Ilir Meta: Unë kam lindur majë malit dhe nuk kam frikë nga kërcënimet
Revista Mapo intervistë me Ilir Metën. E plotë.
Në fillimet e punës për reformën në drejtësi, a u ndjetë jashtë këtij procesi, ju si person dhe LSI-ja si forcë politike?
Abosulisht që jo. Madje kam pasur një propozim që si Kryetar i Kuvendit ta drejtoja unë këtë reformë apo këtë komision mbipartizan, gjë që unë nuk e pranova për të vetmen arsye që të mos ndjehej opozita e provokuar politikisht.
Për të shmangur çdo pretekst të opozitës ne spostuam dhe Ministrinë e Drejtësisë, vendosëm të krijojmë Komisionin e Posaçëm në Parlament.
Qëllimi, që në fillim, i kësaj reforme ka qenë përfshirja e opozitës dhe arritja e konsensusit me të. Ky ka qenë dhe do mbetet standarti më i rëndësishëm për legjitimitetin dhe besueshmërinë e reformës.
Pse do të ndjehej e provokuar opozita prej përfshirjes suaj?
Epo, të mos harrojmë që opozita u mërzit shumë për rritjen e LSI-së në zgjedhjet vendore dhe shpërtheu me një lumë akuzash ashtu siç kishte shpërthyer më parë, në Parlament, edhe ndaj meje me akuza për vrasje.
Kështu që mendova se nuk ishte një moment i favorshëm për të ofruar konsensus ndërmjet pozicionit tim për këtë reformë.
Dhe qëndruat si vëzhgues i jashtëm. Si ndjeheshit në këtë pozicion?
Që prej ditës së parë e deri në mesnatën e 21-22 korrikut qëndrimi im ka qenë që kjo reformë duhej bërë me konsensus dhe sipas standardeve të Venecias. Kam theksuar se Venecia është gjykatësi më i mirë për cilësinë dhe standartet e reformës, sepse është institucioni më i gjithëpranuar në gjithë Evropën dhe botën demokratike për standartet e kushtetutës.
Ne për çdo mosdakordësi në vend i jemi drejtuar Komisionit të Venecias pavarësisht se kush ka qenë në pushtet e kush në opozitë.
Pra, Venecia është gjykatësi i pakundërshtueshëm nga askush.
Vëzhgimi në distancë nuk do të vazhdonte dot gjatë. Ndodhi një ditë të diel korriku që dolët në front e lëshuat deklaratën e fortë që e tronditi jo pak Tiranën. Përtej gjithë qetësisë që ju karakterizon ndjehej nervi ndërsa flisnit për dorëheqjen tuaj e të gjithë ministrave të LSI-së, për qeveri teknike, për gadishmëri burgu, për sjellje heroike si Mujo Ulqiniaku…. Çfarë ju kishte nxehur kaq shumë?
S’ishte nerv. Ishte një thirrje për përgjegjshmëri të të gjithë politikanëve. Ndjeva se kishte një përpjekje për ta konceptuar procesin si një revolucion kulturor në drejtësi. Gjykoj se gabimi më tragjik i Enver Hoxhës në politikën e jashtme ishte pikërisht pse mori anën e revolucionit kulturor dhe jo atë të reformatorëve. Shqiptarët e njohin këtë revolucion dhe më kuptojnë mjaft mirë kur them që dhe ky proces po konceptohej si i tillë ndërsa po përdorej populizmi, presionet, shantazhet, provokimet… Nuk po analizohej se si do t’i zgjidhte në të vërtetë problemet kjo reformë. Diskutohej vetëm kush është pro e kush kundër por asnjëherë rruga që do të garantonte një reformë të sigurtë që nuk do të dështonte.
Kur vendosët të dilnin në këtë deklaratë, si për të shpallur tashmë përfshirjen tuaj të drejtpërdrejtë në këtë proces, a nuk e menduat më atë provokimin e opozitës, prej të cilës zgjodhët në fillim distancimin?
S’kishte më kohë për provokime. Ajo deklaratë synonte të evitonte përjashtimin e konsensusit, të cilin e kuptova qartë në takimin që pata me zotin Basha më 12 qershor, ku kuptova që ai kishte vetëm një pretendim serioz, për një çështje parimore, për rekomandimin 88, ku më garantoi se në rast se ky pretendim do të zgjidhej atëherë PD do ta jepte konsensusin e saj.
Unë kam kërkuar që kjo çështje të zgjidhej, pasi solla këtu ekspertët për drejtësinë, ndër më të mirët nga SHBA. Pas takimeve që ata patën me drejtuesit e opozitës si dhe me ekpertët ndërkombëtarë në Tiranë, më siguruan që pretendimi i opozitës ishte plotësisht i drejtë dhe legjitim. Fakti tregoi më pas se opozita i rifitoi këto të drejta, pasi deri në ditën e fundit, pra më 21 korrik, u saktësua një formulë që e bënte atë më të qetë, që të mos i cënohej e drejta e përfshirjes në këto procese.
Disa media e komentuan këtë si dalje me qëllim për ta bërë veten dhe LSI-në, edhe një herë, faktor të rëndësishëm në një moment kaq të rëndësishëm…
Unë nuk kam kërkuar asjëherë që të bëhem faktor por askush nuk më përjashton dot nga angazhimi për stabilitetin e vendit sidomos kur ky stabilitet cënohet seriozisht. Unë kam deklaruar që në fillim se do të votojë cdo refomë, sipas standarteve të Venecias.
Nga ana tjetër kam bërë të qartë se në rast se opozita, sikurse ajo paragjykohej, se nuk e donte këtë reformë e nuk do ta jepte asnjëherë konsensusin, vërtetë nuk do të votonte, atëherë ne do ta votonim edhe në mungesë të saj.
Do të ishte përgjëgjësia e saj nëse do të zgjidhte të vetëpërjashtohej, sic e bëri këtë gabim për reformën administrative territorial.
Në rast se sot bëjmë një retrospektivë shohim se opozita pavarsisht se u përfshi me vonesë, dha një kontribut shumë të madh, (siç e përmendi dhe presidenti i Komisionit të Venecias), në përmirësimin e drafteve të para, të cilat linin për të dëshiruar.
U bë shumë aktive edhe pse ndoshta nuk ka qenë shumë racionale, duke krijuar shumë keqkuptime e duke bërë dhe gabimin e madh, mosdokumentimin e negociatave në mënyrën e duhur zyrtare dhe institucionale.
Opozitës ja faturoni këtë gabim?
Po, asaj në rradhë të parë. E veç kësaj mendoj se ky proces duhej të kishte qenë më transparent e më institucional e se duhej të ishte zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë, gjithmonë e pa ndërprerje, sepse ky ishte dhe qëllimi i komisionit të përbashkët.
Megjithatë tani është e rëndësishme që më në fund kemi një rezultat shumë pozitiv, një votim me konsensus. Gjithçka tjetër le të shërbejë si një mësim për të gjithë e të kuptojmë se si mund t’i bëjmë më mirë reformat në të ardhmen.
Ju thatë në atë dalje se ishit gati për të shkuar i pari edhe në burg. Për cfarë do të ishit gati, përderisa prej cështjeve të hapura si ajo e floririt të vjedhur, e aferës CEZ- DIA…kishit dalë i pastër? Historinë e bllokut e të Dritan Priftit përshembull e fituat me rezultatin 5-0…
Nuk ka asnjë cështje ndaj meje. Të gjitha cështjet kanë qenë politike dhe s’kam pasur asnjëherë shqetësim prej tyre. Gjithmonë kam dhënë shembullin se si mund të përballohen me kurajo qytetare e politike edhe procese të tilla. Jam trajnuar nga zoti Berisha që në vitin 1992 kur isha isha 23 vjeç, si i pari deputet opozitar që m’u hoq imuniteti e që kërcënohesha çdo ditë me burg për të ashtuquajturën kryengritje të Poliçanit. Kështu që mua nuk më shqetësojnë aspak akuzat e çështjet që hapen në emërin tim. Nuk kanë lindur ende në këtë botë burra, vendas apo ndërkombëtarë që të shantazhojnë Ilir Metën si politikan. Ndaj deklarata ime për gadishmërinë e burgut kishte të bënte me atë retorikë që po vriste konsensusin, me retorikën “hajde na jepni konsensusin por kini parasysh se do të shkoni në burg”.
Unë deklarova se gadishmëria për të treguar vullnet për reformën e konsensusin është se çdo politikan, duke nisur nga unë i pari të thotë: Po unë jam gati të shkoj edhe në burg meqënëse kjo reformë filloi si revolucion kulturor, ku fjala kyçe ishte burg dhe eliminimi i kundërshtarit.
Pasi reforma u votua me konsensusin e kërkuar aq shumë edhe nga ju, nën zë por edhe publikisht u formatua mendimi se nëse s’do të ishte Meta vështirë se ky votim mund të arrihej…
Mendoj se reformën duhet t’ia dedikojmë qytetarëve shqiptarë, madje ua kemi detyrim atyre për drejtësinë e munguar e për pasiguritë që ndjejnë. Nëse 91% e shqiptarëve e donin reformën në drejtësi, jam i bindur se 100% e donin me konsensus e me paqe sociale, sepse ky vend nuk e ka më luksin t’i thyhet edhe një xham i vetëm i institucioneve publike apo kioskave private për shkak të tensonit të panevojshëm politik.
Besoj se konsensusi ishte një domosdoshmëri për të cilin luftuan shumë faktorë të rëndësishëm, brenda dhe jashtë vendit e kjo ishte e vetmja e rrugë që ndihmon Shqipërinë të ecë përpara. Unë mora porosi në nivele të larta në Uashington, si kryetar parlamenti, për të bërë cdo gjë deri në arritjen e një marrëveshje, që reforma kushtetuese të miratohej brenda muajit korrik.
Ndihmës sekretarja Nuland erdhi në Shqipëri në mënyrë të posacme për ta futur procesin në rrugën e konsesusit. Pas saj pati lëvizje për propozime kompromisi.
Nuk duhet të harrojmë dhe angazhimin e komisionerit Hahn, i cili ndërhyri pranë drejtuesve të opozitës dhe aktorëve të tjerë politikë në vend dhe sqaroi disa çështje të rëndësishme, që e afronin konsensusin. Pra, pati një angazhim të përgjithshëm brenda e jashtë vendit.
Përse keni theksuar se është më i rëndësishëm konsensusi se sa reforma?
Ja përse konsensusi është më i rëndësishëm se sa vetë reforma në drejtësi.
Akush nuk mund të thotë se Kushtetuta e re që ne miratuam më 21-22 korrik është më e mirë e më cilësore se Kushtetuta e miratuar në vitin 1998.
Por për shkak të konfliktit politik dhe ndërhyrjeve politike të njëanshme në sistemin e drejtësisë ne konkluduam se ky sistem i dështuar duhej riorganizuar nga themelet përmes një reforme mjaft të vështirë dhe komplekse, e madje edhe të sforcuar.
Në këto kushte mbetet vendimtare klima e re politike përmes konsensusit për të mos trysnuar politikisht ndaj inistucioneve të reja që do të krijohen. Vetëm një sjellje e tillë mund të garantojë suksesin e kësaj reforme, përndryshe në rastin më të mirë do të qëndrojmë në vendnumëro.
Ndaj konsensusi i mesnatës së 21-22 korrikut mbetet një shpresë e madhe që duhet të vazhdojë në mënyrë që reforma të mos kthehet në një zhgënjim të madh për qytetarët tanë dhe për partnerët ndërkombëtarë.
Edhe të ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së në Tiranë, të cilët ju i falënderuat në parlament, apo jo?
Patjetër, pasi angazhimi i Ambasadorëv të SHBA, Lu dhe BE-së, Vahutin ka qenë evident nga dita e parë e deri në ditën e fundit të arritjes së marrëveshjes.
Ndërkohë herë pas herë ka pasur fjalë se marrëdhëniet tuaja me Abasadorin Lu nuk kanë qenë shumë të mirë dhe sikur ju ishit target i kësaj reforme të mbështetur nga SHBA?
Unë nuk merrem me thashethemet e kafeneve dhe rrugëve të Tiranës.
Marrëdhëniet e Ilir Metës me SHBA-të nuk kanë qenë dhe nuk do jenë asnjëherë marrëdhënie konjukturale të udhëhequra nga interesa personale apo momentale.
Përkundrazi, ato kanë qenë dhe do të jenë marëdhënie që u shërbejnë interesave strategjike të dy vendeve, por edhe të shqiptarëve në rajon.
Nuk ka asnjë rast kur Ilir Meta të ketë marrë një angazhim para SHBA-ve dhe të mos e ketë çuar deri në fund.
Besoj se kjo ka ndodhur edhe në rastin e reformës në drejtësi, ku kontributi i Ambasadorit Lu ka qenë shumë i domosdoshëm.
Nëse unë nuk i ekspozoj më tepër takimet me Ambasadorin kjo ndodh sepse nuk dua të keqpërdor imazhin e tij si përfaqësues zyrtar i SHBA-ve. Por bashkëpunimin tonë në substancë mund ta vlerësoj të shkëlqyer.
LSI-ja ishte e para forcë politike që iu përgjigj thirrjes publike të Ambasadorit Lu për transparenën e financave të partive që në nëntor të vitit të kaluar. Shpresojmë që edhe partitë e tjera ta bëjnë këtë.
Po kështu, LSI ka qenë përkrahëse e vendosur për procesin e dekriminalizimit dhe moskandidimin e asnjë individi të dyshimtë për zgjedhjet vendore.
Dhe LSI-ja do të thellojë angazhimin e saj për dekriminalizimin në maksimum për të garantuar integritetin e përfaqësuesve të saj në çdo nivel.
LSI-ja do të mbështesë dhe do të ndërmarrë çdo nismë që thellon transparencën e qeverisjes dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
LSI-ja do të kontribuojë për transparencë maksimale për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto janë kërkesat e radhës së SHBA-ve, ndaj politika shqiptare dhe LSI-ja do të angazhohen fuqimisht për suksesin e këtyre nismave. SHBA-të duan një Shqipëri më të qëndrueshme e më të sigurt si aleate kyçe e tyre për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Ndaj suksesi i reformës në drejtësi dhe sukesi i nismave të tjera që e forcojnë shtetin ligjor në Shqipëri ndihmojnë për ngritjen e Shqipërisë në parametrat e kërkuar nga SHBA, NATO dhe BE. Dhe për këtë LSI është e përkushtuar seriozisht.
E megjithatë, Rama në emër të PS-së dhe Oerd Bylykbashi në emër të PD-së e përshëndetën reformën secili si fitore të partisë së vet dhe u duartrokitën si në ato kohët e kongreseve të para. Ndërsa ju nuk e bëtë këtë gjë. Pse?
Nuk kishte asnjë arsye për ta bërë. Ne si grup parlamentar vendosëm të mos flisnim sepse në atë moment fliste vetë konsensusi për të cilin kishim luftuar aq shumë. Çdo diskutim tjetër do të ishte i tepër dhe i panevojshëm.
Ndaj u larguat nga salla e Parlamentit në momentin kur filloi të fliste Rama? Ju duk i tëpërt ai fjalim?
Jo, s’ka lidhje me këtë çështje largimi im prej sallës në atë moment. U largova sepse duhej të përgatitesha për çështjen e votimit, në mënyrë që të mos bëhej asnjë gabim, sepse ishte votim shumë delikat e historik.
Duhej të konsultohesha me këshilltarët e mi për procedurën e votimit, e cila do të fillonte menjëherë pas fjalës së Kryeministit Rama.
A po e kërcënoni ju Ramën me deklaratat e lëvizjet tuaja politike të këtyre ditëve?
Unë nuk bëj e nuk kam bërë kërcënim ndaj askujt. Ajo që vazhdoj të them është se kam kërkuar konsensusin sipas standarteve të Venecias. Kam kërkuar që të ketë një takim të nivelit të lartë mënjehërë pas rekomandimit final të Venecias, që të bëheshin të qarta dallimet e të mos kishte keqkuptime, mbi qëndrimet e njërit apo tjetrit aktor.
Asnjë takim i tillë nuk ndodhi e kjo jo për fajin tim.
Gjithsesi unë kisha përgjëgjësi jo vetëm politike por në rradhë të parë institucionale si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë ndaj nuk mund të pranoja që konsensusi të mos arrihej kur ne ishim aq pranë tij, e aq më shumë kur isha i ndërgjegjshëm për pasojat e rrezishme për stabilitetin e vendit që mund të vinin prej dështimi të konsensusit për këtë reformë madhore.
Për ç’pasoja të rrezikshme e keni fjalën? E keni fjalën për listën e zezë ku do të hynte Shqipëria nëse s’do votohej reforma, apo për më keq se kaq?
Nuk mund të pranoja një proces të diskutueshëm dhe të dyshimtë të miratimit të Kushtetutës, pasi çdo votim pa konsensusin e opozitës do ta përshkallëzonte konfliktin politik në vend, do të ndërpriste dialogun politik në vend e pa dialog politik nuk mund të ketë asnjë hap përpara për integrimin evropian, pra do të aksidentohej edhe ky proces jetik i integrimit.
Ajo çfarë ishte shqetësim serioz ishte fakti se nuk kishim të bënim me një ndryshim të thjeshtë të Kushtetutës, por me një ribërje të re të saj e duke pasur parasysh se ne jemi një parlament që duhet të ecim përpara me procesin e dekriminalizimit e me çështje të tjera që kanë të bëjnë me integritetin e parlamentit dhe anëtarëve të tij bëhet e qartë se sa pikëpyetje të mëdha do të vendoseshin për legjitimitetin e kësaj reforme.
Meqenëse jemi tek ndryshimet kushtetuese. Ato që u bënë në vitin 2008 u deklaruan si të gatuara nga pakti Berisha-Rama, enkas për t’ju goditur ju dhe partinë tuaj. A është reforma në drejtësi një përpjekje e dytë, këtë herë vetëm e Ramës, për t’ju goditur sërish ju dhe partinë tuaj?
Gjithmonë sa herë dëgjoj histori dhe paragjykime të tilla ndjej keqardhje për të gjithë ata që nuk më kanë njohur akoma as mua e as LSI-në.
Unë e kam bërë të qartë se nëse ka ndonjë politikan që nuk ka shqetësim as nga drejtësia e pavarur e as nga drejtësia politike ai është Ilir Meta. Së pari nga drejtësia e pavarur jo e jo, sepse s’kam shkelur asnjëherë ligjet e vendit tim, as ato evropiane, amerikane e asnjë ligj ndërkombëtar.
Së dyti nga drejtësia politike nuk shqetësohem fare, jo vetëm pse më ka kalitur Sali Berisha, që në ‘92 me procese politike, por dhe sepse kam kuptuar se përderisa Fatos Nano – që u burgos politikisht, në kulmin e fuqisë së Berishës e të mbështetjes së jashtëzakonshme amerikane dhe evropiane në ato kohë, kur Shqipëria kishte vetëm një televizion shtetëror që kontrollohej totalisht prej Berishës, kur Partia Socialiste ishte më e paragjykuara në botë si ish-komuniste, e kur pastaj Berisha humbi në mënyrën më spektakolare referendumin për të cilin besonte se do të fitonte bindshëm, pasi mbushte gjithë sheshet e Shqipërisë përmes presionit, e më pas siç dihet nuk doli një javë nga shtëpia i trishtuar prej votës së popullit që i stërvuajtur nga komunizmi i tipit koreano-verior nuk mund të pranonte të kthehej përsëri në një sistem të frikës e të persekutimit politik.
Pra, kur Fatos Nano, i lindur në mes të Tiranës e përballoi me aq sukses burgun politik e kjo mendoj se është periudha e tij më e lavdishme nga pikëpamja politike – padyshim që për mua, që kam lindur në majë të malit, burgu është shumë më i lehtë dhe motivues për rritur më tej LSI-në dhe mbrojtur demokracinë në vend.
Deklaratat e fundit prej aktorëve të ndryshëm të PS e LSI-së po e bëjnë çdo ditë e më të qartë ftohjen mes dy partive. Në fakt unë dua një qëndrim tuajin, çfarë po ndodh në të vërtete mes jush?
Qëndrimi i Petrit Vasilit besoj se ka qenë mjaft i qartë. Kemi qenë shumë të qartë me Partinë Socialiste për gjithë qëndrimet tona, në lidhje me reformën, ashtu sic kemi qenë dhe me të gjithë aktorët e tjerë në këtë proces, me kryetarin e opozitës Lulzim Bashën e me përfaqësuesit ndërkombëtarë kudo në Tiranë, Uashington, Bruksel e kudo tjetër. Qëndrimi i LSI-së është i palëvizshëm, sepse kemi pasur që në fillim bindjen se kjo është një cështje kombëtare, që i kalon interesat e cdo force politike apo koalicioni.
Kjo do të thotë se dhe mund ta prishë një koalicion?
Përkundrazi, situata e re e ndihmon koalicionin të funksionojë më mirë e në një klimë më të qëndrueshme politike falë konsensusit për reformën.
Thuhet se Rama po ju sulmon juve, duke pushuar nga pozicione drejtuese, të rëndësishme, disa figura të LSI-së. E vërtetë ?
Nuk kam asnjë koment për këto lloj komentesh. Për LSI-në është i rëndësishëm stabiliteti, integrimi evropian e përmirësimi i qeverisjes së vendit. LSI nuk mendon se drejtuesit e saj janë perfekt dhe të pazëvendësueshëm, në cdo lloj niveli, përfshirë edhe mua, kështuqë duhet të jemi gjithmonë në situatë reflektimi e përmirësimi.
Në disa profile politike që i bëhen Ramës ju shohin juve si mentor e mbështetës të tij, që i keni dhënë dorë të bëhet kryetar Bashkie atëherë kur dolët dhe duke luajtur sëbashku tek këndi i lojrave, apo edhe kryeministër në 2013-ën… A është i saktë ky këndvështrim?
Nuk dëshiroj të bëj komente në këtë pikë, sepse z. Rama është një figurë mjaft publike, ashtu sikurse jam edhe unë. Ajo cfarë mund të them është se unë jam përpjekur t’u jap mundësi të gjithëve atyre që kanë dëshirë të bëjnë dicka të re e të tregojnë aftësitë e tyre dhe s’jam lodhur asnjëherë së bëri këtë.
Për shumëkënd e gjithë kjo zhurmë për reformën që zgjati e zgjati me ditë e netë kishte dhe qëllimin për të sfumuar vëmendjen nga problemet e mëdha me ekonominë, sigurinë e korrupsionin që ka ky vend. Në c’gjendje jemi vërtetë?
Besoj se kemi harxhuar energji të panevojshme me këtë reformë të cilën mund ta kishim realizuar në një mjedis shumë më demokratik e shumë më të civilizuar. Duhej të kishim ndihmuar opinionin të përqëndrohej më shumë tek cështjet që do të zgjidhë e në garancitë që do të japë kjo reformë. Gjithsesi tani duhet të sigurojmë dhe vazhdimin me sukses të procesit për zbatimin e reformës që votuam me konsensus sepse ne gjithmonë kemi çaluar te zbatimi.
A parashikoni ndonjë rrezik në cështjet e 7 ligjeve?
Jo, po pnojmë në mirëkuptim e frymë konstruktive. Të gjithë janë të angazhuar për të kontribuuar për arritjen e rekomandimit pozitiv për hapjen e negociatave sa më parë.
Nuk më thatë a ka probleme në ekonominë e sigurinë e vendit, sipas jush?
Padyshim që problemet ekzistojnë dhe ne duhet të pëqëndrohemi sa më shumë në këto çështje. Mendoj se dhe këto ditë duhet të lëmë më shumë eskpertët që të merren me reformën që tashmë ka marrë drejtimin e duhur, ndërsa qeveria dhe institucionet të merren me turizmin dhe cështjet e tjera që preokupojnë qytetarët.
Cila ka qenë beteja më e fortë politike e juaja, përgjatë gjithë këtyre viteve, ndaj Nanos, Berishës apo Ramës?
Të gjitha betejat dhe bashkëpunimet e mia kanë synuar mbrojtjen e institucioneve, stabilitetin e vendit dhe përparimin e integrimit europian.
Cila ka qenë dilema juaj më e madhe politike në gjithë këto vite?
Kur më duhej të vendosja nëse duhej të krijohej apo jo një forcë e re politike, pra LSI-në.
Pse kjo dilemë? E kishit ju brenda vetes apo prej kundërshtive të të tjetëve?
Në rradhë të parë ishte dilemë brenda meje sepse ndjeja që më duhej kohë për t’u bindur nëse do të ishte ky vendimi I drejtë.
Investimi im në Partinë Socialiste ka qenë shumë i madh ashtu si dhe i socialistëve ndaj meje, kështu që s’dija nëse do të bëja lëvizjen e duhur po të hyja në një rrugë që sigurisht do të kishte shumë të papritura, duke pasur në konsideratë se deri atëherë ishin krijuar shumë parti të reja në Shqipëri, suksesi i të cilave kishte qenë mjaft i kufizuar e i përkohshëm.
Me kë u konsultuat, për ta marrë më në fund atë vendim?
Më ka bërë shumë përshtypje këshilla e një profesori të nderuar, i moshuar në atë kohë, e që sot për fat të keq nuk jeton më, ish-Rektorit të Universitetit Bujqësor, profesor Syrja Hysit, me prejardhje nga një familje shumë e nderuar e patriote e Skraparit. Në ato kohë kur diskutohej rreth krijimit të partisë së re e kur kishim shpallur lëvizjen brenda PS-së me të gjithë përkrahësit e idesë për reformim apo për shkëputje në rast të mosreflektimit nga lidershipi i PS-së, ai kërkonte takim me mua, me insistim.
Unë nuk kisha ndonjë njohje të veçantë me të, por kisha dëgjuar fjalë shumë të mira dhe e dija se çfarë përfaqësonte dhe e prita duke menduar se ai do të kishte ndonjë hall që do të më kërkonte t’ja zgjidhja unë.
Kur e pyeta se ç’hall e solli tek unë më tha: “Unë kam hallin tënd. Kështu siç vajtën punët në Partinë Socialiste ti ke vetëm dy rrugë ose të ikësh në shtëpi e të shikosh punët e tua ose të ecësh përpara e të bësh dicka të re, sepse nuk mund të rrish atje ku s’dëgjohesh më. E në rast se do të vendosësh të ecësh përpara, unë pensionist jam, por po t’u desh ajo firma ime si nismëtar, e ke që sot”.
Ky është një moment që ka ndikuar jo pak tek unë, për faktin se kjo këshillë nuk vinte nga një i ri apo nga dikush që kishte një interes të drejpërdrejtë politik, por vinte nga një njeri me shumë përvojë, i mençur e objektiv. Dhe unë them se ai kishte të drejtë.
Sepse vërtetë ju nuk kishit hyrë në politikë për të mos u dëgjuar…
Patjetër që jo. Unë kam hyrë në politikë që të dëgjoj dhe të dëgjohem.
Cila është e ardhmja e LSI-së?
E ardhmja e LSI-së mendoj se është e qartë e se do të jetë në çdo rast faktor më i rëndësishëm për stabilitetin dhe integrimin evropian të vendit.
A mund të bëhet faktor, nxitës dhe për zgjedhjet e parakohëshme që po përfliten shumë këto ditë?
Reformën në drejtësi ne nuk e përziejmë me zgjedhjet e me koalicionin. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Sepse reforma është një cështje shumë më e madhe, e një rëndësie kombëtare e madje dhe ndërkombëtare, kështu që koalicioni duhet të vazhdojë, të përmbushë objektivat e tij, pritmëritë e qytetarëve.
Pa e përzierë me reformën, a do të ketë zgjedhje të parakohëshme?
Nuk shoh ndonjë arsye për zgjedhje të parakohëshme, madje gjithë ai keqkuptim apo keqpërdorim i propozimit tim që të votohet reforma e mbas me qeveri teknike të shkohej drejt zgjedhjeve kishte të bënte me faktin se mungesa e konsensusit vinte nga mosbesimi dhe shqetësimi i opozitës se qeveria mund të përdorte pushtetin ekzekutiv për të ndikuar në kapjen e sistemit të ri të drejtësisë.
Ndërkohë që nga ana tjetër kryeministri Rama kishte bërë të qartë se për të s’ishte më e rëndësishme qeveria, por reforma.
Kështu që propozimi im ishte për një rast ekstrem, për të mos sakrifikuar reformën për këtë arsye mosbesimi…
Keni krijuar profilin e një politikani, liderit kryesisht të matur, të qetë, që di të ruajë ekulibrat por edhe të dorëhiqet denjësisht… por në memorie ruhet gjithsesi dhe ai momenti i hedhjes mbi tryezat e parlamentit drejt Jozefina Topallit. Cfarë e bën Metën ta humbasë ashtu arsyen?
Ishte një padrejtësi shumë e madhe, në emër të një kodi që po bëhej për të përjashtuar LSI-në. Pra padrejtësia është e vetmja gjë që më irriton më shumë. Por prej atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar e këto janë eksperienca që më ndihmojnë për të menaxhuar më mirë edhe emocionet e mia.
A ka pasur momente të tjera, jo publike, kur e keni humbur po aq arsyen, pikërisht prej ndonjë tjetër padrejtësie?
Nuk është cështja e humbjes së arsyes por e reagimeve që ndoshta mund të ishin edhe më të përmbajtura.
A keni humbur miq e bashkëpunëtorë gjatë jetës suaj politike, për të cilët ju vjen sot keq?
Nuk besoj se kam humbur ndonjë mik të vërtetë gjatë gjithë jetës e angazhimit tim politike, sepse për mua miqësia, ashtu si dhe fjala e dhënë, është e shenjtë. Nëse kam humbur bashkëpunëtorë përgjatë këtij rrugëtimi besoj se ka qenë e qartë se nuk kanë besuar aty ku unë kam besuar dhe kanë dashur të më drejtojnë mua sipas interesave të tyre të çastit.
Duke qenë se e keni nisur politikën që në rininë e hershme a mendoni se kjo lloj jete ju ka privuar nga disa gjëra që do t’i kishit shijuar apo bërë ndryshe, nëse s’do kishit këtë histori politike?
Po të mos isha në politikë do të kisha bërë mrekullira.
Të tipit?
Kam bindjen se në cdo drejtim. Por ja që angazhimi politik më detyron ndaj njerëzve dhe vendit se kam një eksperiencë, e cila më bën të ndjejë shumë përgjegjësi e të mos mendoj dot kurrë për zgjidhje personale.
A më thoni dot vetëm një nga mrekullitë që mund të kishit bërë?
Nuk dua të flas për mrekulli që nuk kanë ndodhur.
Ndoshta do të kishit mundur t’i kushtoheshit më shumë familjes, kohën për të cilën tani jua merr politika, apo jo?
Po dhe e vlefshme në këtë rast është shprehja se njeriu rri më pak me ata që do më shumë.
E besoj se ju vjen keq për këtë…
Më vjen shumë keq por mendoj se është një sakrificë e detyrim ndaj të gjithë atyre që na kanë mbështetur e përkrahur e për të cilët duhet të bëjmë edhe më shumë.
Pas votimit të reformës a kërkuat qetësinë në det, tek shtëpia e verës në Gjirin e Lalzit apo kund tjetër?
Të them të drejtën nuk mbaj mend asgjë sepse kanë qenë zhvillime mjaft dinamike. Mbaj mend që jam lumturuar aq shumë sa kur pashë që votimi shkoi 140 vota, aq sa nuk e kishte menduar askush, u tremba se mos do të shkonte 141. Nuk kam pasur dot asnjë moment qetësie më pas sepse më duhej të isha në udhëtim në mënyrë të vazhdueshme e shpresoj t’i gjej së shpejti disa ditë qetësi.