Lorka, poeti i përbotshëm
Lindi në Funte Vaqueros (Granada) në Spanjë më 6 qershor të vitit 1898 dhe u pagëzua me emrin Federiko del Sagrado Corason de Jesus Garsia Lorka. Babai i tij, Don Federiko Garsia Rodriges, ishte një fermer, kurse nëna e tij Donja Visenta Lorka, mësuese që i dha të birit një shije finoke letrare. Që kur ishte 2 vjeç, sipas biografit Edwin Honig, Garsia Lorka ishte i zhdërvjellët në mësimin e këngëve popullore. Kishte shëndet të dobët dhe nuk mundi të ecte para se të mbushte 4 vjeç. Lexoi në shtëpinë e tij veprën e Viktor Hygo dhe të Cervantes kur si nxënës ishte i dobët në mësime. Studio letërsi në Universitetin e Granadës dhe muzikë me Manuel de Falla. Salvador Dali, Luis Bunjuel dhe Andre Breton, ishte trianguli, i cili ndikoi në ngjizjen surrealiste të Lorkës.
Por romantizmi i Granadës, ku ndihej gjallë trashëgimia arabe, folklori i orientit dhe një gjeografi e shumëllojtë , nuk kishin si të mos zinin vend në shpirtin dhe më pas në të gjithë veprën e tij poetike. Në vitin 1917 shkroi artikullin e tij të parë për Jose Zarrilla, në kujtim të tij.
“Unë jam një spanjoll integral dhe për mua është e pamundur të jetoj jashtë kufijve të mi gjeografikë; urrej të jem spanjoll për spanjoll; unë jam vëlla me të gjithë dhe adhuroj njeriun që sakrifikon për një ide nacionaliste, abstrakte, për të vetmin fakt se do vendin e tij. Një kinez i mirë është më afër meje se një spanjoll i keq. Këndoj për Spanjën dhe e ndiej atë në çdo qelizë, por përpara kësaj jam njeri i botës dhe vëlla i të gjithëvë”, shkruante Lorka, i cili me gjithë jetën e shkurtër udhëtoi shumë nëpër botë, si në Argjentinë, Uruguaj, Kubë, SHBA, etj .
Dhe jo pak nga udhëtimet e tij u bënë subjekt i shumë poezive të Lorkës. Janë me mijëra vargjet e shkruara nga Lorka, të përkthyera sot në qindra gjuhë, sikundër dhe dramat e tij zenë vend sot në repertorin e artë të teatrove anekënd planetit.
Impenjimi politik i Federico Garcia Lorkes, por edhe fundi i tij i tmerrshëm, fund i cili i takon dramës së luftës së Spanjes(1936) e bënë pa diskutim Lorkën një ndër protagonistët e shpirtit të Europës, dhe një ndër simbolet e lirisë.
Lorka, ky fragment universal i Mesdheut, i njohur nga të gjithë, është artisti që diti të lidhte kulturën e pakicës me kulturën e të gjithëve.
Të gjitha manifestimet që organizohen sot në botë janë manifestime të një forme reale dhe sureale, me marioneta dhe me një lojë të teatrit pikerisht siç e dëshironte Federiko Garsia Lorka.
I njohur në Shqipëri që në vitet ’30 të shekullit të kaluar, atëhere kur disa shqiptarë morën pjesë në Luftën Civile të Spanjës, Lorka njihet tek ne si poeti i dhimbjes njerëzore dhe poeti i revoltës.
Një film me disa seri, i transmetuar nga televizioni shteteror në vite të ndryshme, i njohu shqiptarët me jetën e këtij poeti, i cili i thuri vargje me shume se kujtdo edhe ciganeve që jetojnë nën dritën e hënës dhe bëjnë fëmijë nën ajrin e paster.
Drama, gjinia që Federiko Garcia Lorka e lëvroi me origjinalitet të paarritshëm, njihet në Shqipëri nga vënia në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar , “Shtëpia e Bernanda Albës”. Por edhe pena e shkrimtarit Petro Marko, i ka dhënë rast lexuesve shqiptarë të njohin krijimtarinë poetike të Lorkës, këtij fenomeni spanjoll, por i përcaktuar nga shumëkush si “Lorka i përbotshëm”.