Suma, dhe i vetëm trim në beteja elektorale, zgjidhet tre herë kryekomunar
Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Kosovë, më 22 tetor, në komunën e Hanit të Elezit, është zgjedhur për herë të tretë radhazi në krye të kësaj komune Rufki Suma.
Ai nuk është anëtar i ndonjë partie politike dhe të tri mandatet Suma i ka fituar, jo vetëm si kandidat i pavarur, por edhe pa zhvilluar fare fushatë zgjedhore.
Por, si e ka arritur këtë zoti Suma? Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se e ka bërë të kundërtën që, sipas tij, e kanë bërë kandidatët për kryetarë të komunave të tjera të Kosovës. Ai nuk ka dhënë asnjë premtim.
“Qytetarët e Hanit të Elezit e kanë parë që ne, në asnjë mandat, asnjë premtim nuk e kemi bërë. Por, në fakt, jemi mundur që t’i realizojmë të gjitha ato kërkesa që kanë qenë të qytetarëve dhe që kemi pasur mundësi t’i realizojmë. Pra, do të thotë, nuk ka nevojë. Qytetari dëshiron të ketë një kandidat, një kryetar që nuk premton, por që realizon”, thotë ai.
Hani i Elezit i ka të gjitha rrugët e asfaltuara dhe rrugicat me kubëza, jo vetëm në zonën urbane, por edhe në të gjitha lagjet e fshatrave të kësaj komune. Secila rrugë ka ndriçimin publik.
Sektori i arsimit në këtë komunë, paraqitet në gjendje mjaft të mirë, me shkollat që kanë inventarë të ri, me kushte të mira për nxënësit dhe ku secila dhomë e mësimit ka projektorin e saj. Gjithashtu, për secilin mësimdhënës në komunën e Hanit të Elezit, komuna ka siguruar lap-top personal.
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Suma, thekson se problem niveli i ndotjes së ambientit, i cili në këtë komunë ka qenë i lartë për shkak të fabrikës së çimentos, tashmë ka rënë ndjeshëm. Megjithatë, sipas tij, mbeten probleme: sigurimi i ujit, si dhe punësimi, për zgjidhjen e të cilave, siç thotë ai, komuna është e pafuqishme.
“Edhe ata kandidatë, edhe ata qytetarë, që zakonisht votojnë, vijnë dhe thonë ‘kryetar, të kemi votuar, prandaj, dëshirojmë të punësohemi’. Mirëpo, ne nuk kemi mundësi t’i punësojmë dhjetëra mijëra njerëz, për shkak se komuna nuk është fabrikë, nuk prodhon. Por, komuna kryen shërbime për qytetarë. Por, ne mundohemi që në kuadër të projekteve të ndryshme, duke gjetur donatorë të ndryshëm, që t’iu ofrojmë projekte, sidomos në lëmin e bujqësisë, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi që vetë të punojnë, të hapin biznese të reja dhe në këtë mënyrë ta mbajnë familjen”, shprehet Suma.
Por, çfarë i ka shtyrë qytetarët e Hanit të Elezit që ta votojnë për tri mandate Sumën?
Arlinda Kalisi nga kjo komunë, vlerëson se nuk ka kundër-kandidat më të mirë se sa zoti Suma, për kryetar të komunës ku jeton ajo:
“Ne nuk kemi kryetar më të mirë se zotëri Suma. Ai i ka dhënë pamje tjetër Hanit të Elezit dhe rrethinës. Ia vlen për të gjithçka që t’ia japim votën, jo vetëm tri herë, por edhe tri herë të tjera”.
Shefki Suma nga Hani i Elezit, thotë se gjatë dy mandateve të kaluara, kryetari aktual i komunës është treguar punëtor i zellshëm dhe u është përgjigjur kërkesave të qytetarëve:
“Është njeri i gjithanshëm. Është njeri i këtij populli, që merret vesh për çdo gjë populli me të”.
Mendu Reçi, po ashtu nga Hani i Elezit, thekson që gjithkush mund ta kuptojë arsyen pse e kanë zgjedhur qytetarët Sumën për të parin e komunës, nëse e mbajnë mend si ka qenë dikur Hani i Elezit, e si është sot:
“Në orët më të hershme të mëngjesit, ai është në vendin e punës. Është në gjendje që të takohet me një fëmijë, të bisedojë, t’i qajë hallet me të, me një pensionist, me një fshatar të thjeshtë. Prandaj, modestia e tij e ka bërë që të zgjidhet për herë të tretë. Edhe nëse do, me siguri, vullneti do të jetë edhe për mandatin e katërt. Këtë populli ia jep”.
Hani i Elezit ka rreth 10 mijë banorë dhe është komuna më e skajshme jugore e Kosovës.