Çfarë “fsheh” Ahmetaj…
Intervistë e posaçme me ministrin e Financave, z. Arben Ahmetaj/ A e kanë seriozisht financat në strategjinë e re të komunikimit dhe përqasjes ndaj sipërmarrjes, apo kjo është një manovër “për të zbutur” bizneset, teksa zgjedhjet po afrohen. Pse u ofrua pikërisht tani amnistia dhe rivlerësimi dhe çfarë efektesh pritet të ketë ajo te biznesi dhe individët. Në çfarë faze është aksioni informalitet dhe a po shohim pak dritë në ekonominë e dobët shqiptare? Përgjigjet në një intervistë të zgjeruar ministri i Financave, Arben Ahmetaj…
Dërgimi i një letre bizneseve ku i kërkonte të jepnin mendimin e tyre për paketën e re fiskale ishte lëvizja e parë që ministri i ri i Financave, Arben Ahmetaj, bëri sapo erdhi në detyrë pak muaj më parë. Klima e sipërmarrjes ishte mjaft e rënduar për shkak të agresivitetit me të cilin u konceptua fushata kundër informalitetit dhe të gjithë indekset e shoqatave të biznesit tregonin përkeqësim. Lëvizja e dytë, që erdhi disi e papritur së fundmi, ishte një draft për një falje fiskale, të plotë për detyrimet e para vitit 2012 dhe e kushtëzuar për 2012-2015 dhe mundësia për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, tashmë e miratuar nga Parlamenti.
Biznesi ende mbetet skeptik, megjithatë treguesi i besimit të biznesit i matur nga Banka e Shqipërisë shënoi një përmirësim në tremujorin e dytë 2016 (ndonëse mbetet nën mesataren historike), pas rënies së fortë në tremujorin e parë (që reflektonte më së shumti presionin e lartë të fundit të vitit të kaluar). Tonet janë qetësuar, biznesi ka vlerësuar ftesën për bashkëpunim, madje dhe shefi i FMN-së, që kishte qenë mjaft i ashpër muajt e fundit, u shpreh në një intervistë të fundit në media se klima e biznesit mbetet e rënduar, por është drejt përmirësimit.
Por, a e kanë seriozisht financat në këtë stratgji të re komunikimi, apo kjo është një manovër për të “zbutur” bizneset, teksa zgjedhjet po afrohen. Pse u ofrua pikërisht tani amnistia dhe rivlerësimi dhe çfarë efektesh pritet të ketë ajo te biznesi dhe individët. Në çfarë faze është aksioni informalitet dhe a po shohim pak dritë në ekonominë e dobët shqiptare? Për të gjitha këto flet në një intervistë të posaçme për Monitor, ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Cilat janë efektet pozitive të ligjit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme?
Rivlerësimi ka kaluar në Parlament në seancën e fundit. Ligji i rivlerësimit u jep mundësi qytetarëve që me një tatim prej 2% mbi diferencën e çmimit historik me çmimin e rivlerësuar të formalizojnë çmimin real në hipotekë.
Ky vendim ka tre efekte pozitive që duhen shënuar:
-Së pari, është formalizimi i ekonomisë, i këtij segmenti të pasurive të paluajtshme.
-Së dyti dhe që është shumë interesante, ka të bëjë me faktin që edhe raporti me bankat për sa i përket kreditimit, sidomos duke përdorur kolateral pasurinë e paluajtshme, bëhet më realist dhe u jep mundësinë qytetarëve të marrin më shumë kredi në sistemin bankar.
-Së treti, sigurisht që do të ketë të ardhura në buxhet. Unë e kam deklaruar edhe më parë që këto të ardhura do të shkojnë për të ulur më tej borxhin publik.
E besoj si një instrument formalizimi, e besoj si një ulje ngarkese fiskale, e besoj gjithashtu dhe si një përmirësim të klimës së biznesit.
Të njëjtën mundësi ligji ua jep dhe aseteve të paluajtshme të biznesit, por dhe të atyre që janë në proces legalizimi dhe që janë në proces të marrjes së hipotekës. Teknikisht kjo do të ketë sfidën e vet, por unë besoj që është shumë e realizueshme, që ata persona që janë në proces legalizimi kanë mundësi të rivlerësojnë pasurinë e tyre, megjithëse ende nuk janë në hipotekë. Çfarë do të thotë kjo nga ana teknike. Kjo do të përpunohet përmes akteve nënligjore, por parimisht, brenda dosjeve të legalizimit, tani do të mund të shtohet edhe rivlerësimi, i cili do të bëjë të mundur që në momentin që ajo pasuri e paluajtshme do të regjistrohet në hipotekë, do të regjistrohet me vlerën e rivlerësuar.
Po për pallatet që nuk kanë hipotekë dhe nuk mund të bëjnë dot rivlerësimin, si do të veprohet?
Edhe për këtë segment të tregut është dhënë mundësia në ligj. E theksoj që është sfidë nga ana teknike, por gjithsesi ne i kemi menduar edhe zgjidhjet, të cilat, për këto kategori, nuk është se janë të përkryera, por janë të mundshme.
Për bizneset, çfarë do të rekomandoni për rivlerësimin e aseteve?
Nga ana teknike do të jetë e njëjta korsi. Nëpërmjet një rivlerësuesi, një sipërmarrje mund të rivlerësojë asetin e vet, të cilin e ka me vlerë historike. Për çfarë i duhet? I duhet për kolateral për biznesin, sepse ligji i tatimit mbi të ardhurat e ka të drejtpërdrejtë mundësinë ose jo të përdorimit të vlerës në amortizim, pra që në tentativë dikush mund ta ekzagjeronte vlerën e rivlerësuar dhe ta përdorte për të ulur tatimfitimin, por këtë shteg abuzivizmi e ka mbyllur tatimi mbi të ardhurat.
Pse u vendos të bëhej pikërisht tani drafti për faljen dhe çfarë pritet të sjellë ai?
Falja është një proces dhe nuk është falje në vetvete, është një instrument nxitës. Dua që kronologjikisht të kthehem një hap prapa. Nuk është një instrument i ri, është një instrument i përdorur. Borxhi i keq është rritur në vite, në 10-15 vjet ka shkuar gati në 1.4 miliardë dollarë. Arsyet pse është rritur janë të shumta, si paaftësia paguese e sipërmarrjeve, shmangia me qëllim, procedurat e auditimit apo procedurat fiskale jo fort të qarta, abuzivizmi i administratës tatimore apo doganore. Të gjitha bashkë, nuk ka rëndësi cila më shumë apo më pak, kanë bërë të ketë borxh të akumuluar në gati 1 miliard dollarë në këto 14-15 vjet.
E theksova, që ky nuk është një instrument i ri, nuk po e shpikim ne. Por, këtë radhë është më i maturuar dhe këtë radhë është në kuadrin e formalizimit të ekonomisë dhe kalimit në një fazë tjetër të zhvillimit ekonomik.
Ka dy shtylla kryesore falja e gjobave: Nga 2011-a dhe më parë, falen të gjitha borxhet dhe detyrimet, që përkon në fakt me 5-vjeçarin e parashkrimit dhe mundësisë së kontrollit. Kjo, përveç detyrimeve të sigurimeve shoqërore, që në fakt janë të pafalshme edhe në logjikë, edhe për faktin që nuk janë të bizneseve, janë të njerëzve dhe ne nuk kemi më të drejtë apo tagër për t’ua falur atë.
Nga 1 janari i vitit 2012 dhe këtej, detyrimet që kanë kaluar në një proces të plotë konsiderimi, këtu përfshij dhe pjesën administrative dhe ligjore, u jepet një incentivë, që në këndvështrimin tim është shumë interesante dhe mund të lehtësojë shumë sipërmarrjet serioze, që realisht duan të kenë një raport të drejtë me shtetin. Dhe ajo që ndodh nëpërmjet incentivës, është që për një detyrim të papaguar, ka një ulje prej 30%. Pra në qoftë se ti paguan 70% të detyrimit, atëherë penaliteti, gjoba bie e gjitha dhe interesi i akumuluar për shkak të mospagesës së detyrimit ulet proporcionalisht me uljen e detyrimit.
Pra, siç e shikoni, nuk është një amnisti, nuk është një falje, është një incentivë për të çliruar, për të formalizuar sa më shumë biznese dhe për të sjellë nivelin e borxheve në një situatë të re shumë më të formalizuar, shumë më transparente dhe patjetër në një shifër të re, shumë më të ulët, sesa ajo që kemi sot.
Këtu kuptohet që ka një diskutim, që unë besoj se është legjitim, për atë që quhet dëmi moral (moral hazard). Për këtë arsye, për detyrimet e viteve 2012-2015 jemi fokusuar tek incentivat, pra paguaj pjesën më të madhe të detyrimit të të bien gjobat. Raporti me shtetin është gjithsesi domethënës i drejtpërdrejtë dhe kuptohet që të dyja këto iniciativa, si rivlerësimi ashtu dhe instrumenti nxitës për të ulur borxhin, atë që ju iu referuat falje, por që në këndvështrimin tim, është një kombinim instrumentesh, së bashku me paketën e procedurave që është në proces vendimmarrje – besoj që këtë javë kalon në qeveri si projektligj – kanë ndikuar psikologjikisht te sipërmarrja. Po t’i referohemi indeksit të ndjeshmërisë ekonomike ka një përmirësim prej 6.2%. Nuk është se po bëhem rob i shifrës prej 6.2%, por trendi ka një arsye dhe midis të tjerave janë dhe nismat e qeverisë për ta përmirësuar klimën e biznesit.
Amnistia
Ky nuk është një instrument i ri, nuk po e shpikim ne. Por, këtë radhë është më i maturuar dhe këtë radhë është në kuadrin e formalizimit të ekonomisë dhe kalimit në një fazë tjetër të zhvillimit ekonomik.
Nga shuma prej 1.4 miliardë dollarësh, sa është krijuar para 2012-s dhe sa pas saj dhe sa pritet të falet?
Jemi në proces llogaritje. Sigurisht që llogaritjet asnjëherë nuk mund të jenë të sakta, edhe për arsye të masave nxitëse, sepse dikush mund të pranojë të marrë incentivën, dikush mund të vendosë të vazhdojë proceset e veta në Gjykatë, Prokurori etj. Mendoj që minimalisht, gjysma e borxhit do të fshihet dhe një pjesë e mirë e sipërmarrjes do të përdorë instrumentin nxitës të pagesës së detyrimeve. Kjo do të jetë pozitive edhe për buxhetin e shtetit, edhe për sipërmarrjen, por edhe shifra e borxhit do të ulet.
Konkretisht, nga shifra prej 1.4 mld dollarë e borxhit total, rreth 350 milionë dollarë i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2011 (duhet të kemi parasysh që kjo periudhë ka pasur edhe falje të mëparshme). Pjesa tjetër, janë detyrimet e pas 1 janarit 2012, të cilat do të falen në mënyrë të pjesshme sipas skemës incentivuese, nëse paguan 70%, falet 30%.
Gjithsesi, pak rëndësi ka nëse borxhi është krijuar para apo pas 2012-s. Rrëndësi ka që fenomeni është krijuar për të njëjtat arsye që kanë qenë dikur, që i përmenda më lart.
Lidhur sërish me dëmin moral, bizneset mund të mendojnë që do të ketë sërish një falje pas katër vjetësh dhe të vijojnë të mos paguajnë detyrimet, duke rrezikuar që kjo incentivë të kthehet në një bumerang në synimin për formalizimin e ekonomisë…
E theksova që patjetër që është një lloj shqetësimi, ajo që i referohemi si “moral hazard”. Megjithatë, mendoj që shqiptarët dhe sipërmarrjet e kanë kuptuar që qeveria Rama nuk bën as shaka, as lojëra me ligjin dhe këtë instrument e ofron, sepse do që të krijojë një klimë më të përmirësuar për biznesin, por edhe si thirrje e fundit para shtrëngesës me zbatueshmërinë e ligjit.
Jemi në një proces shumë të rëndësishëm formalizimi dhe sipërmarrja duhet të kuptojë që këto janë thirrje për të përmirësuar përgjegjësitë tatimore, nuk janë thirrje për të shthurur përgjegjësitë tatimore. Kush i kupton si shthurje të përgjegjësive tatimore, sigurisht që do të ketë probleme me ligjin, në të ardhmen e afërt madje. Kush i kupton si thirrje për të ndihmuar formalizimin, sepse formalizimi dhe ekonomia dhe zbatueshmëria e ligjit po kalon në një fazë tjetër, sigurisht ata janë të fituar.
Dëmi moral
Shqiptarët dhe sipërmarrjet e kanë kuptuar që qeveria Rama nuk bën as shaka, as lojëra me ligjin dhe këtë instrument e ofron, sepse do që të krijojë një klimë më të përmirësuar për biznesin, por edhe si thirrje e fundit para shtrëngesës me zbatueshmërinë e ligjit.
Jemi në një proces shumë të rëndësishëm formalizimi dhe sipërmarrja duhet të kuptojë që këto janë thirrje për të përmirësuar përgjegjësitë tatimore, nuk janë thirrje për të shthurur përgjegjësitë tatimore.
Do të keni bashkëpunim me opozitën që ta zgjeroni në amnisti kapitali?
Në Komisionin e Ekonomisë u kërkua që të ketë amnisti kapitalesh. Është provuar si incentivë në shumë vende. Nuk jam kundër, do të isha pro. Unë besoj se nëse opozita do të vijë me një qëndrim të unifikuar zyrtar, duke thënë që ne do ta mbështesim një amnisti të mundshme kapitali, unë me kënaqësi do ta trajtoja me kryeministrin dhe në një dakordësi të mundshme me kryeministrin, do të avancoja menjëherë ndryshimet ligjore.
Ka një listë me mbi 90 mijë biznese që janë me status pasiv. Si do të veprohet me to dhe sa ndihmon amnistia në çregjistrimin e tyre?
Janë 96 mijë biznese, që prej vitit 1991. Kur them që janë që nga viti 1991 do të duhet ta kuptojmë që ka qindra e qindra parregullsi në pasivitetin e regjistruar të këtyre bizneseve ndër vite. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, shumë prej tyre janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes, shumë kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat. Sigurisht që është sfidë teknike, por besoj që një pjesë e tyre do të pastrohen edhe me këto procese që ju përmenda.
Bizneset pasive
Janë 96 mijë biznese, që prej vitit 1991. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, shumë prej tyre janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes, shumë kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat.
Do t’i pastroni dhe do të kenë mundësi të mbyllen pastaj…
Patjetër. Po ta shikoni paketën ligjore që ne kemi ofruar me ligjin e procedurave, po të shohësh momentin e mbylljes, është thjeshtuar ndjeshëm. Në të gjitha reflektimet që ka sipërmarrja, sidomos në pyetjet për “Doing business”, mbyllja e biznesit është një nga problematikat kryesore dhe në këtë këndvështrim, ne pamë këtë pjesë specifike të mbylljes së bizneseve. Në 15 vite ka qenë një torturë të mbyllësh një biznes, tani do të jetë shumë më e thjeshtë.
Ka një lloj shqetësimi me faljen, se ata që do të përfitojnë do të jenë bizneset e mëdha debitore në vite…
Jo, nuk është kështu. Një pjesë e tyre mund të përfitojnë nga incentivat, nëse do të vendosin që ta marrin. Për pjesën e detyrimeve para 2011-s, sigurisht që do të përfitojnë. Ne nuk bëjmë dallime dhe ju besoj e kuptoni shumë mirë se kur ne avancojmë me një instrument të tillë, në parim nuk mund të bëjmë diferencime që dikush e përfiton dhe dikush nuk e përfiton. Por unë besoj tek instrumenti i incentivës që do të funksionojë dhe do të bëjë të mundur që shumë biznese të lehtësohen nga barra.
Duket që ka një lloj tendence për të bashkëpunuar më shumë me biznesin, ndryshe nga fryma e krijuar vitin e kaluar. Çfarë do të synoni me paketën e re për procedurat?
Nuk është tendencë, është filozofi. Besoj edhe juve e keni parë e riparë të gjitha propozimet ligjore, edhe paketën për të cilën ne kemi avancuar. Besoj që ajo që ofron paketa e re, mbi të gjitha, është mundësia e vetëvlerësmit për tre vitet që kanë kaluar, pa penalitete. Pra, çdo biznes, çdo ditë mund të vetëkorrigjojë veten, pa asnjë penalitet, por duke paguar interesin e parasë që i ka mbajtur pa të drejtë buxhetit. E dyta është përmirësimi i procedurës së auditimit dhe në thelb të saj është njoftimi 30 ditë përpara i biznesit për auditimin e thelluar dhe brenda këtyre 30 ditëve, sipërmarrja ka mundësi që të vetëkorrigjohet, duke reduktuar penalitetin në 50% të atij që do të kishte nëse administrata tatimore do ta kishte zbuluar në procedurë dhe në kontroll. Pra dhe këtu kemi një lehtësim të madh. Mbi të gjitha është hequr instrumenti, shpesh abuzues, i surprizës, që ka përdorur administrata në rastet e kësaj natyre.
Ka dhe instrumente të tjera shumë interesante, si lehtësime që kanë të bëjnë me rimbursimin, apelin, interesat e llogaritura në favor të biznesit, edhe detaje të tjera që në fakt i ka kërkuar sipërmarrja në vite. Në filozofinë tonë është bashkëpunimi me sipërmarrjen. Ne bëmë një fushatë shumë interesante të mbledhjes së propozimeve. Na kanë ardhur 400 propozime për 50 procedura.
Ka një lloj skepticizmi, nëse do të arrini të përpunoni gjithë këto propozime…
Domosdoshmërisht po. Një nga një. Këtu ka një njësi që është marrë vetëm me skanimin e të gjithë këtyre propozimeve. Unë do t’i bëj publike të gjitha propozimet që na kanë ardhur. Po ta shikoni draftin, ka një balancë shumë interesante mes propozimeve dhe maturisë.
Në çfarë faze ka arritur lufta ndaj informalitetit dhe rezultatet?
Ne jemi në një fazë të re të luftës ndaj informalitetit dhe unë e kam theksuar dhe më parë, që ka kaluar në instrumente inteligjente. Së pari, është platforma e riskut, e cila çdo ditë e më tepër bëhet familjare në përdorim nga Drejtoria e Tatimeve. Shifrat flasin vetë, kemi 160 milionë dollarë më shumë në krahasim me 6-mujorin e vitit të kaluar, në një kohë që nuk ka ndryshim politikash, nivele taksash e tatimesh, ka vetëm efektivitet, përmirësim të administrimit dhe rritje ekonomike.
Rritjen më të lartë e kanë shënuar të ardhurat nga tatimfitimi. Nga ka ardhur kjo?
Është rritur fitimi i kompanive, është rritur xhiro e kompanive. Është shumë interesante ajo çfarë po ndodh. Po të shikosh strukturën, përpara ka qenë një fashë biznesesh shumë të mëdha, që fitonin më shumë e paguanin më shumë. Tani, kjo fashë ka zbritur në një nivel më të ulët xhiroje, pra janë sipërmarrje jo më të mëdhatë, që fitojnë më shumë, janë pak më të vogla, sigurisht jo të vogla fare, por në një nivel të mesëm xhiroje, të cilat gjenerojnë shumicën e fitimit dhe tatimfitimit. Ky është fakt. Fitimi ka zbritur nga një numër i kufizuar kompanish, në një numër pak më të gjerë.
Ka një shqetësim te bizneset se rritja e taksave dhe e energjisë i ka bërë ata jokonkurrues dhe ka shumë industrialistë, si p.sh., ata të birrës, që thonë që u leverdis më mirë të mbyllin aktivitetin dhe të importojnë. Nga ana tjetër, një pjesë e rritjes së çmimeve ka ardhur pikërisht nga rritja e barrës fiskale…
Industria e birrës është shumë interesante. Industria e birrës ka brenda ekonomi, biznes, emocione politike. Nëse i referohemi kësaj industrie ka një rritje serioze.
Nga importi…
Edhe nga importi dhe nga vendi. Edhe vendi ka kërcyer më shumë se çka kërcyer konsumi i importit, që do të thotë që raporti kërkesë-ofertë, i ekuilibruar në çmim është në rregull, pra është në kundërshtim me atë që mund të pretendohet.
Beteja me uljen e kostove nuk është një ditë, as një vit, është e përhershme. Sigurisht që sipërmarrjet janë në të drejtën e tyre kur kërkojnë uljen e kostove, por unë po ju them që çmimi i energjisë elektrike, në mesatare të vet është ulur.
Për bizneset nuk është ulur energjia, është rritur…
Reforma në energji jep mundësi që edhe në të ardhmen të mendojmë një ulje edhe për bizneset. Por, kuptohet që ka edhe burime alternative. Ne po e liberalizojmë tregun e energjisë dhe bizneset kanë mundësi që të dalin në tregun ndërkombëtar dhe kjo është shumë pozitive. Vërtet ti mund të kesh një çmim që në këndvështrim të tyre është i lartë, por liberalizimi i sistemit i jep mundësi fabrikës së birrës, nëse do, apo një fabrikë tjetër në çfarëdolloj fushe, që të dalë dhe të blejë diku tjetër. Kjo është një mundësi shumë e mirë dhe për të balancuar kostot.
Gjithsesi mbetet fakti që në afatin e shkurtër, bizneset po bëhen jokonkurrues, si rrjedhojë e politikave fiskale të ndjekura…
Në fakt, nuk është e vërtetë kjo pjesë, se nuk doja ta anashkaloja. Këtë e tregon fakti që indeksi i ndërmarrjeve është pozitiv, fakti që kompanitë e huaja sa vijnë dhe rriten, fakti që krijohen çdo ditë kompani të reja, që ka rritje ekonomike të konsoliduar, mbi 2% në vitet e vështira dhe po shkon gati 3.4% këtë vit. Vitin tjetër do të shkojë dhe 4%, nëse ne bëjmë gjënë e duhur me reformat.
Sigurisht, beteja për të qenë të konkurrueshëm nuk përfundon as sot as nesër, edhe sikur ne t’i bëjmë zero të gjitha kostot. Konkurrueshmëria ka lidhje me novacionin, ka lidhje me teknologjinë, produktin, avantazhin krahasues, pra nuk ka lidhje vetëm me një kosto.
Taksat dhe konkurrueshmëria
Beteja për të qenë të konkurrueshëm nuk përfundon as sot as nesër, edhe sikur ne t’i bëjmë zero të gjitha kostot. Konkurrueshmëria ka lidhje me novacionin, ka lidhje me teknologjinë, produktin, avantazhin krahasues, pra nuk ka lidhje vetëm me një kosto.
Sa e qëndrueshme është rritja ekonomike dhe kur pritet të kalojmë në një nivel më të lartë, pasi kemi mbetur te 3%?
Është shumë interesante kjo që thoni ju, që kemi mbetur te 3%. Jo, në fakt, ne kemi filluar te 0.8% në 2013-n, dhe jemi ngjitur në 2.2, 2.77, dhe tani po shkojmë drejt 3.4%. Tremujori i parë i këtij viti ishte shumë domethënës si rritje ekonomike, 2.96%. Tremujori i parë nuk është më i rëndësishmi nga volumi ekonomik, përkundrazi, në lëvizjen ekonomike është më modesti, edhe për faktin se investimet publike nuk janë të gjalla. Treguesit janë shumë interesantë dhe të konsoliduar, që ne do ta kalojmë 3.2-3.3%, pra besoj që do të arrijmë në 3.4%. Edhe inflacioni nuk është më në rrezik deflacioni, siç u trumbetua gjerësisht para 6 muajsh. Unë isha i vetmi që besoja që do të kishim një kurbë në rritje. Tashmë, inflacioni ka filluar të shkojë aty ku duhet, në një kurbë rritëse. Konsumi është në rritje me tre tremujorë të konsoliduar, fatmirësisht. Kemi vetëm dy sektorë që janë dobët, si industria për shkak të rënies së tregut botëror dhe të çmimit të naftës e kromit dhe bujqësia, që gjithsesi brenda vetes ka rritje, por është ndikuar negativisht nga peshkimi. Megjithatë, kërkesa e brendshme dhe investimet e huaja, tashmë dhe konsumi, janë garanci, që rritja ekonomike do të vazhdojë. Me shenjat pozitive që ka dhënë dhe kreditimi, sidomos kreditimi për individët, konsumatore dhe ajo për biznesin e vogël, janë të gjitha shenja që do të kemi një rritje ekonomike konstante, e cila do ta thyejë 3%. Është shumë mirë ta kesh rritjen 3%, por për Shqipërinë unë e quaj atë nivelin që bën diferencë njëherë e mirë. Megjithatë, e theksoj që rritja ekonomike është në trend të konsoliduar rritës, por nuk dua të lë pa përmendur risqet, duke filluar nga ato politike. Çdo lloj ekonomie kur brenda vendit ka aksidente politike, sigurisht që nuk i bën mirë. Nga ana tjetër, ekonomia është e kushtëzuar edhe nga zhvillimet rajonale dhe globale. E theksova, që ajo që është pozitive është fakti që ka një ringjallje të aktivitetit ekonomik të brendshëm edhe të investimeve të brendshme. Shenjat te punësimi janë shumë shpresëdhënëse, ka rënie të punësimit, si te të rinjtë, ashtu dhe në tërësi.
Një element shumë i rëndësishëm është që të ketë vazhdim të reformave, thjeshtëzim të procedurave. Ajo që duhet të bëjë një qeveri është që në rastin më të mirë të bëjë reformat e pafundme për të lehtësuar sipërmarrjen dhe klimën e biznesit dhe politika nuk duhet të bëjë asnjëherë veprime që dekurajojnë zhvillimin ekonomik.
Të mos harrojmë që qeverisë i është dashur të ndërmarrë një rregullim shumë të madh fiskal të rëndësishëm, patjetër edhe të dhimbshëm, për të ulur borxhin publik, për të mbajtur nën kontroll financat publike dhe për të krijuar këtë klimë në ekonomi. Të gjitha këto reforma, në kuptimin metaforik të fjalës, po paguajnë mbrapsht, po gjenerojnë zhvillim ekonomik. Vizioni dhe logjika e qeverisë ka qenë shumë e drejtë: të bëjmë reformat sado të vështira të jenë, le të jenë një sakrificë e përkohshme, sepse qytetarët do të kenë mundësi të shohin përfitimet.
Edhe reforma në drejtësi, në të gjitha aspektet, ka për të qenë një nxitje shumë interesante në ekonominë e vendit.
Nëse do të shkojmë drejt rritjes prej 4%, cilin nga sektorët mendoni që do të udhëheqin rritjen?
Patjetër industritë, sepse edhe tregu ndërkombëtar i produkteve, por edhe ekonomia globale kanë filluar të japin shenja, megjithëse shumë të dobëta të një daljeje nga kriza. Shpresoj të mos kemi aksidente politike edhe në tregun global, sepse ato ndikojnë direkt në ekonominë globale. Turizmi është patjetër një sektor tjetër, së bashku me manifakturën, tregtinë, shërbimet, që do të vazhdojnë të jenë në themel të rritjes së kësaj pjese të ekonomisë. Bujqësia, jam i bindur, që do ta përmirësojë performancën në vitet që vijnë, edhe për shkak se ky sektor e ka korrektuar tashmë të gjithë atë rregullim që e ka pasur të nevojshëm.
Besoj se në vitet në vijim do t’i shohim të gjithë sektorët në rritje. Po lider do të jetë industria, energjitë dhe ndërtimi, sepse ne tani po hyjmë në fazën e re të ndërtimit të zgjuar dhe pjesa e tregtisë e shërbimeve do të jetë shumë tërheqëse.
Rritja
Besoj se në vitet në vijim do t’i shohim të gjithë sektorët në rritje. Po lider do të jetë industria, energjitë dhe ndërtimi, sepse ne tani po hyjmë në fazën e re të ndërtimit të zgjuar dhe pjesa e tregtisë e shërbimeve do të jetë shumë tërheqëse.
Ka pasur një tendencë të buxhetit për të dalë me suficit, ndërkohë që ka një mosrealizim të shpenzimeve kapitale. Pse ky përqendrim vetëm në uljen e borxhit?
Kemi dalë me suficit jo të madh, edhe për shkak të realizimit të të ardhurave, por edhe për shkak të mosrealizimit 100% të shpenzimeve në tërësi. Diku janë kursime, diku janë ngadalësime. Mos harroni që 80% e investimeve publike janë realizuar, edhe për shkak të procesit. Tani që po rishikojmë buxhetin, po bëjmë një ekuilibër modest të investimeve, që do na mundësojë të realizojmë 100% investimet, si të huaja ashtu dhe të brendshme.
Si do të rialokohen shpenzimet?
Janë rreth 4 miliardë lekë, që rialokohen nga investimet me burime të huaja, për shkak të problematikës që shfaqin disa nga projektet, që kanë probleme administrative, jo terreni, e dyta, ka disa projekte vendi që kanë nevojë për t’u financuar, për t’u kthyer në produkte.
Nuk kemi ulur asnjë cent në planin për të ardhurat tatimore, i kemi mbajtur në nivelin e buxhetit origjinal. Do të ketë korrektime në disa ministri, pagesa të detyrimeve të prapambetura, që e kemi si detyrim primar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kryesisht në sektorin e transportit. Ky buxhet nuk prek shuma të mëdha, për shkak se kemi planifikuar mirë këtë vit.
Janë gati 1.2 miliardë lekë detyrime të prapambetura të krijuara nga punimet e infrastrukturës, të cilat do të paguhen të gjitha. Ka projekte që kanë të bëjnë me Unazën e Tiranës. Ka disa emergjenca të rrugëve që kanë domosdoshmëri për të investuar. Dhe disa projekte të vogla në shëndetësi, bujqësi (matrikulimi, spërkatja me pesticide të insekteve) dhe projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me fondin e zhvillimit të rajoneve.
Meqë u përmend FMN-ja, po mbaron afati trevjeçar i marrëveshjes. Si e planifikoni vazhdimin?
Janë ende edhe 6 muaj deri në mbarim të marrëveshjes. 6 muaj në një vit janë shumë të rëndësishëm, është gjysma e vitit. Shpresoj që pasi të kemi mbyllur me sukses këtë marrëveshje, të diskutojmë për nivelin e ri të zhvillimit ekonomik të vendit./MONITOR