Çerçiz Loloçi: Kadare, edhe në Olymp stinë e mërzitshme
Çerçiz LOLOÇI
1.
Pas botimin në frëngjisht, siç ngjet rëndom me një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë së tij në dy dekadat e fundit, ka pothuajse një vit që është publikuar në shqip e para dhe e vetmja pjesë teatrale e Ismail Kadaresë “Stinë e mërzitshme në Olymp”, një tragjedi e pesëmbëdhjetë hyjnive që zbulohen përpara lexuesit në katërmbëdhjetë akte. E destinuar për t’u vënë në skenë, “Stina…” është luajtur në fragmente të saj nga një trupë franceze e Lionit si dhe nga trupa shqiptare e Teatrit Kombëtar, por përtej shfaqjeve ajo ruan të tjera befasi në faqet e librit. Prometheu, një prej figurave më sipërane dhe më enigmatike të mitologjisë greke, figurë qendrore në këtë tragjedi moderne, duket se ka përmbushur një brengë të përhershme të autorit, teksa shfaqet në mënyrë të plotë dhe gjithështerruese.
Prometheu, një figurë e kahershme e antikitetit, pa qenë ndër hyjnitë më të sipërpërmendur të asaj kohe të largët, do të shndërrohej megjithatë ndër protagonistët më elitarë të postmitologjisë jo aq për akt-dhurimin e zjarrit në komunitetin njerëzor por sidomos për rebelimin e parë antiperëndi ku shembëlltyrat e tjera të mëvonshëm nuk do të ishin gjë tjetër veçse kopje të zbehta dhe të paplota. Duke qenë vetë perëndi, ai vjen e konfliktohet me kryeperëndinë, Zeusin, jo thjesht për t’i ngritur vetes një përmendore përjetmësisht të rrejshme, (çka nuk ka ndodhur me të tjerë zotër dhe bij të perëndisë, Krisht apo Muhamet), por sepse më shumë se të gjitha hyjnitë ai ka zbuluar sekretin e madh se nuk ka jetë qiellore pa atë tokësore. Dy testamentet po aq të hershme të besimit kristian dhe të atij musliman, (si edhe të besimeve të tjera ndoshta më të hershme por më pak të populluara), me të dërguarit e tyre respektivë nuk kanë qoftë edhe një resht ngritjekrye prometheiane, megjithëse kanë të ngjizur sakrifikimin e tij për botën njerëzore. Buda, Krishti, Muhameti, të plotëfuqishëm të tjerë të perëndisë, teksa kanë përsosur misionin prometeik të shërbestarit ndaj njerëzimit, asnjëherë nuk kanë vënë në dyshim se diçka nuk shkon mirë edhe te kryezotat e tyre. Titani i mitologjisë, përveç që e cilëson Zeusin si tiran të pashpirt, përshkruan gjithashtu edhe ardhjen kriminale të tij në majë të kupolës qiellore përmes vrasjeve dhe krimeve të tmerrshme, përfshi edhe sakrifikimin monstruoz të të atit, Kronosit.
Pra, Prometheu, duke qenë i këtyre përmasave kozmike, detyrimisht që ka trazuar shumë personalitete të letrave në të gjitha kohët. Një prej studiuesve francezë, Erik Faje, në parathënien shoqëruese të tragjedisë, përmend disa prej autorëve të mëdhenj që kanë për bazë mitin e Prometheut. “Në shekullin e dytë para Jezu Krishtit autori latin Lucius Accius, i cili pëlqente të imitonte tragjeditë e sivëllezërve të tij grekë, u pri, gjithashtu, nga figura e titanit Promethe. Lucien de Samosate, në fillimet e erës sonë mori përsëri këtë figurë, por në mënyrë satirike. Ndër shkrimtarët modernë, Volteri e rishqyrtoi atë te “Pandora”, Calderon de la Barca te “Statuja e Prometheut” e kështu me radhë gjermanët e anglezët që nga Wieland te Gëte e nga Bajroni te Shelly e që prej këtij të fundit kemi një dramë me katër akte “Prometheu i çliruar”. Ndërkaq Eskili ka një variant tjetër të pahumbur me “Prometheun e mbërthyer”, si një pjesë e një triologjie homonime ku dy prej tyre “Prometheu i çliruar” dhe “Prometheu në Olymp” u zhdukën në rrethana krejt misterioze e të pashpjegueshme së bashku me pjesën më të konsiderueshme të krijimtarisë së tij.
2.
Kontaktet dhe pikëtakimet e Kadaresë me humbësin dhe kolosin e madh të antikitetit, Eskilin, ravgojnë çprej fëmijërisë, nga qytetlindja e autorit ku mitet dhe ndodhitë e zakonshme përziheshin krejt natyrshëm dhe pa kurrfarë sforcimi. Vargje të tëra të shkrimtarëve antikë, fragmente dramash, tragjedish e komedish, balada, legjenda, rituale dasmash e vdekjesh, histori të frikshme që ndiqnin një rrjedhë zinxhir si shtëpitë e rrasura nguc e nguc ishin atje, në kryeqendrën jugore, shqip dhe greqisht, pa të cilat s’mund të kuptohej asnjë fëmijëri. Pastaj, në moshë ta madhuar, tridhjetë e një vjeçar, Kadare do të provonte të shkruante një variant të vetin prometheian ku titani i braktisur është mbërthyer në një shkëmb kaukazian me shpretkë të zmadhuar dhe me shpresën e ardhjes së shkabës çukitëse. Shfaqja e shpendit, çukitja e shpretkës së stërmadhe liron përkohësisht Prometheun për ta degdisur në një sakrifikim tjetër. Tregimi tjetër i po atij viti, më i plotë, i strukturuar në tri pjesë si një minitriologji, do të ketë të përmbledhur krejt informacionin për mitin. Një pesëmbëdhjetë vjeçar më pas, autori do të shkruante dhe rishkruante variantin e vet të triologjisë duke parathënë krijimin e madh me parathënien eskiliane dhe përkthimin e Orestias.
3.
“Stinë e mërzitshme në Olymp” duke u fokusuar me jetët dhe punët e fuqive të tejnatyrshme do të përqëndrohet më shumë në sferën qiellore. Dukja e parë: qiell-Olymp; dukja e dytë: gjithmonë qiell; dukja e katërt: qiell; dukja e pestë: qiell-natë; dukja e nëntë: qiell-Olymp; dukja e njëmbëdhjetë: Olymp; dukja e dymbëdhjetë: Olymp, dukja e katërmbëdhjetë: Olymp. Katër skena-dukje zhvillohen në tokë (dukja e tretë, e gjashtë, e shtatë dhe e dhjetë), ndërsa kemi edhe dy dukje të tjera: njëra nëntokë (dukja e trembëdhjetë) dhe dukja e trembëdhjetë që ndodhet përsipër Olympit, në Malin e Bardhë. Pra, tragjedia shpërfaqet në katër rrafshe në funksion të zbërthimit të figurës së Prometheut. Pra kemi katër banesa të ndryshme ku perënditë dhe njerëzit lëvizin në mënyra të ndryshme: më shpejt ecin llumnajat e qënieve që e kanë një cak, vdekjen dhe më ngadalë e më e zymtë ecin zhvillimet në rrafshin qiellor ku ky cak është i panjohur.
Siç ngjet me veprat e mëdha, edhe në këtë tragjedi, autori nuk rreket të shpjegojë aktin e vjedhjes së zjarrit prej Olympit dhe përçimi i tij te njerëzit, nuk i kushton vëmendje gjithashtu krimeve të kryera prej tij si gjithë hyjnitë, por duket se e fut lexuesin në një fill të mistershëm që zbulohet gradualisht nga akti në akt. Dukja e parë e dramës, megjithëse me personazhe të njohur të sferës qiellore, të krijon ndjesinë e një diçkaje të madhe që ka ndodhur apo që paralajmërohet të ndodhë. Dhe kështu akt pas akti merret vesh grindja e madhe mes Zeusit e titanit të zjarrit, por ndryshe nga çfarë është përshkruar nga autorë të mëparshëm, Kadare zbulon se dhimbjet fizike i përjeton Prometheu, ndërsa ankthi i pafund gjendet te kryezoti, Zeusi.
Studiuesi i Kadaresë vëren me të drejtë se autori “na jep këtu gjithë përmasat e lirisë krijuese; ai kontrollon me kujdes të madh jo vetëm rubinetat e rrjedhjes së kohës, por edhe tri zonat e mëdha të perandorisë krijuese: sipërfaqen tokësore ku Prometheu është mbërthyer dhe ku njerëzit po qytetërohen, nëntokën, vendbanimin e zotit të Ferrit, pra themelet e botës ku është hedhur titani dhe qiellin, përmes të cilit qarkullojnë perënditë dhe shkabat… por në këtë qiell klasik është futur një nocion me kurorë misteri, ai i një qendre, instancë e lartë për të cilën s’dihet asgjë, por së cilës i binden të gjithë duke filluar nga vetë Zeusi…kemi kështu një akt të ri në hierarkinë e fuqive superiore, diku në kozmos, si për të ngritur statusin e një vrime të humbur të provincës tokësore”.