Albspirit

Media/News/Publishing

Genghis Khan, në një këndvështrim ndryshe nga filmi

 

Njihet deri tani si një luftëtar i pamëshirshëm, që vetëm shkatërroi, vrau e preu gjatë sundimit të tij të lavdishëm, që shtrihej nga tokat e Azisë së largët deri në portat e Europës. Të paktën kështu thotë një pjesë e historisë, ose ajo që kanë dashur të dëgjohet këto 800 vitet e fundit, që nga dita kur i famshmi i Mongolisë dhe i botës, Genghis Khan u shndërrua në pushtuesin më të madh të të gjitha kohërave. Ky personazh madhështor, jeta, bëmat dhe vdekja, madje edhe pasvdekja e të cilit ndërthuren me mite e legjenda mistike, është në prag të “ringjalljes” së madhe, ose siç i pëlqen regjisorit rus, Sergei Bodrov, të thotë, në prag të riparjes dhe rikonsiderimit të tërë historisë së tij. Deri tani, në librat e historisë për Genghis, mund të lexosh shprehje të tilla si: “Kulmi i kënaqësisë së njeriut të stepës ishte të kapte armiqtë e t’i shihte të zhytur në një banjë gjaku, si dhe të përdhunonte gratë e tyre”. Nga viti 1162 deri në vitin e vdekjes 1227, Genghis i priu hordhive në një fushatë të jashtëzakonshme pushtimesh të pakrahasueshme në tërë historinë e njerëzimit. “Heroi mongol është një nga emrat më pak të pëlqyer në Rusi. Omar Sherif, aktori i famshëm egjiptian, e interpretoi në një film të vitit 1965. Në vitin 1998 kemi edhe një përpjekje të kinezëve, por të dyja nuk janë vënë re në botën kinematografike. “Kam gërmuar shumë për të bërë këtë film dhe kam gjetur histori të mrekullueshme për fëmijërinë e Khan-it. Ai nuk ishte aspak një monstër siç e përshkruajnë. Ishte thjesht një person i lindur me aftësinë për të notuar kundër rrymës. Në Rusi dhe në vende të tjera, figura e Genghis është ajo e një njeriu të përçmuar, ndërsa në Azinë Qendrore ai është një hero”, shprehet regjisori. A përbën ky film një rast të mirë për të rishkruar një pjesë të historisë të parë dhe të treguar shtrembër ? Një pjesë e mirë e filmit është bazuar në librin e famshëm të një historiani britanik: “Jeta, vdekja dhe ringjallja e të madhit të Khanëve”. Sipas Bodrov, Genghis është keqkuptuar gjithë këta shekuj. Një tjetër vend ku figura e Genghis po lulëzon është edhe vetë Kina. Gjatë Revolucionit Kulturor, heroi ishte “varrosur”, emri dhe bëmat e tij ishin ndaluar. Megjithatë njerëzit e veneronin fshehurazi, ndërsa sot kinezët pretendojnë se heroi mongol është në fakt kinez. Në Kinë thuhet se në kohën e kulmit të sundimit të Genghis, situata në vendet e pushtuara ishte aq e qetë e nën kontroll, saqë një vajzë e virgjër me një thes flori me vete mund të ecte nga njëri skaj i perandorisë në skajin tjetër, pa u prekur me dorë. Një pjesë e filmit është xhiruar nëpër “Rrugën e Mëndafshit” të dikurshme dhe banorët e atyre zonave e kishin për kënaqësi të veçantë që të ndihmonin xhirimet për filmin e një njeriu që për ta është mit dhe motiv krenarie. Filmi ka ngjallur interesim të ri ndaj Genghis-it, i cili hap pas hapi ka nisur procesin e “ringjalljes”. Po çfarë na kanë dhënë mongolët? Një nga “dhuratat” e tyre është edhe “dhimbja e madhe e kokës” me emrin Tibet. Zhvillimet e fundit në lidhje me krahinën bashkëngjitur Kinës janë pasojë e Genghis, i cili ishte i pari që ia bashkoi Tibetin Kinës. është ironike që Kina ia detyron identitetin e saj gjeografik mongolëve dhe asaj çka ndodhi në jetën e një djaloshi mongoles në shekullin e 13. E ndërsa jeta e Genghis mund të dokumentohet nga disa vepra, mister i vërtetë mbetet vdekja. Thuhet se jetoi gjatë për kohën, deri në moshën 65-vjeçare. Varri i tij mbetet një nga misteret më të mëdha arkeologjike. Disa thonë se ai u zhduk vetë sapo e ndjeu se sëmundja e kishte vënë për poshtë. Të tjerë rrëfejnë se e vrau një nga gratë e reja, duke ia prerë organin seksual. Të paktën deri në atë moment, Genghis kishte qenë i famshëm edhe për forcën mashkullore.

Please follow and like us: