Albspirit

Media/News/Publishing

Kontributet e sigurimeve shoqërore/ Ja sa do të paguajnë punonjësit e Universiteteve dhe ato me tituj shkencorë

Qeveria ka ndryshuar masën e kontributeve të sigurimeve shoqërore që duhet të derdhin punonjësit e Universiteteve, Akademisë së Shkencave, Qendrës së Studimeve Albanologjike, si dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë. Përmes një vendimi, Qeveria përcakton se paga mujore, mbi bazën e së cilës do të llogariten kontributet, do të jenë nga 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë e deri në shumën e pagës bruto, sipas listëpagesës. Paga referuese në zbatim të ligjit nr. 10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, është paga bazë për titullin në institucionet publike, duke përjashtuar shtesat për funksion. Paga bazë për titullin të jetë paga mujore korresponduese, e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, në të cilin pasqyrohet trajtimi me pagë dhe shtesa mbi pagë i personelit të institucioneve publike të arsimit të lartë në momentin e derdhjes së kontributeve. Sipas vendimit, profesorët që punojnë në institucionet publike dhe kanë tituj shkencor do të derdhin 5 për qind të kontributeve, ndërsa ata në privat 7 për qind. Personat që kanë titullin shkencor “Profesor”, “Drejtues kërkimesh”, “Profesor i asociuar”, “Mjeshtër kërkimesh”, kur punojnë në universitetet, shkollat e larta dhe Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë, në masën 5 për qind të pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin publik dhe 7 për qind të pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin jopublik.

Please follow and like us: