Albspirit

Media/News/Publishing

Nderimi i krerëve të PPSH e ish-Sigurimit, Kodheli: T’i gëzojnë dekoratat. S’ua heq unë vizën

Nderimi i krerëve të PPSH e ish-Sigurimit, Kodheli: T’i gëzojnë dekoratat. S’ua heq unë vizën

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaroi dje, se të gjithë ata veteranë të kategorisë së parë që kanë marrë statusin për kontributet e tyre gjatë luftës, “ta gëzojnë”.

Gjatë një interviste, dhënë për “ABC News”, Kodheli u pyet përveçse për pushimet dhe aksionin e Forcave të Armatosura për të pastruar bregdetin e jugut, edhe për dekoratat që u ndanë në nëntor të vitit 2014. Dhënia e dekoratave me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, atë vit ngjalli debate, dhe kjo u denoncua nga “Gazeta Shqiptare” së pari, për shkak se në ato lista kishte emra të ish-persekutorëve të komunizmit. Pas këtij denoncimi të Gazetës, qeveria dhe kryeministri deklaruan se do të rishikonin ligjin dhe listat, ndërsa tashmë qëndrimi i ri është se ata që e kanë marrë këtë status për shkak të kontributeve gjatë luftës, do ta mbajnë atë. Por, nga ana tjetër, ministrja Kodheli tha se është për rishikimin e listës.

“Unë jam kurrkushi që t’i vë vizën aktivitetit të dikujt. Është thënë se do të rishihet. Këto statuse, këto pensione, këto dekorata janë marrë për periudhën e luftës. Pra gjatë kohës së luftës këta kanë pasur këtë kontribut. Mund të kenë shumë njolla në biografi, si shumë të tjerë. Por, e para i takon historisë ta vlerësojë, dhe e dyta duhet të zbatojmë ligjet”, – deklaroi ministrja e Mbrojtjes. “Unë, – shtoi ajo, – jam shumë dakord të them që ‘hajde ulemi e ta bëjmë’. Kanë pasur 8 vjet kohë që nuk shikoj asnjë të persekutuar në opozitë. Por dua t’ju them ‘hajde ta rivlerësojmë’. Duhej ta kishin bërë, nga e para, kush e meriton dhe kush jo. Nëse ka një periudhë të errët për gjithkënd në këtë listë, kjo të rivlerësohet. Nëse kjo është marrë për kontributin për luftën, le ta mbajnë këtë status dhe ta gëzojnë”, – deklaroi ministrja Kodheli. “Por, – vijoi ajo, – në respekt të të gjithë atyre që janë lënduar, unë them që ligjet duhet të rishihen”.

E pyetur se çfarë u bë me propozimin për të riparë listën që erdhi nga deputeti socialist, Taulant Balla, Kodheli tha se ajo nismë mund të rimerret për të amenduar një pjesë të ligjit. “Ai mund të merret qetësisht dhe pa pasion, në respekt të gjithçkaje që njerëzit kanë bërë. Jam plotësisht dakord që ligji të rishikohet”, – tha Kodheli. Ajo ka kujtuar se pjesë e komisionit të dhënies së dekoratave e statuseve të veteranit ka qenë zv.ministri i Mbrojtjes, ish-presidenti Moisiu. Ajo shpjegoi se e ka quajtur të mirëqenë se lista e veteranëve ka qenë e rregullt dhe e vlerësuar nga një komision. “E kam quajtur të mirëqenë atë listë dhe ligji është zbatuar edhe në qeveritë e djathta. Madje ligji është bërë dhe statusi është marrë gjatë qeverive të djathta. Këto qeveri nuk janë kujtuar ta heqin këtë. Problemi është që ne kemi disa ligje. A duhet që kjo të rishihet? Jam plotësisht dakord që kjo listë të rishikohet”, – tha Kodheli. Ministrja e Mbrojtjes u pyet edhe për diskutimet për një qeveri teknike. “Më intrigoi përgjigjja e kolegut deputetit Ruli, i cili tha se qeveritë teknike, zakonisht krijohen në situata të jashtëzakonshme. Është krijuar në vitin ’91, ’97. Nuk ka asnjë arsye, kur jemi në qeverisje me votat e 1 milion shqiptarëve. E para nuk do të realizohet. E them me bindje se ne do të vazhdojmë projektin tonë”, – deklaroi Kodheli.
Please follow and like us: