Carl Bildt: Europë, ngrihu për Erdoganin!
A është Brukseli në gjumë, apo thjesht injorant? Kjo është pyetja që bëhet pasi liderët europianë u përgjigjën ngeshëm ndaj përpjekjes për grusht ushtarak në Turqi më 15 korrik.
Imagjinoni nëse njësitë rebele ushtarake t’ia kishin dalë me sukses, dhe një lloj junte ushtarako-politike të kishte marrë në dorë instrumentet e fuqisë shtetërore në Turqi.
Dyshoj se do të kishte qenë po aq e lehtë sa kur kolonelët dhe tanket e tyre morën pushtetin në Athinë në prill 1967, duke arrestuar me mijëra dhe duke nisur një makth të vërtetë për Greqinë dhe Europën që zgjati gati një dekadë.
Mendoj se do të kishim parë gjakderdhje masive në rrugët e Ankarasë dhe në Stamboll ndërsa forcat e grushtit të shtetit të nisnin shtypjen e kundërshtisë dhe demostratat e opozitës. Mendoni vetëm për dhunën vdekjeprurëse që shpërtheu në Kajro në periudhën menjëherë pas grushtit të korrikut 2013.
Një grusht shteti që do kishte marrë pushtetin në Turqi, sipas të gjitha gjasave, do ta përfshinte vendin në një luftë civile. Dhe pasojat do të kishin qenë të pamendueshme.
Miliona qytetarë turq që do të largoheshin nga dhuna, kaosi dhe vdekja e që do të ishin bashkuar me më shumë se 2 milionë refugjatë sirianë që janë strehuar në Turqi, të gjithë në lundrim drejt Europës. Bashkimi Europian do të ishte përballur me një katastrofë refugjatësh me një magnitudë edhe më të madhe sesa ajo e vitit 2015.
Bashkimi Europian nuk ka pasur kurrë të bëjë me ndonjë përpjekje serioze për grusht shteti në ndonjë nga vendet anëtare apo ato që synojnë anëtarësimin. Në Hungari dhe gjetkë, sfidat e konceptit tonë të sundimit të ligjit zbehen në krahasim me përpjekjen për grusht shteti të shfaqur në shkallë të plotë, që pushton stacionet televizive, bombardon parlamentin dhe përpiqet të rrëmbejë presidentin e zgjedhur të vendit.
Kërcënimi u shmang, mirëpo me koston e të paktën 265 jetëve të humbura dhe 1100 të plagosurve. Partitë politike të Turqisë u bashkuan shpejt për të dënuar grushtin e shtetit. Ne mund të shpresojmë se kjo shfaqje unike e solidaritetit do të vendosë demokracinë në Turqi në një rrugë më të sigurtë.
Por, në natën e grushtit të shtetit, u desh kohë që BE të dënonte ngjarjet. Dhe nuk kishte asnjë shenjë të përfaqësuesve të lartë të BE-së që duhet të udhëtonin në Turqi në mbështetje të një vendi që synon anëtarësimin në BE, e që u përball me kërcënimin më të rëndë ndaj rendit kushtetues.
Në vend të kësaj, liderët e Europës menjëherë nisën të vendosin në dyshim masat e ndërmarra nga autoritetet turke për të zhveshur nga pushteti çdo element që mendohet se është i lidhur me lëvizjen Gulen.
Kur Turqia kërkoi për shmangie nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, liderët e BE-së brofën në mosmiratim, duke harruar se Franca bëri të njëjtën gjë pas sulmeve terroriste të Parisit në nëntor. Nuk ka asnjë dyshim se Turqia ka të drejtën ta bëjë këtë, dhe në të vërtetë duhet ta bëjë, të marrë masat për të siguruar veten kundër forcave që përpiqen të rrëzojnë rendin kushtetues.
Apo ka ndonjë dyshim për rrezikun e fortë që ekziston se këto masa do të shkojnë larg. Sinqerisht shpresoj se Këshilli i Europës dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut do të vlerësojnë situatën me shumë kujdes ndërsa gjërat po nisin të qetësohen. Gazetarë që nuk ka gjasa të kenë mbështetur grushtin e shtetit, po arrestohen, dhe kjo sigurisht që meriton kritika.
Por është dukshëm lajm i mirë që sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland do të jetë në Ankara këtë javë.
Europa rrezikon të humbasë autoritetin e saj moral nëse nuk shfaqet veçanërisht e angazhuar me përballjen e vetë grushtit të shtetit. Ka shumë pak vend për dyshim që reagimi pothuajse i turpshëm i Europës për grushtin e shtetit të vitit 2013 në Egjipt, ka gërryer pozicionin e saj në këtë drejtim.
Ishte vërtet domethënëse, që vetëm disa ditë pas grushtit të shtetit, këshilltari i afërt i presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Ibrahim Kalin u kundërpërgjigj ndaj kritikave të Perëndimit për kundërmasat e marra nga qeveria duke shkruar në Twitter: “Nëse grushti do të kishte dalë me sukses, ju do ta kishit mbështetur atë, si në Egjipt. Ju nuk e njihni këtë komb, por ata ju njohin ju”.
BE do të kishte qenë në një pozicion shumë më të mirë sot nëse liderët e saj të kishin shkuar menjëherë në Turqi për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj grushtit të shtetit, të përgëzonin popullin e Turqisë për mbrojtjen që bëri dhe të ulej me presidentin, qeverinë e liderët në Asamblenë e Madhe kombëtare e me të tjerë e të diskutonin sesi bashkarisht të siguronin një rrugë demokratike dhe europiane për Turqinë.
Sigurisht, nuk ka asnjë garanci se kjo do të kishte parandaluar vendin të rrëshkiste edhe më tej drejt autoritarizmit. Por Europa, të paktën, do të ishte përpjekur të qëndronte fort për idealin politik dhe vlerat demokratike.
Tashmë, presidenti Putin mund të jetë i pari lider që takohet me Erdoganin pas grushtit të shtetit. Nëse kjo ndodh, do të jetë një turp për Europën.
*Carl Bildt është bashkëthemelues i Këshillit Europian për marrëdhëniet e Jashtme dhe ish-kryeministër e ministër i Jashtëm i Suedisë.