Albspirit

Media/News/Publishing

Vdekja e turistit rus, 4 policë nën hetim; biznesmeni në spital

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet pas vdekjes së turistit rus në Himarë, ku ka marrë në pyetje me akuzën e shpërdorimit të detyrës 4 punonjës të policisë kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare të qytezës bregdetare.

Organi i akuzës ka prova se biznesmeni i arrestuar, Fatmir Kuçi, i cili dyshohet se të ketë goditur aksidentalisht turistin 43-vjeçar, nuk ka qenë i pajisur me leje lundrimi nga autoritetet përkatëse.

Efektivët e Policisë Kufitare që janë nën hetim nuk duhej ta kishin lejuar daljen e skafit në fjalë në lundrim, thonë burime nga grupi i hetimit.

“Nga verifikimet e kryera deri ne këtë fazë të hetimeve, rezulton se Fatmir Kuçi nuk ka qenë i pajisur me leje lundrimi nga autoritetet kompetente, për mjetin lundrues me të cilin dyshohet se është shkaktuar aksidenti”, – thonë burimet e prokurorisë.

Fatmir Kuçi në dëshmitë para grupit hetimor ka deklaruar se ka konstatuar ngjarjen dhe transportuar viktimën në spitalin e Himarës me mjetin e tij lundrues motoskaf, por nuk pranon akuzën e vrasjes së pushuesit, pasi sipas tij e ka gjetur rastësisht në det në atë gjendje.

Sipas prokurorisë, ai ka pohuar se pranë tij në ato momente, “ka pasur edhe mjete te tjera lundruese dhe pas tij ka qenë edhe një mjet gomone,  të cilit i ka  bërë me shenjë  dhe personi që e drejtonte gomonen ka qëndruar paralel me skafin dhe një person nga bordi i gomones është hedhur në det bashkë me shtetasin Fatmir Kuçi, duke e hipur në  skafin e këtij të fundit dhe janë nisur në drejtim të bregu të detit”.

Prokuroria ka këqyrur mjetet lundruese të ujit në pronësi të shtetasit Fatmir Kuçi motor skaf dhe motor uji (xhetski), ku në kuvertën e skafit, ndërmjet sediljes dhe motorëve të mjetit lundrues, sipas prokurorisë janë vërejtur njolla me ngjyre kafe dhe të kuqe, si ato të gjakut të mpiksur, ndërsa biznesmeni ka deklaruar se i përkasin turistit që ka transportuar në spital.

Ndërkohë, Fatmir Kuçi ka shfaqur probleme me zemrën dhe për këtë arsye është transferuar nga ambientet e paraburgimit në ato të spitalit. Ndërsa gjatë ditës së nesërme pritet të jepet edhe masa e sigurisë për të, ku prokuroria ka zyrtarizuar për momentin akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Please follow and like us: