Albspirit

Media/News/Publishing

Fotografitë me VIP-at, si kompleks inferioriteti

Ndue Dedaj

Ndue DedajËshtë gjetur mjeti ideal për vetë-të-pëlqyerit, shumëfishimi i vetvetes me të gjitha mënyrat, veçmas me anë të fotografisë. Aty njeriu i dhënë dukshëm pas vetes paraqitet i kuruar nga pamja, si mendimtar edhe pa qenë i tillë, bile dhe si poet ani se thur bejte. Shkurt, ka mbërritur “ekrani” për t’u shitur person VIP. Psikologët kanë terren të shkëlqyer për të peshkuar tipa dhe karakere delirante, jo për t’i ndëshkuar ata, por për të treguar se kemi krijuar një shoqëri virtuale të deformuar. Mbi bazën e studimeve të reja të kryera nga Larry Rosen, profesor i psikologjisë në universitetin shtetëror të Kalifornisë, përdorimi tej mase i Facebook-ut mund të forcojë ndjenjën e mendjemadhësisë, të shtojë sjelljet antisociale, të krijojë emocione të forta dhe stres tek të rinjtë. Në studimin e tij është vërtetuar se përdoruesit e Facebook-ut, si fëmijët ashtu edhe të mëdhenjtë janë prekur nga sëmundje psiqike. Por ky i fundit është një problem tjetër, që del jashtë qasjes së këtij shkrimi.

Ndjen kënaqasi kur në Facebook sheh pamje njerëzore të hijshme, çaste familjare, këmbime miqësore, foto të vjetra që të ngjallin kujtime, mesazhe nga të njohurit e të panjohurit, poezi, statuse të qëlluara etj. Fundja për këtë është shpikur ky mjet komunikimi i pashoq, për t’u parë e dëgjuar me miqtë, të afërmit, shokët. Por rrjeti social nuk është parti, shoqatë, media, pasi infomon thjeshtë e për gjera të zakonshme. Si mund të jetë e tillë, kur për shumëkënd një status në Facebook është si një sanduiç, që përgatitet në çast dhe konsumohet në këmbë. Është komunikimi më popullor dhe nuk kërkon ndonjë nivel të caktuar komunikimi, as intelektual e as gjuhësor. Do s’do Facebook është më tepër shikim sesa lexim. Megjithatë ky status popullor nuk do të thotë që aty të lulëzojë deliri, duke shfrytëzuar çdo rast për të promovuar (lexo: pompuar) veteveten, kur piktorët e shquar i kanë aq të paktë autoportretet.

Njeriu që përkëdhel e ledhaton veten, në mënyra të ndryshme, përfshi dhe përmës daljes në fotografi me të “mëdhenjtë”, përpos delirit të madhështisë, vuan nga ndjenja e të qenit i parealizuar në jetë, ndaj përpiqet që të kompensojë me forma të tilla. Atë që i mungon te vetja shpejton ta plotësojë me figurën e të tjerëve, politikanë, artistë, sportistë. Është fjala për fotot e sforcuara në krah të VIP-ave, ato për t’u dukur, ku vënia në krah sa për t’u fotografuar, nuk mungon as me Presidentin e Republikës. Vështruar në rrafsh historik, nuk ka qenë kështu. Nuk “guxonte” kush të afrohej për një fotografi me Ahmet Zogun, jo nga frika, por nga statura e lartë shtetërore. Mbreti nuk ishte populist. Krejt ndryshe ndodhi me pasuesin e tij në pushtet, Enver Hoxhën, i cili u shkri gju më gju më popullin, kështu që sot gjenden aq shumë anonimë në krah të tij. Kishte një falsitet në ato foto, sa sot nuk i ruajnë as vetë ata që kanë dalë me udhëheqësin komunist. Përkundrazi një sportdashës i viteve ’60 e ruan dhe sot në portofol foton që ka bërë në stadium me Panajot Panon. Kjo është një praktikë botërore, të kërkosh një autograf me një artist, sportist, por jo dhe me një shef partie, përpos militantëve të vet, të cilët e shohin atë dhe si pop-star. Politikanët këtë zakon e kanë huazuar nga bota e artit, duke e përvetësuar padrejtësisht. Një nga tabloidet kishte paraqitur shoqëruesin e Berishës duke i bërë fotografi ish-Kryeministrit me persona të rastësishëm që i “zinin” udhën për një shkrepje bashkë me të. Ndërkohë që fotoja e Nënë Terezës ishte me të sëmurët e Kalkutës dhe jo me udhëheqësit e botës, deri në çastin që ajo i nderua me çmimin “Nobël”, kur imazhi publik zyrtar i saj u bë i pashmangshëm. Nga mesi i janarit të gjithë nxituan të tregonin njohjet personale me Ish-Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, ku dhe kur e kishin takuar, çfarë iu kishte pas thënë e çfarë i kishin pas thënë. Me gjysmë të vërteteta e gjysmë shartesa. Për t’i shtuar diçka të lartë biografisë së vet. Puna është se çfarë do të thoshte Rugova për këtë fotografinë e sotme të politikës shqiptare, veçmas asaj në Kosovë, që nuk po di të urtohet në kahë paqeje, kur ai vetë e urtoi atë në kohë lufte! Kjo mbase do të ishte “fotografia” që duhej t’i kishim treguar atij mbas dhjetë vitesh që nuk rron më, ajo e stabilitetit politik e institucional, integrimit europian dhe jo e gazit “lotsjellës” për pushtet, as nga qeveria e as nga protestuesit.

Siç u cek më sipër Facebook-u nuk është media, nuk është gazetë a televizion, që të ketë përgjegjësi profesionale për atë që publikon, për një rreth të ngushtë njerëzish, po kjo nuk do të thotë që të ketë shpërdorim. Ka nga ata që duan të bëjnë gazetarin, duke sjellë fotografitë e veta nga çdo dalje në terren, ndërkohë që njëri nga inxhinierët pyjor më të njohur të vendit poston në vazhdimësi pamje nga relievet shqiptare, nga Veriu në Jug, me problematikë mjedisore, dhe thuajse ansjëherë nuk i shoqëron ato me foton e vet, edhe pse në profilin e tij në Facebook. Kjo do të thotë ta përdorësh këtë mjet të informacionit për informim, sensibilizim dhe jo për të bërë “politifoton” e vetevetes. Këtu dallon një amator nga një profesionist. Një gazetar që shkon për të bërë një reportazh në Theth, Tetovë, apo Sarandë fotografon mjediset, njerëzit, ngjarjet dhe jo veten. Sipas një shprehje të njohur, njerëzit të duan për punën, jo për “sytë e bukur”. Ngasja për t’u treguar me grada mbi spaleta, çon gjer te manipulimi i fotografisë, nga ca ushtarakë të rangut të ulët, të kohës kur ishin hequr gradat, të cilët e fusin kokën e tyre (në fotoshop) brenda kostumit të ndonjë koloneli a gjenerali dhe stampohen ashtu, për t’iu lënë trashëgim brezave “gradën” ushtarake që nuk e kishte patur kurrë!?

Është shfytyruar jo pak dhe instagrami, “mbreti” i fotografisë, në të vërtetë i fotomanisë. Aty ku të gjithë të rinjtë janë të gëzuar, të lumtur, askush nuk ka shqetësime, se në të vërtetë shqetësimet për ta i kanë prindërit. Ti mund të presësh më kot ndonjë fotografi të tyre duke hyrë në bibliotekë, duke kërkuar nëpër skedarë literaturë, duke lexuar në sallë. Jo, kjo duket diçka e kaluar. Mania për fotografinë ekspres ka shkuar deri aty sa një vajzë adoleshente nga Tirana bën selfie me shoqen e saj, teksa nget autoveturën, e cila nuk e di këtë “gjuhë” të re të teknologjisë, por del nga rruga duke përplasur një të moshuar në trotuar. Prit kur të shohim selfie duke u hedhur me parashutë, se fundja tashmë i gjithë kuptimi i gjesë është që “aventurën” të ndajmë me miqtë dhe të korrim sa më shumë pëlqime prej tyre, a thua se ky është një test inteligjence etj. E jo vetëm FB, por dhe faqet rozë të gazetave të verës janë të mbushura me shalët e disa biçim këngëtareve, që “përformojnë” trupin, në vend të talentit që iu mungon. Është e padenjë që disa media promovojnë në këtë mënyrë mediokritetin, duke luajtur me shijet e publikut dhe krijuar një audiencë fiktive.

Në rastin e rrjeteve sociale dhe jo vetëm, publiku ka nevojë për një filtër, ku të mos kalojë dhe mielli dhe krundet, më kot nuk buçitet për profesionalizmin në çdo gjë, për standarde të komunkimit etj. Rrjetet sociale e demokratizojnë peizazhin njerëzor në raport me publiken, por nuk e elitizojnë atë. Kështu që gjithmonë do të ketë nevojë për thebësoren, racionalen, të qenësishmen dhe jo për orkestrinën “tallava” të Facebookut. “E po, dhe këtu, në faqen tonë, nuk na lini të qetë, në një gjë personale? Kështu është, por ndryshon puna kur ajo gjëja jote del nga vetjakja e kërkon t’iu shitet të tjerëve, të spekulohet me postimet, të bëhet plagjiaturë, këtu nis një problem social. Pse ndodh që çdo prurje të teknologjisë e shpërdorojmë? Nuk marrim anën e mirë të saj, për teprimin. Teknologjia është për t’i ardhur në ndihmë njeriut e jo për ta bërë atë hipokrit e mburraman.

Zor ta ketë menduar 30 e ca vjeçari simpatik amerikan Mark Elliot Zuckerberg kur e shpiku Facebookun para dymbëdhjetë vitesh se shpikja e tij përrallore do të përdorej dhe për mburrje provinciale. Na vjen për të qeshur me një burrë plak, i cili pasi kishte debatuar fort me disa miq të tij në kafe, ishte ngritur duke thënë “Ua rregulloj unë qejfin atyre”. Ata që ishin afër u shqetësuan në fillim, por kur ai tha se do t’i “grinte” përmes Facebookut, u qetësuan. Polemizova fort, thoshte një tjetër. Në Facebook, pra! Dhe dini pse? Për Heroin Kombëtar! Përderisa Akademia e Shkëncave pleqëron, Facebook-u do ta bëjë “punën” e vet, duke dhënë e marrë ata njerëz të mirë për Skënderbeun, si të ishin duke folur për gjyshin e tyre. Kjo lloj polemike vetëm sa u prish neravet atyre se nuk çon askund. Nuk është se po bëhet në një media, që të gjykojnë të tjerët dhe ku duhet parapërgatitje. Polemistët dhe “gazetarët” e Facebookut kot lodhen të dalin prej kutisë së vogël, në sheshin e mejdanit…

Please follow and like us: