I dashur socialist që të vjen keq për kritikat…
Zef Preçi
I dashur socialist që të vjen keq për kritikat e mija e që mendon se unë nuk shoh rritjen ekonomike që thotë FMN e Banka Botërore! Po të përgjigjem hapur në këtë koment për rastin e mësipërm… Problemi nuk qëndron thjesht tek emrat e aksionerëve/ortakëve në kompaninë e përzgjedhur
(shënimi ynë – për konçesionin e naftës – lexo këtu: http://www.hashtagalbania.com/index.php/2016/08/06/zvpresidenti-i-top-ch…) dhe mua kjo nuk më shqetëson fare…
Problemet janë:
1) investitor fantazëm dhe kuptohet thjesht zhvatës të pasurive kombëtare me licensë qeveritare
2) pamundësi reale investimi, për rrjedhojë mundësi transferimi te kompani të tjera, përndryshe kosto korruptive e transferimit të aksioneve/licensës në të ardhmen
3) përdorim i një emri të huaj, thua se shqiptarët akoma do të japin shufra ari (pasuritë e shtetit) në këmbim të copave të pasqyrës si në epokën koloniale
4) pjesëmarrje e pjesshme e aksionerëve vendas, të dyshuar si mbajtës aksionesh për llogari të të tretëve.
5) Ky rast, si shumë të tjera dje dhe sot, flet për firma të lidhura, d.m.th për kompani bija që kontrollojnë tregun, pengojne konkurrencen, grabisin pasurite tona kombetare dhe sjellje te tilla ne treg jane objekt hetimi administrativ dhe penal… Agjencitë ligjzbatuese duhet të veprojnë kryesisht, nëse nuk janë të kapura nga oligarkia, kuptohet.
Nuk po flas për më kryesoren: kjo maxhorancë erdhi në pushtet “për t’i kthyer naftën popullit”, për të sjellë në standarde ligjore abuzimet e administratës paraardhëse me koncesionet dhe po vrapon të shpërndajë pasuritë e papërsëritshme të vendit me një nxitim dhe papërgjeshmëri që nuk ka reformë në drejtësi dhe dekriminalizim që e ndëshkon…Është kjo arsyeja që vazhdoj të kritikoj keqqeverisjen dhe nuk ka të bëjë fare me fatin personal, përndryshe, nëse me heshtjen tonë do të lejojmë që oligarkia, për shkak të klientelizmit politik të pushtojë gjithçka, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ikim nga ky vend. Të gjithë duhet të shqetësohemi se përse asnjë kompani e njohur ndërkombëtare nuk shkel këtu, ata që janë po transferohen drejt kinezëve…
Socialist i dashur! Nuk di asgjë për motivimin tuaj për interesat publike, por personalisht e konsideroj detyrim moral qytetar, detyrim ndaj publikut të kritikoj gjithçka që dëmton interesat e ekonomisë sonë kombëtare. E meqë maxhoranca e sotme flet për reformën në drejtësi, une do të të ftoja publikisht ty dhe forumet e larta politike ku bëni pjesë që të mos pengoni dekriminalizimin, por ta shtrini edhe në dekriminalizimin e biznesit, se asnjë reformë nuk do të ketë sukses nëse nuk do të ndalim të gjithë sëbashku përdorimin e pushtetit dhe të shtetit në favor të një grushti oligarkësh, “merita” kryesore e të cilëve është se kanë marrë peng elitën drejtuese politike, e përmes saj edhe ekonominë tonë kombëtare.
Kështu besoj se do të çlirohesh edhe ti dhe gjithë ata, që ashtu si ti, kritikën ndaj keqqeverisjes e shohin si kërcënim ndaj pushtetit dhe jo si një shans të artë për të përmirësuar qeverisjen, pa patur nevojë për t’u përballë s’afërmi me drejtësinë e reformuar…
Shënim: Ky tekst është një replikë në rrjetet sociale e ekonomistit Zef Preçi mbi informacionet e sotme se një konçesion është dhënë në sektorin e naftës. Ndonëse i drejtohet një personi konkret, të cilin Preçi nuk e përmen me emër, por e quan “Socialist i dashur”, replika ka vlerë përgjithësuese për atë frymë refuzimi që vjen nga PS-ja ndaj çdo kritike, akuze, apo edhe mosbesimi. Të gjjtha legjitime dhe të domosdoshme, ato po kanalizohen si “lojëra” apo “baltë”, pa kuptuar se temat për të cilat flitet, na përkasin të gjithëve. Dhe sidomos, se ende sot në vitin 2016, pavarësisht rrënimit dhe katastrofës morale, mund të themi se Shqipëria është ende e të gjithëve dhe akoma jo “e disave”.
ADD NEW COMMENT