Albspirit

Media/News/Publishing

Pse duhet t’i besojmë Edi Ramës për Fatmir Xhafën?

Ditët e fundit Partia Demokratike ka aktivizuar një akuzë të vjetër për Fatmir Xhafën, vëllai i të cilit sipas saj rezulton të ketë qenë i përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës. Partia Demokratike thotë se për Agron Xhafajn ka patur një kërkesë ekstradimi por që është mbajtur e fshehur nga qeveria. Për këtë pretendim të saj Partia Demokratie ka bërë publik edhe një vendim të Gjykatës së Lartë të Venezuelës. Por ndryshe nga sa ndodh zakonisht me akuzat nga selia e Partisë Demokratike, për rastin në fjalë nuk ka pasur asnjë kundërdeklaratë nga selia kundërshtare. Komentin e vetëm si përgjigje ndaj akuzave e ka bërë kryeministri Rama me një koment në facebook ku thotë se: “Saliu, në stilin e tij të vjetër e të neveritshëm bolshevik, ka ngritur një akuzë mbi një histori të sajuar këmbë e krye, për të vëllanë e Fatmirit. Një histori me drogë venezuelane, për babain e dy fëmijëve që është në punën e tij të ndershme dhe ka vetëm një faj: Eshtë vëllai i njeriut që drejton Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën më të rëndësishme dhe më të vështirë të 25 vjetëve të fundit! “. Por a duhet t’i besojmë vetëm fjalës së kryeministrit? Nëse Partia Socialiste është e bindur në pastërtinë e vëllait të deputetit mund të sjellë prova për këtë. Fjala e kryeministrit, nuk mjafton, aq më tepër kur rekordet e tij janë zhgënjyese në raport me të vërtetën. Mjaton të përmendim avokatinë kokëfortë ndaj Elvis Rroshit, për të cilin i tha publikut se nuk ka asnjë dënim, pretendim që rezultoi i pavërtetë. Ja çfarë ka thënë Edi Rama për Elvis Rroshin: “Elvis Roshi nuk ka asnjë dënim në asnjë Gjykatë në Itali apo në Zvicrës. Elvis Roshi ka ndërruar emrin sepse është përzënë nga Italia sic janë përzënë mijëra e mijëra shqiptarë për mungesë dokumentacioni, dakort. Tani të gjykojmë një person që ka qenë emigrant dhe është përzënë për mungesë dokumentacioni. Elvis Rroshi ka qenë, është dhe do të jetë knjë ndër kryetarët më të mirë të bashkisë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”. Ndaj dhe në këtë pikë kryeministri është i pabesueshëm dhe nuk ofrohet dot si garanci për Fatmir Xhafën apo segmente të tjera të qeverisë që mund të jenë të implikuara në veprimtari të paligjshme.

Please follow and like us: