Albspirit

Media/News/Publishing

“Miqtë e Drotëroit”, në 85 – vjetorin e lindjes së poetit

 

Reportazh nga S. Demolli

4 gushti, dita e krijimit të Klubit letrar artistik “Miqtë e Dritëroit”, ka hyrë tashmë në kalendarin e vitit, si një festë e bukur tradicionale, që lidhet me Dritëro Agollin – “Nderi i Kombit”, emri i të cilit është i pandarë nga vendlindja e tij Devolli dhe bashkon, në një organizëm të tillë shpirtëror jo vetëm artistët e tij, por të gjithë ata që e duan kulturën e kombin e, përpiqen për ta çuar atë vazhdimisht përpara.

Por 12 – vjetori që festuan në këtë datë të shënuar, në kryeqendrën e Devollit Bilisht, për artistët e këtij Klubi, pati të veçantën e tij: 85 – Vjetorin e lindjes së poetit, me rastin e së cilës është shpallur VITI i DRITEROIT dhe po kremtohet kudo me veprimtari të shumta kushtuar jetës dhe veprës së tij. Dhe në evente të tilla, siç ndodhi edhe këtë gusht nuk mungonin poetë e artistë nga gjithë vendi, përfaqësues të pushtetit lokal e shoqatave të ndryshme dhe Prefekti i Korçës Ardit Konomi, i cili vlerësoi në përshëndetjen e tij edhe njëherë figurën e Dritëroit dhe i uroi Klubit letrar që mban emrin e tij, suksese të mëtejshme edhe në të ardhmen.

Atmosfera festive e krijuar  nga ansambli i këngëve e valleve të drejtuar nga “bilbili I Devollit” siç e thërresin këngëtarin popullorEndri Fifo, koreografët Agron Kordalli, Zana Papuli, mësuesja Erikena Spaho e drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Bilisht Fate Dushku u elektrizua, kur nëpërmjet lidhjes telefonike u dëgjua zëri i ngrohtë i poetit, që u përkëdheli të gjithëve, ashtu si në poezi shpirtin dhe bëri t’u shkëlqejnë sytë nga krenaria. Ja ç’tha  me këtë rast në përshëndetjen e vet  midis të tjerash Dritëroi:

“E kam ndjekur gjithnjë veprimtarinë tuaj dhe jam entuziast për këtë Klub, i cili vazhdon punën e tij për të përhapur kulturën e artin, por edhe që përkrah njerëzit, të cilët e kanë kthyer Devollin në një vend të përparuar jo vetëm në krahinë, por në të gjithë Shqipërinë. Devollinjtë janë përhapur në gjithë vendin e njihen kudo si punëtorë të zotë të krahut e të mendjes. Mes tyre ka shumë njerëz të shquar e, po t’i përmendja do të zgjatesha… Se plaku ka një zakon; që është llafazan, këmbët nuk i luan, po goja nuk i pushon.

Ky klub ishte në fillim  një bërthamë, që  Bashkim Gjoza poet lirik, me një poezi të jetuar e të gjallë, e zhvilloi atë më tej me krijuesit e tjerë, duke luajtur një rol të madh për talentet e reja, sidomos nëpërmjet gazetës “Bilishti”, si një zbuluese e tyre, ashtu si Kolombi. Po edhe lidhjet me traditën e hershme të Devollit, siç qe ajo e vëllezërve Barbuta, apo Karaskaj që botuan gazetën e tyre “Bilishti”, në vitin 1921, kur në këtë qytet kandidonte si deputet Noli e iu drejtua atëherë popullit me fjalët e paharruara: “Ju devollinj ju kam njohur këtu dhe atje në Amerikë si njerëz të punës, të pushkës e të penës…”

Sot klubi juaj e ka çuar më tej punën e tij, jo vetëm në letërsi por edhe në lëmin shoqëror, sepse ka një bërthamë të fortë me njerëz të përkushtuar si Pëllumb Agolli, Endri Fifo etj. dhe është një organizëm i gjallë që lëviz. Ju uroj ta mbani e ta çoni atë përpara! Punë të mbarë e të gëzuar në dobi të përparimit!”

Natyrisht për të gjithë do të ishte një gëzim i madh ta kishin mes tyre vetë Dritëroin, ashtu si në pesë vjetorin e këtij Klubi në Inonisht pranë Poloskës, kur ai këndonte një nga këngët e tij më të preferuara të popullit; “Manushaqe e vogël, në mes të dëborës”, por siç tha zonja e madhe Sadija në telefon, me një këmbë të thyer… Por kjo dhe pleqëria në fakt nuk e mundon më shumë poetin, se sa “marrosja” nga poezia, që siç shprehet Modale “… është një sëmundje absolutisht e brendëshme dhe e pashërueshme”.

Dhe Agolli nuk ka pushuar kurrë së shkruari në të gjitha gjinitë, si në poezi e prozë e, njëherazi ka qënë dhe është si rrallë kush, intelektual i vetëdijshëm e  atdhetar shumë i përgjegjshëm i lidhur gjithmon me popullin e problemet e tij. Dhe, edhe pse me një moshë të tillë, ashtu si korifej të tjerë të letrave në botë, Agolli nuk bën gjë tjetër veçse të thotë qartë e i kthjellët, ato që nuk munden t’i thonë me fjalët e tyre të tjerët. Dhe janë shumë, sa shumë që duan dhe nuk dinë si të shprehen.

