Ekzekutohet në mënyrë misterioze shkencëtari i njohur bërthamor iranian, Shahram Amiri
Një shkencëtar bërthamor iranian, i arrestuar prej vitit 2010, është ekzekutuar. Familjarët e tij kanë denoncuar për “BBC”-në se trupi i Shahram Amirit është rikthyer në shtëpinë e tij me shenja litari në fyt, çka tregon se ai mund të jetë mbytur.
Amiri është mbajtur në një vend sekret pasi u kthye nga SHBA-ja, ku thuhet se ai ishte marrë më forcë peng nga CIA. Disa informacione bëjnë me dije se ai kishte dijeni për programin bërthamor iranian. Amiri, i lindur në vitit 1977, u zhduk gjatë një pelegrinazhi në Mekë në vitin 2009.
Ai u shfaq në SHBA një vit më vonë, duke thënë se ishte marrë peng nga CIA dhe ishte vendosur nën presion për të treguar gjithçka dinte për programin bërthamor të Iranit.
Por ai u rikthye në Teheran në vitin 2010 dhe iu bë një pritje heronjsh. Prej atëherë ai qëndroi në burg.
Uashingtoni i tha BBC-së se ai i kishte siguruar amerikanëve informacion, por me vullnetin e tij të plotë.