Denion Meidani: Propaganda rilindase për premtimet e pambajtura
Lexova në lajme që nga KQ rilindas ishte dhënë porosia strukturave lokale të testonin terrenin e përgatiteshin për zgjedhjet që po afrojnë mbase dhe parakohe. E vërtetë, zgjedhjet në çdo rast po afrojnë dhe akoma nuk arri ta imagjinoj çfarë do të jenë justifikimet që do i serviren popullit, nga makina e propagandës rilindase dhe përfaqësuesit e tyre, për premtimet elektorale totalisht të pambajtura dhe për dështimet e pafundme në çdo fushë. Sot gjendja në këndvështrimin publik të pasqyruar kudo është si më poshtë:
- Papunësi që u rrit, në vend të 300 mijë vende pune që ishin premtuar;
- Shëndetësi që nuk u përmirësua, por madje u përkeqësua nga skemat brilante për të abuzuar me rimbursimet e ilaçeve dhe cilësinë e tyre si dhe me mënyrat kreative që oligarkët e rinj e të vjetër të partneriteteve të dyshimta thithën sa më shumë lekë nga taksat tona;
- Lazarati u shua, por lulëzuan fushat e brezaret me kanabis anë e mbanë vendit së bashku me krimin e organizuar;
- Përgjimi u legjitimua si mjet partiak ndaj armiqve të pushtetit;
- Gjykata e prokurori janë nën një trysni të madhe jo për depolitizim e pastrim, por nënshtrim e frikësim me sulme politike të orkestruara edhe se tjetër gjë në zgjedhje u premtua;
- Korrupsioni nuk u luftua, por u stimulua që të lulëzonte në oborrin e strukturat e tyre;
- Arsimi publik u shtrenjtësua dhe aspak nuk u përmirësua, ndërkohë klientelizmi i atij privat në shërbim të pushtetarëve të rinj u arnua;
- Ekonomia përfundimisht u rrënua, ndërsa sistemi bankar u paralizua;
- Arroganca qeverisëse u amplifikua, teksa transparenca dhe llogaridhënia u minimizua;
- Niveli besoj u ul dhe pastërtia e figurës së përfaqësuesve të “Rilindjes” u njollos me precedentë penalë të shkuar e të tashëm.
E tejzgjatura reformë në drejtësi kishte mbetur si e vetmja kartë fituese për të dalë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por dhe ajo si përfundim rezultoi meritë e konsensusit të udhëhequr dhe detyruar nga LSI dhe e luftës për standarde ndërkombëtare të opozitës.
Jam tepër kurioz pra çfarë do jenë justifikimet dhe premtimet e reja që do i serviren elektoratit në 2017, në mos më parë…