Dritëro Agolli, siç thotë Ismail Kadare, është një nga zërat më të fuqishëm dhe më individualë të letërsisë aktuale shqiptare. Ose siç ka shkruar kritiku D.Shapllo: “Dritëro Agolli ka fituar një emër të madh, jo vetëm se ka arritur një mjeshtëri të rrallë, por se ai jeton me kohën, me botën njerëzore… Vjershërimi i Dritëroit gjen lexues të shumtë, sepse, ndër më të mirët poetë shqiptarë… ecën me kohën, me psikologjinë e njeriut të sotëm dhe me problematikën më të mprehtë… Dritëro Agolli, si një bard popullor, njeh “ligjet e zemrës” dhe “ligjet e poezisë”.

Edhe sot për poetin burime të poezisë, mbeten nostalgjia metafizike, enigma e egzistencës, problemet shekullore të dashurisë dhe të vdekjes. Ajo që ka rëndësi në një poezi, thotë ai, është emocioni dhe kënaqësia që mund të japë, sado tragjike që të jetë ajo. Vetë Agolli duke folur për poezinë e Pol Elyar, të përkthyer prej tij, është shprehur se:” Për poetin të gjitha qëniet e natyrës janë të dashura dhe në të gjitha mundohet të zbulojë raporte dialektike. Natyrën, pemët, barin, fluturat, kafshët dhe zotërit e gjithçkaje, të plotfuqishmit njerëz, në çdo shenjë a në çdo veprim të tyre ai i poetizon dhe u thur himne. Me këtë kërkon të tregojë se ç’është e zonja të bëjë poezia, me këtë kërkon t’u thotë poetëve se vargu nuk njeh kufizime dhe fjala mund të bëjë çudira …” Kështu poezia nuk mund të injorohet kurrë, pasi që është njëlloj si të flakim shpirtin tonë.

Mbase për këtë Karl Burhard, nuk mund të mos thosh se madhështia mbi dhe’ fillon me shenjtorët, me filozofët dhe me poetët. Dhe Poeti në hierarkinë e botës vjen menjëherë pas  Shenjtorit. Shenjti dhe Poeti mund ta ndalin botën të bjerë sërrish në barbari. Vetë shkenca, teknologjia nuk mjaftojnë të sjellin ekuilibrin dhe lumturinë tek njeriu. Sado zhvillime të papara kanë arritur ato sot,  ajo prerja e artë nuk ekziston dhe njerëzimi vuan.

Të vetmet gjëra të përherëshme në këtë botë, ku të gjitha siç dihet shkojnë e vijnë, janë veprat e poetëve dhe artistëve…  Homer, Shekspir, Hygo, Moxart, Bethoven, Dante, 700 – Vjetorin e lindjes të të  cilit e festuam edhe ne vitin e kaluar. Ashtu siç festuam edhe 80 – vjetorin e Kadare e, po festojmë 85 – vjetorin e Dritëroit dhe, brezat që vijnë do të kremtojnë edhe njëqind e dyqind vjetorin e tyre, ashtu si përkujtojnë Naimin, Mjedën, Lazgushin e plot artistë të tjerë që kanë lënë vepër. Sepse perandoritë e sistemet bien, zbulimet e djeshme të shkencës i tejkalojnë të rejat, teoritë gjithashtu… dhe vetëm ajo që është art mbetet në shekuj.

Dhe me Agollin, siç bën të ditur Alen Boske;” Shqipëria na zbulon një autor me përmasa evropiane… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton një famë evropiane.” Ndaj duke qënë krenarë më tepër se kurrë, në këtë përvjetor të gjallë të tij, nuk mund të mos  përmend atë që thashë si përfaqësues i elita “Letër Art” Qarku Korçë, në festën e Klubit letrar “Miqtë e Dritëroit”. Dritëro Agolli është një nga personalitetet më të shquara të kulturës moderne shqiptare dhe figura më e madhe që ka nxjerrë Korça dhe Devolli në historinë e tyre.

Ta gëzosh 85 – vjetorin e lindjes, i dashur Dritëro! Edhe 100 vjet, me këmbë të çalë e mendje të shëndoshë, si një Pegas që nuk e ndal vrapin mitik! Ky është urimi që të bëjnë me gjithë zemër nga Devolli yt, shkrimtarët e artistët e Klubit që mban e do të mbajë emrin tënd!

Po vetë Dritëroi, kur dëgjon urime të tilla ç’thotë?

Ngre sërish telefonin me duart që i dridhen e, me vargje pleqërishte si ato që janë bërë këngë përgjigjet:

Ju thoni si të doni, po në prill a në maj

Bariu do gdhendë fytyrën time në kërrabë.

 

Dhe baresha në shtambën e saj

A në medaljen që var për festë në qafë.

 

Dhe ndofta poçari me bluzë e me duar pis

Me baltë të pjekur do ngrerë statujën time të thjeshtë.

 

Dhe duke e vënë atje mbi një gur a një plis,

Do thotë: “ Ky burrë këtu le të jetë!…”

Please follow and like us: