Ku ka qenë Antigonea?
Antigonea ka qenë qytet i Kaonisë në Epir, i përcaktuar në rrënojat e kalasë së Jermës, në jug të Saraqinishtës (Gjirokastër). Antigonea u themelua në fillim të shek.III p.e.s. dhe zinte një sipërfaqe 45 ha. Gjatë gërmimeve të bëra në vitet 1966-1975 janë zbuluar pjesë nga lagjet e qytetit që përshkoheshin nga rrugë të drejta e të kryqëzuara nga një rrjet kanalesh. Janë zbuluar dhe punishte zejtarësh e shumë prodhime të tyre. Monedha të Dyrrahut, Apolonisë, Orikut, Epirit, Ambrakisë, Maqedonisë, Korintit etj. dëshmojnë për lidhjet e gjera të qytetit. 14 tesera me fjalën Antigonea shërbyen për të përcaktuar emrin e qytetit. Antigonea u shkatërrua në mesin e shek.II p.e.s. nga një zjarr i madh dhe nuk u rimëkëmb më.