“Kisha e Apostujve” rrezikon të zhduket
Kisha e Apostujve, apo e njohur si Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavllos, gjendet në zonën më të thellë të Zagorisë në Hoshtevë.
Objekti i ndërtuar në disa faza është monument kulture i kategorisë së parë dhe aktualisht është duke vuajtur një braktisje të thellë.
Kisha me afreske të gjalla, të pikturuara rreth vitit 1843, është grabitur rreth 15 herë sipas banorëve, të cilët me keqardhje pranojnë se tashmë nuk ka mbetur më asgjë për t’u marrë. Ata minimalisht kërkojnë shpëtimin e këtij objekti të lidhur ngushtë me jetën dhe traditën e tyre.
Arqile Puleshi thotë se problemet strukturore të objektit janë të pandalshme. Zhvendosja e murit perëndimor kërcënon çarje të mëtejshme në mure. Ai thotë se kisha, e vetmja e mbetur mes 24 të tillave që rrethonin dikur këtë hapësirë, është gjithçka që ka mbetur dhe të gjithë e shohin me keqardhje rezikun e shembjes së saj dhe humbjen e afreskeve.
Sot në fshat jetojnë jo më shumë se 40 banorë, të gjithë të moshuar, që nuk janë në gjendje as të restaurojnë e as të mbrojnë Kishën e Apostujve.