Albspirit

Media/News/Publishing

Dashuria sekrete e Mbretit Zog

 

26 vjet pas realizimit të filmit Aria ku Mbreti Zog i shqiptarëve shfaqet si një burrë romantik, që i kishte rrëmbyer zemrën një vjenezeje të martuar, një nga regjisorët e këtij filmi Donald William Robertson Boyd rrëfen kohët kur kërkonte detaje mbi Shqipërinë/ Një rrëfim për karrierën e tij si regjisor dhe kinemanë sot…

 

“Unë nuk jam një anglez i ftohtë”. Donald William Robertson Boyd, një nga personazhet më të njohura të kinemasë britanike, shprehet kështu teksa tregon për atë çfarë dëgjon shpesh për anglezët në udhëtimet e tij në Europë. “Burrat anglezë nuk janë të ftohtë, kur ata bien në dashuri”, thotë ai, teksa përpiqet të japë subjekte të historisë së dashurisë nga kinemaja britanike, apo letërsia. Ai vetë shkruan. Romani i tij “Sekretet e Margotës” ka qenë në listën e librave më të lexuar të “The guardian”. Në qendër të tij është historia e Margotës, një trapiste e cila përballet me sekrete dashurish të fshehura të pacientëve të saj. “Margot” është angleze thotë ai, dhe pse ngjarjet e këtij romani i ka vendosur në Barcelonë. Gruaja e tij, Hilary, është një romanciere. Ai thotë se e dashuroi atë vetëm se shkruante bukur. “Ja unë nuk jam një anglez i ftohtë”. Me një karrierë të gjatë në kinematografi, Boyd ka qenë gjithnjë nga historitë që nxirrnin në pah çështje të ndjeshme të shoqërisë. Por historitë e dashurive të fshehura gjithnjë e kanë tërhequr. Kështu ndodhi dhe në vitin 1987, kur mësoi për historinë e fshehur të dashurisë që Mbreti Zog, jetonte në Vjenë me një femër të njohur të salloneve. “Ajo e kishte shpëtuar nga vdekja”, thotë ai. Ndoshta fakti që ishte me të, e kishte bërë atë t’i shpëtonte atentatit atë natë në opera. Gati 26 vjet nga koha kur realizoi këtë film, Boyd tashmë ndodhet shumë pranë Pallatit të Mbretit Zog. Thotë se ende nuk e ka vizituar dhe pse kishte shumë dëshirë.

 

“Kur dëgjova për historinë e Mbretit Zog menjëherë doja të realizoja një film. Në film doja ta përshkruaja atë si një njeri romantik dhe novator për sa i përket historisë së Shqipërisë. Kështu që i propozova menjëherë regjisorit dhe mikut tim, Nicolas Roegh, i cili pranoi menjëherë ta realizonim. Por kush ishte vajza që i kishte rrëmbyer zemrën Mbretit të shqiptarëve? “Ajo mbeti një mister. Ishte një vajzë, sigurisht nuk ishte gruaja e tij. Mbreti Zog kishte një të dashur në atë kohë në Vjenë. Ai vetë ishte beqar, por ajo ishte një grua e martuar, ndaj lidhja e tyre mbeti sekret. Mbreti Zog në atë kohë ishte një burrë i dashur për femrat”, thotë ai. Kur filmi u shfaq në Britani pati interes, pasi pjesa më e madhe e njerëzve dinin shumë pak për Shqipërinë. “Ata e dinin që Shqipëria ishte një vend i vogël, por nuk mendonin se kishte një mbret dhe kur mësuan historinë e tij romantike u intriguan më tepër për të mësuar mbi historinë tuaj, dhe këtë burrë që donin ta vrisnin, e u tregua i zgjuar e diti ta mbronte veten e tij”, tregon Boyd. Filmi u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë më vitin 1987, dhe ishte kandidat për “Palmën e Artë”. Prodhuesit e këtij filmi do të donin ta shfaqnin atë në Shqipëri, por regjimi që ishte instaluar aty nuk mund ta pranonte një film për Mbretin Zog. “Politika e Hoxhës e bëri të pamundur shfaqjen e një filmi ku Mbreti Zog shfaqej si një hero romantik”, thotë Boyd. Por pas historisë së dashurisë së Mbretit Zog, tashmë që i ka kaluar të 70-at, Boyd rikthehet sërish me një histori shqiptare, tashmë në bashkëpunim me regjisorin e njohur, Mark Cousins. Filmi do të shfaqet sot në ekranin e “Tirana Film Festival”. Në qendër të këtij filmi është një prezantim ndryshe i Shqipërisë, për të huajt që duan të dinë më shumë për këtë vend që ka dalë nga një izolim i gjatë. Marrëdhëniet që një i huaj krijon me kulturën e këtij vendi. Për Boyd gjithë jeta e tij është një film. Në moshën 9-vjeçare fitoi një konkurs drame në shkollë dhe bleu një kamera të vogël dhe bashkë me vëllain e tij realizoi një set të tërë fotografish. Kur përfundoi shkollën e mesme nuk donte të shkonte në universitet. Ajo çfarë donte ishte të shkonte në teatër apo kinema dhe të rrinte me orë të tëra. Provoi të bëhej aktor, por ishte një aktor i keq. Kështu vendosi të bëhej producent filmi dhe u regjistrua në Shkollën e Filmit në Londër, ku sot është president nderi. Ai u diplomua në vitin 1970 dhe nisi karrierën e tij në televizionin BBC si regjisor i serialit “Bota e së nesërmes”. Për dy vite ai drejtor reklamat e kompanive të njohur si “Koka Kola”, “Shell” dhe “Chysler”, derisa realizoi filmin e tij të parë “Refleksione intime”, i cili u dha në “London Film Festival” më 1975. Më pas ai do të realizonte dhe dy filma të tjerë që do të kishin premierën në këtë festival. Në vitin 1977, ai themeloi kompaninë e prodhimit të filmave “Boyd’s Co”, e cila do të kthehej në dekadat që pasuan si më e fuqishmja në realizimin e filmave serialë. Kompania e tij do të mbështeste punën e shkrimtarëve, regjisorëve dhe producentëve dhe muzikantëve të njohur britanikë si: John Hurt, Ray Winstone, Dame Helen Mirren, Tilda Swinton, Stephen Fry, Michael Tolkin, Jeremy Thomas, Sarah Radclyffe, Bridget Fonda, Kathy Burke, The Edge, dhe The Sex Pistols. Në vitin 1978, ai bashkëpunoi me emra të njohur si Ron Peck dhe Paul Hallams për të realizuar filmin e parë britanik për homoseksualët “Nightthawks”, i cili u shoqërua me polemika në Britani, të cilat e vonuan shfaqjen e tij në ekran deri në vitin 1984. Pjesa më e madhe e filmave të Boyd kanë tërhequr vëmendjen e shtypit, dhe kanë ngjallur reagime për shkak të financimeve të tyre. Si njohës i mirë i fushës ekonomike, Boyd  gjente partnerë që i mbështesnin prodhimet e tij, por që binin ndesh me ligjin e taksave që britanikët kanë për kinemanë. Jo pak herë Boynd është diskutuar dhe në sallën e Parlamentit. Në vitet ’80, ai shkoi për dy vjet në Hollivud, ku punoi me dy nga studiot më të mëdha të prodhimeve të filmave Universal studios dhe Paramount picture. Në vitin 1982, ai rikthehet sërish në Britani dhe fillon sërish karrierën si regjisor mes thashethemesh. Ai donte të realizonte një film mbi jetën e ish-kryeministres Theçer, por u tërhoq pas vështirësive financiare. Në vitin 1987, ai ishte bashkëregjisor në serialin e famshëm “Aria”, cili u nominua për Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë po atë vit. Historitë më të nxehta britanike kanë qenë pjesë e hulumtimeve të tij si regjisor. Në vitin 2001 një histori e vjetër personale e tij doli në horizont. Ai tregoi se ka qënë abuzuar seksualisht nga mësuesi i tij në vitin 1960 gjatë kohës kur ishte nxënës në Loretto School. Mësuesi u akuzua dhe me rastet e tjera që dolën. Universiteti Exeter e ka vlerësuar atë me Honoris Causa. I konsideruar si një zë interesant në kinemanë britanike, Boyd ka qenë i pranishëm dhe në media me kritika dhe shkrime në mediat kryesore britanike si The Guardian.

 

Please follow and like us: