Albspirit

Media/News/Publishing

Manjola Bregasi: Shqiptarët, ne hipokritët e pandreqshëm!

Më duket se gjithë të këqijat ne shqiptarëve na vijnë nga hipokrizia. Nuk di nëse është sëmundje e re apo e trashëguar, por mungesa e sinqeritetit dhe të vërtetës, shpesh me veten po aq sa edhe me të tjerët duket se po na vret çdo ditë nga pak, ndërsa kërkojmë që shkaqet t’i gjejmë tek politika, tek sistemi që nuk funksionon, tek komshiu që ka ca lekë më shumë, tek shitësi i lagjes që na pa shtrembër…e nuk di se ku. Të bëj moral? Nuk e kam aspak qëllim. Të ndaj një shqetësim? E kam detyrim qytetar, përtej atij profesional.
E keni vënë re, kur në rrjetet sociale apo portale postohet fotografia ose rasti i një fëmije apo familjeje që kanë nevojë për mbështetje? Më shumë se sa mbështetja, në komentet e njerëzve shihet sensibilizimi, që përfundon me një like, ose “Zoti/ Allahu të shpëtoftë”. Duket se këtu detyra jonë patriotike, si njerëz, si qytetarë apo si nuk di çfarë …mbaron këtu, me një like ose lutje nga tastiera. Fatkeqësisht, publikime të tilla marrin “like” dhe komente pa fund, por ndihmesa fare të vogla.Nëse më thoni, që jemi popull i varfër, që nuk kemi mundësinë t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë, po ju sjell një rast tjetër:
Më kujtohet kur në fillim të vitit, në një fushatë që nisi për dhurimin e gjakut në Klinikën KEIT, në rrjetet sociale me qëllim senzibilizimin e shoqërisë, shpërndaheshin raste të fëmijëve talasemikë që kishin nevojë për gjak. Raste realë, që edhe sot vazhdojnë të jenë në nevoja për gjak.
90% e komentuesve ishin të sëmurë, anemikë, nënpeshë apo larg Shqipërisë dhe e kishin të pamundur të dhuronin, por ama kishin gjithë dëshirën e mundshme të komentonin me fjalët: “sa gjynah zemra e vogël, Zoti e ndihmoftë”… Këtu misioni ynë prej njerëzish xhentilë, përfundon.
Nuk kam ditur t’i jap përgjigje sjelljes qe shoqëroi indinjatat sociale për çështje të ndryshme, që nga dhuna e gruas në mes të rrugës në Vlorë e deri tek dhuna e fëmijëve në kopshtin e Anjeza Shabanit. Rrjetet sociale shpërthyen nga njerëzit e ndjeshëm, që e kundërshtuan dhunën me forcë. Por kur disa organizata apo nisma civile, kërkuan të manifestonin për këto kauza, në shesh nuk u mblodhën më shumë se 50 njerëz.
Por ka akoma. Në portalin e Opinion.al, postojmë edhe lajme nga ato që ne i quajmë rozë, të lehta, show bizi, thashetheme, dieta apo jeta seksuale. Por shpesh, për të mos thënë gjithmonë, komentet e atyre që na ndjekin janë negative, ankohen se nuk duan të lexojnë “lajme të tilla”, se nuk duan të dinë për seksin, se njerëzit vujanë e janë pa bukë, kurse ne kemi kohë për “lajme të tilla” etj, etj.
Në fund të ditës, “lajme të tilla” rezultojnë çuditërisht më të lexuarat. A thua se lexuesit dhe komentuesit, vijnë nga dy botë krejt të ndryshme, por për fat të keq, janë po ata.

Sjell në mendje kur së fundi në përgatitjen e një emisoni “Opinion”, na duhej të krijonim një panel për raportet e shqiptarëve me seksin. E vështirë, për të mos thënë e pamundur të gjenim një vajzë të re dhe mendjehapur që të vinte e të behej pjesë në këtë panel. E konsideronin temë jo dinjitoze, jo të ndershme, jo serioze shumë nga ato vajza që në rrjetet sociale nuk e kanë aspak problem të dalin gjysmë të zhveshura e të tregojnë sa “të pakompleksuara” janë me hiret e tyre. Ndërkohë, njerëz të pjekur dhe intelektualë të mirëfilltë, që në fushat e tyre kanë krijuar emër dhe reputacion janë të hapur dhe bëhen pjesë e paneleve të tilla, pa më të voglin hezitim.
Kujt po ja hedhim? Kam përshtypjen që shpesh gënjeshtrat tona i besojmë edhe vetë ne, hipokritët e një shoqërie që tashmë të flasë ndryshe nga sa mendon e të veprojë ndryshe nga sa flet, e ka kthyer në mënyrë jetese./Opinion.al/

Please follow and like us: