Kushtet
Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Të drejtën të aplikojnë e kanë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, janë pajisur me dokumentacionin ligjor të këtij niveli arsimor, nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program studimi, në universitetet publike apo private, plotësojnë kushtin e notës mesatare 6 të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret e vendosura nga universitetet publike dhe private për programet e studimit për të cilat aplikojnë. Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti.
Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga universitetet publike dhe jopublike, për vitin 2016-2017. Sistemi i Portalit të Maturës Shtetërore nuk i pranon dhe i bllokon aplikimet nga kandidatë të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret specifike të përcaktuara nga universitetet. Për shembull, nëse një kandidat e ka notën mesatare të gjimnazit më të vogël se 8.5, sistemi nuk i lejon atij aplikimin në programet e studimit si Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologjia apo Farmaci në Universitetin e Mjekësisë.
Në raundin e dytë, të maturantët kalues nga sesioni i vjeshtës, e që plotësojnë kriterin e notës mesatare, do të pranohen për aplikim. Përzgjedhja e degëve, në këtë raund do të bëhet në datat 23 shtator-1 tetor, po me të njëjtën mënyrë siç po aplikohet aktualisht. Ndërkohë, ky proces i gjatë për aplikimet e regjistrimet, do të bëjë që data e fillimit të vitit të ri akademik të shtyhet në fund të muajit tetor. “Pas datës 16 tetor, deri më datë 20 tetor 2016, sekretaritë mësimore të IAL-ve do të regjistrojnë online dhe me dokumentacion, deri në plotësimin e numrit të kuotave për programin e studimit përkatës, të gjithë kandidatët e tjerë që kërkojnë të regjistrohen, duke respektuar renditjen në lista”, thuhet në rregullore.
Degët me konkurs
Në datën 16 gusht do të shpallet nga Universiteti i Sporteve lista e konkurrentëve, ndërsa regjistrimi për konkurset e pranimit në të 2 fakultetet e tij do të bëhet në degën e informacionit studentor dhe regjistrimeve. Të gjitha këto veprime duhet të kryhen nga konkurrentët deri në 19 gusht, të cilët duhet të bashkëngjisin dhe dokumentet përkatëse, ndërsa në 10 ditët në vazhdim do të zhvillohen konkurset. Po kështu, edhe Universiteti i Arteve ka gati tashmë rregulloren për pranimin e konkurrentëve, emrat e të cilëve do t’i shkojnë nga Ministria e Arsimit deri në datën 18 gusht. Sipas udhëzimit të këtij universiteti, kandidatët do të vihen në provë një për një, për çdo program, ndërsa shpallja e fituesve, të cilët do të shqyrtohen nga komisionet përkatëse do të bëhet nga Dekani. Sipas udhëzimit të universitetit, për të mos krijuar përplasje për konkurrentët që fitojnë pikë të barabarta, ata do të renditen midis tyre sipas rendit zbritës të pikëve të fituara në testin special.
Raundi i parë
Hapi 1 – Maturantët kryejnë pagesën pranë zyrave të postës shqiptare ose në bankë në shumën 2000 lekë (mandati shkarkohet në faqen: akp.gov.al).
Hapi 2 – Maturantët mandatin e pagesës duhet ta dorëzojnë pranë sekretarisë mësimore të shkollës së mesme.
Hapi 3 – Maturantët duhet të aplikojnë në linkun, matura.akp.gov.al nga data: 01-11 Gusht 2016. Në faqen akp.gov.al maturantët do të shkarkojnë “Paketë informuese për formularin e aplikimit” ku do të gjejnë kalendarin me datat respektive pë aplikim sipas qarkut të tyre;
Hapi 4 – Mund të rendisni deri në 10 preferenca, pa dhënë prioritet në renditje për degët.
Raundi i dytë
Hapi 1 – Maturantët që nuk kanë mundur të aplikojnë në raundin e parë duhet të kryejnë pagesën pranë zyrave të postës shqiptare ose në bankë në shumën 2000 lekë.
Hapi 2 – Maturantët duhet të aplikojnë në linkun: matura.akp.gov.al nga data: 23 Shtator 2016 – 1 Tetor 2016.
Hapi 3 – Mund të rendisni deri në 10 preferenca.
Hapi 4 – Maturantët fitues shpallen brenda datës 12 tetor 2016 dhe kjo do të jetë lista zyrtare përfundimtare.
UT: Pranimet për 5378 studentët e ardhshëm
Universiteti i Tiranës do të pranojë 5378 studentë në 7 fakultetet e tij, përshi edhe filialin në Sarandë. Për të ardhur në ndihmë të rinjve që do të zgjedhin të studiojnë aty, UT ka hartuar edhe tabelat me kuotat, tarifat dhe kriteret për secilin program studimi në të gjitha departamentet.
Fakulteti i Drejtësisë
Për vitin akademik 2016-2017 do të pranohen 660 studentë. Maturantët që do të aplikojnë në këtë fakultet, 50% të pikëve i marrin nga nota mesatare e shkollës së mesme, për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e Maturës Shtetërore. Ndërkohë që, 50 për qind do e ketë nota mesatare e gruplëndëve të përcaktuara si prioritare nga ky fakultet, të cilat janë: Histori, Qytetari, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Ekonomi, dhe lëndë me zgjedhje janë Sociologji, Psikologji dhe Filozofi.
Fakulteti i Ekonomisë
Fakulteti i Ekonomisë, në total do të ketë 1178 kuota pranimi për ciklin e parë të studimeve Bachelor. Administrim-Biznesi dhe Financë do kenë nga 440 kuota secili. Ndërsa, dega Informatikë Ekonomike do ketë 220 kuota pranimi dhe Ekonomiksi vetëm 78 kuota. Në këtë fakultet, maturantët që do të aplikojnë duhet të shikojnë lëndët preferenciale, të cilat janë katër: Ekonomia, Matematika, Fizika dhe Gjuha e Huaj. Në secilin program studimi, Ekonomia dhe Matematika kanë secila nga 15% të peshës, ndërsa dy lëndët e tjera nga 10%.
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë
Ky fakultet në total do të pranojë 630 studentë të vitit të parë. Në degën Gjuhë-Letërsi do pranohen 150 studentë, në Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore janë miratuar 80 kuota, te dega Gazetari 100 kuota, te Gjeografia 150 dhe te dega Histori 150 kuota pranimi. Në programet e studimit të këtij fakulteti grupi i lëndëve preferenciale është 10 dhe secila prej tyre ka nga 5% të peshës, nga 50% që është totali. Grupi i lëndëve preferenciale është: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi; Histori; Gjeografi; Sociologji; Filozofi; Psikologji; Qytetari; Gjuhë e Huaj; Histori Arti dhe Histori Muzike.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Senati Akademik i UT-së ka miratuar 830 kuota pranimi. Anglishtja ka numrin më të lartë me 200 kuota, më pas vijnë gjuha gjermane, frënge dhe italiane që kanë nga 120 kuota secila, ndërsa gjuhët e tjera kanë nga 65 kuota, rusisht, turqisht, greqisht, ndërsa gjuha spanjolle ka 75 kuota. Grupi i lëndëve preferenciale i këtij fakulteti janë 5, dhe secila ka nga 10% të peshës: Gjuhë e huaj e parë; Gjuhë Shqipe dhe Letërsi; Qytetari; Arte; Gjuhë e huaj e dytë/karriere, aftësimi për jetën.
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Numrin më të madh të pranimeve e ka Fakulteti i Shkencave të Natyrës, me 1.285 kuota, ku 300 kuota janë në degën Informatikë dhe 200 janë në degën Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Ndërsa programet e tjera, Fizikë; Biologji, Kimi Industriale e Mjedisore; Kimi dhe Teknologji Ushqimore kanë nga 100 kuota secila. Ndërsa programet e tjera, Bioteknologji, Matematikë, Fizikë, Inxhinieri Matematike dhe Informatike kanë nga 90 kuota. Në këtë fakultet janë nga 4 lëndë preferenciale, por të ndryshme në varësi të programit të studimit. Dega Informatikë ka përcaktuar si lëndë prioritare: Informatikë 20%, Matematikë 20%; Fizikë 5% dhe Biologji 5%. Kjo do të thotë se, për të rritur shansin e pranimit në këtë degë, atëherë ju duhet të keni nota të larta në këto 4 lëndë, në mënyrë që të fitoni sa më shumë pikë në renditjen përfundimtare.
Fakulteti i Shkencave Sociale
Fakulteti i Shkencave Sociale në total do të pranojë në vit të parë 620 studentë. Programet e studimit, Psikologji, Punë Sociale, Shkenca Politike, Administrim dhe Politika Sociale do kenë nga 110 kuota secili program. Ndërsa Filozofia dhe Sociologji nga 90 kuota. Lëndët formuese që vlerëson ky fakultet me nga 10% secilën janë: Histori, Qytetari, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Ekonomi dhe lëndë me zgjedhje janë Sociologji, Psikologji dhe Filozofi.