Albspirit

Media/News/Publishing

“Prova për ato që thashë mbi Luftën”

 

“Prova për ato që thashë mbi Luftën”

 

Nga Andrea Stefani

 

Pse disa elementë dhe forca nacionaliste që jo vetëm nuk bashkëpunuan me okupatorin por edhe luftuan kundër tij, u goditën me armë si armiq nga PKSH?! Ky vetëm në dukje paradoks, gjen shpjegim me strategjinë e revolucionit të maskuar bolshevik që po zhvillonte PKSH dhe shndërrimin e Luftës Nacionalçlirimtare në mjet për këtë revolucion. Pra, qëllimi i shpallur, lufta për çlirim, u shndërrua në mjet të revolucionit bolshevik.

Që egërsia dhe zemërimi që lëshoheshin mbi të gjithë ata që guxonin të luftonin pushtuesin të pavarur nga PKSH, nuk ishte një gabim fillestar por një vijë që u ndoq me konsekuencë deri në fund të luftës provohet nga fakte që janë denoncuar në Plenumin e Beratit të vitit 1944, nga bashkëluftëtarë të Enver Hoxhës si dhe nga ai vetë. Mjaft domethënës është një pohim autokritik i Manush Myftiut lidhur me qëndrimin e mbajtur ndaj Muharrem Bajraktarit dhe forcave të tij në muajt kur lufta po shkonte drejt fundit. Edhe Myftiu e justifikon këtë qëndrim me gjoja faktin që nuk kanë patur një pikëpamje të qartë si duhet të silleshin me bajraktarët. “Dinim vetëm që bajraktarët ishin pjesë e reaksionit dhe që do të na luftonin dhe do ti luftonim”-  thotë Myftiu duke shprehur një të vërtetë sepse kjo ishte edhe vija konsekuente e PKSH. Gjithkush që kish mbetur jashtë Frontit ishte një armik.

Më pas vjen pohimi interesant që ilustron psikologjinë e sëmurë për pushtet të lidershipit komunist të cilin, fakti se dikush mund të luftonte pushtuesin jo nën komandën e tij, e dëshpëronte dhe alarmonte deri në atë gradë sa ta godiste edhe prapa shpine. Kjo goditje duke qenë në favor të pushtuesit, ishte jo vetëm një tradhti ndaj luftës për çlirim por, njëherazi, edhe një zhvillim i luftës civile. Sepse Bajraktari luftohej jo thjesht se po luftonte gjermanin por se ishe një forcë ushtarake potenciale që mund të rivalizonte pushtetin komunist nesër. Prandaj goditja e Bajraktarit ishte një element i luftës civile sepse kishte për synim sigurimin e pushtetit pas kuftës.

Kudo ku ndeshjet e armatosura janë në funksion të marrjes së pushtetit dhe jo thjesht për çlirim të vendit nga i huaji, kemi elemente të luftës civile. Në  rastin e Muharrem Bajraktarit bie dhe alibia e enveristëve se nacionalistët u goditën dhe u eliminuan vetëm si bashkëpunëtorë të pushtuesit. Por le të dëgjojmë Manush Myftiun, një nga pjesëtarët e udhëheqjes komuniste për dekada me radhë:

“Për Muharrem Bajraktarin, kur kemi dëgjuar se ky kish filluar të luftonte gjermanët, ne u dëshpëruam se ky element i pademaskuar dhe i pakompromentuar do të fitonte influencë dhe do të tërhiqte turmat me vete. Pas një tentative që u bë për ta futur atë në Front, ky s’pranoi, por deshi të luftonte jashtë Frontit. Ky qëndrim i rrezikshëm na e forcoi bindjen për ta zhdukur.Zhdukja e tij ishte e domosdoshme. Ne menduam dhe për mënyrën si ta zhdukim. Menduam se ky do të sabotonte punën tonë. Në rajonin ku do të shkonin e të vepronin forcat tona, ato do të gjenin kundërshtim dhe ne do ta eliminonim atë…Donim ta provokonim që të na luftonte dhe ta vrisnim. Kështu shkuam në Lumë. Por ai nuk na kundërshtoi, madje na priti shumë mirë. Ai s’ka folur kurrë kundër Luftës Nacionalçlirimtare, përkundrazi, thashë që na priti; ai mendonte se ne po shkonim në ndihmë të tij, pasi po luftonte gjermanët. Ai nuk sabotoi formimin e këshillave nacionalçlirimtare. Populli nuk donte një konflikt mes Frontit dhe Muharremit. Shkuan shumë ditë dhe ai s’po na provokonte”. (Plenumi i Beratit, fq. 93)

Të zhdukësh dikë që po lufton pushtuesin vetëm pse nuk i nënshtrohet epshit tënd për pushtet a nuk është tradhti kundër luftës për çlirimin e Atdheut? Se ç’është përveçse tradhëti të bësh që të ketë disa pushkë më pak, disa luftëtarë më pak kundër pushtuesit. A nuk është ndihmë e dhënë indirekt pushtuesit kur tenton të agjësosh njësi apo luftëtarë që vetë pushtuesi lakmon ti asgjësojë? A nuk ishte ky një bashkëpunim në distancë dhe i pa shpallur i komunistëve me pushtuesit nazistë?

Siç tregon Myftiu, orvatja e komunistëve për ta bërë Bajraktarin t’u jepte një alibi që ta sulmonin dhe asgjësonin (dhe kjo nuk do të ndodhte por të mos qe direktivë) vazhdoi. Ata të kujtojnë tamam fabulën e ujkut që i skërmitej qengjit se i kish turbulluar ujin edhe pse vetë qënronte më lart dhe më pranë burimit se qengji:

“Ne kërkonim një pretekst dhe e shtynim atë që të na luftonte. Kur forcat tona shkuan në frontin ku ai luftonte, i hoqi forcat e tij në një sektor tjetër për të na e lëshuar neve. Kështu provokacioni ynë shkoi kot. Atëhere, meqë nuk na luftonte, filluam të flasim në popull sikur ne i patëm bërë thirrje dhe ai s’kishte pranuar të luftonim bashkërisht. Kjo, me dashje pa dashje, do të bënte që ai të shkonte me armikun. Qëndrimi i popullit na dha të kuptonim se nuk i besonte një gjëje të tillë. Populli e kuptoi se një ditë do të pëlciste lufta me Muharremin, por ai s’qe për një luftë të tillë. Muharremi thirri miqtë e tij dhe tha se Fronti Nacionalçlirimtar nuk pranonte asnjeri jashtë Frontit të luftonte kundër gjermanëve. Për t’iu larguar konfliktit, ai i shpërndau fuqitë e tij”. (Plenumi i Beratit, fq. 93)

Pra, nuk është bashkëpunimi me gjermanët por përkundrazi lufta kundër tyre që e bën Bajraktarin të papranueshëm madje të rrezikshëm për lidershpin komunist! Dhe pas këtij paradoksi mund të zbulosh vetëm gjakimin për monopolin e forcës ushtarake që do siguronte pushtetin pas luftës. Jemi tamam në truallin e një konflikti civil.

Me gjithë kujdesin e Muharrem Bajraktarit për të shmangur konfliktin me komunistët, ai qe i pashmangshëm. Shpërndarja prej tij e forcave u vlerësua nga komunistët si moment ideal për ta goditur. Dhe ja ç’ndodh po sipas Myftiut:

“Duke parë se forcat e tij ishin të pakta, për ne u bë e domosdoshme që ta rrethonim dhe ta likujdonim, por ne s’mundëm të vepronim siç menduam. Mospërfillja jonë për të bëri që aksioni ynë të dështonte me humbje shumë të rënda: 28 partizanë të vrarë e 30 të plagosur… Por humbja më e madhe ishte politike. Populli e pa se ne e goditëm Muharrem Bajraktarin prapa krahëve, kur ai kish ardhur të na jepte dorën për sukseset që kishim pasur në luftë. Ne kemi hedhur dy trakte, ku kemi dashur të tregojmë se Muharrem Bajraktari është tradhtar dhe se ai na goditi më përpara. Por populli s’e besoi”. (Plenumi i Beratit, fq. 93)

Pra, komunistët e sulmuan në befasi dhe prapa shpine një forcë atdhetare që po luftonte kundër gjermanëve por pësuan humbje të rënda ngaqë nuk e gjetën të pa përgatitur. A nuk është e gjitha kjo një pabesi dhe tradhëti e ulët ndaj luftës për çlirim e kryer nga udhëheqja komuniste? A nuk është ilustrim i sakrifikimit nga udhëheqja komuniste e gjithçkaje, edhe i luftës kundër pushtuesit, në emër të rrëmbimit të pushtetit? Se nëse për qëllime pushteti godet një forcë që lufton për çlirim a nuk është kjo një sakrifikim i luftës për çlirim për hir të luftës për pushtet?

PKSH e akuzon Ballin për tradhti. Po në qëndrimin e PKSH ndaj Bajraktarit, ka mjaft ngjashmëri në qëndrimin që Balli dhe PKSH mbajtën ndaj njëri-tjetrit në periudha të ndryshme. Nëse hezitimi i Ballit për të goditur gjermanët debatohet si tradhëti ndaj luftës dhe Atdheut nuk ka asnjë dyshim se goditja e Muharrem Bajraktarit, e një force që po luftonte kundër pushtuesit, ishte një tradhti ndaj luftës për çlirim pra ndaj Atdheut.

Vetë Enver Hoxha, në referatin e Plenumit të Beratit pohon qëndrimet e gabuara që janë mbajtur në Veri:

“Çështja e Muharrem Bajraktarit është më tipike. Jo vetëm që këtë njeri që s’paraqitej haptazi kundër Frontit dhe që kish shumë shpresa të bashkohej me ne, jo vetëm që e trajtuam nga lart dhe në një mënyrë krejt në kundërshtim me vijën tonë politike, po e goditëm edhe pas krahëve kur ai na jepte dorën si mik”. (Plenumi i Beratit, fq. 26)

Hoxha ja hedh fajin Liri Gegës dhe qëndrimin ndaj Muharrem Bajraktarit e quan “prova e gjallë e moskuptimit të vijës politike dhe i nje sektarizmi të pafrenuar. Në Veri parulla “o me ne, o kundër nesh” ishte gjithë politika e shokëve, por edhe kur shihje se kishte mundësi të punohej me njerëz që kishin qëndruar jashtë Frontit, përgatisnin terrenin jo për marrëveshje, por për t’i zhdukur këta njerëz nga prapa”. (Plenumi i Beratit, fq. 32)

Edhe Muftiu dhe të tjerë në Plenum, ja hedhin fajin për këtë tradhëti Liri Gegës. Por, mes rreshtave, Myftiu e pranon se e gjitha ishte rrjedhojë e vijës së PKSH. Një “rrjedhim i vijës sonë” – thotë ekzaktësisht Myftiu. Një e vërtetë që faktohet nga dokumente të tjerë të PKSH sikundër urdhrat e dhëna nga vetë Enver Hoxha shtabit të Divizionit të I, gjeneral Dali Ndreut, në gusht 1944:

“Hidhini një trakt popullit të Lumës ku t’i thuhet se Muharremi u ftua të bashkëluftojë kundër gjermanit okupator dhe ai refuzoi. Kushdo që do të na pengojë në veprën tonë çlirimtare ne e konsiderojmë armik. Thërrisni popullin të bashkohet kundër armikut dhe gjithë atyre që e kanë gënjyer. Pastaj vazhdoni punën ose e detyroni Muharremin të nënshtrohet ose e demaskoni dhe e ndiqni për ta kapur, sipas situatës që do të krijohet”. (Plenumi i Beratit, fq. 322)

Në fakt, ishin vetë komunistët që po pengonin Bajraktarin në “veprën e vet çlirimtare” dhe me këtë, bëni një tradhti ndaj luftës për çlirim dhe Atdheut.  Dokumentet provojnë se nuk kishim të bënim me devijim nga vija por me një zbatim konsekuent të saj nga Liri Gega e të tjerë madje, deri edhe me mashtrime propagandistike të orkestruara me direktiva nga Hoxha.

Sundimi 45 vjeçar i enverizmit provoi se motoja e diktaturës së tij, nga e cila nuk hoqi dorë kurrë, qe “o me ne, o kundër nesh”! Kjo qe motoja e luftës së klasave për 45 vjet dhe ekspozimi i saj si një gabim në Plenumin e Beratit qe thjesht një taktikë hipokrite e Hoxhës. Taktikë qe edhe fajësimi i Liri Gegës, taktikë që Enver Hoxha do ta përdorte me sukses edhe në raste të mëvonshme duke fajësuar për gabimet e tij të tjerët. E kish përdorur me sukses në rastin e konferencës së Mukjes duke fajësuar Mustafa Gjinishin dhe Ymer Dishnicën që në fakt, kishin zbatuar direktivat e tij, dhe po të njëjtën taktikë ndoqi edhe ndaj Nako Spirut, Koçi Xoxes e deri edhe Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut.

Nuk ka asgjë të rastit në këto ndodhi. Është në natyrën e despotëve orientalë që ushtrimin e dhunës ekstreme, pa të cilën nuk sundojnë dot, ta justifikojnë, kur ja u lyp nevoja, me “gabime” të bashkëpunëtorëve të tyre të afërt që pasi i kanë përdorur në funksion të sundimit, i flakin si limonë të shtrydhur. Kështu ka vepruar Stalini me disa shefa të KGB-së, po kështu edhe Tito me Rankoviçin.

Të njëjtin qëndrim të pabesë dhe prej tradhtari ndaj luftës për Çlirim, ka mbajtur Hoxha dhe PKSH edhe ndaj Gani Kryeziut. Ja si shprehet ai vetë në raportin që mbajti në Plenumin e Beratit:

“Por s’është vetëm çështja e Muharrem Bajraktarit. Po në atë mënyrë u sollëm edhe me Kryeziun; por fati deshi që të mos kishim ato rezultate”.

Kushtëzimi i bashkimit për luftë kundër okupatorit me kushtin e rolit udhëheqës të PKSH në Front dhe në Ushtri, ishte shkaku kryesor i divergjencave me nacionalistët. Ky ishte dhe një nga faktorët që mosbesimi i tyre ndaj PKSH u shndërrua në armiqësi, që një pjesë e tyre si Balli, e më pas edhe Legaliteti, nisën ta perceptojnë PKSH dhe revolucionin komunist si rrezikun kryesor për të nesërmen. Pikërisht për të shmangur këtë rrezik ata i dhanë karar të bashkëpunonin deri edhe me gjermanët që, jo pa realizëm, i shikonin tashmë si një e keqe në largim.

Që sektarizmi i komunisteve, në fakt vija e tyre, ishte një nga shkaqet e kalimit të nacionalistëve me okupatorin e pranon edhe vetë Enver Hoxha. Ja ç’thotë ai në raportin e Pleniumit të 2 në Berat:

“…natyrisht, Hysni Lepenica nuk mund të punonte dhe të kish besim kur shoku Mehmet Shehu dhe qindra partizanë të tjerë thoshin hapët se do të formonin Gardën e Kuqe si në Spanjë dhe do ti fshinin këto plehra. Po kjo gjë ngjau dhe në vende të tjera, në Korcë, në Elbasan. Në nuk ditëm që këta elementë që kishin tendenca të luftonin, të kapeshim dhe të lidheshim me ta ngushtë… ne jemi treguar të rrëmbyer, ne kemi nënçmuar vleftën e tyre dhe në vend se ti fusim ata në front, ne i futëm në prehrin e armikut, ne i shtrënguam të armatosen dhe të shtrëngojnë radhët e tyre,” (Pleniumi i Beratit, fq. 21)

Në konkluzion, ambicia e komunistëve për të realizuar një revolucion bolshevik të infiltruar në luftën për çlirim, në vetvete një tradhti kjo, u bë shkaku themelor i mosbesimit deri edhe armiqësisë mes tyre dhe nacionalistëve duke i shtyrë deri edhe në bashkëpunim me okupatorin që, pavarësisht racionalizimeve, mbetet edhe ajo një tradhëti. Një histori që dëshmon se tradhtia pjell veçse tradhti!

Please follow and like us: