Albspirit

Media/News/Publishing

Rivlerësimi i pronave/Ja llogarite dhe perfitimet

Çdo individ që ka një pasuri të paluajtshme të blerë vite më parë dhe kërkon ta sjellë në vlerën e tregut mund ta bëjë, por koha me normën favorizuese do të jetë e kufizuar deri në mars 2017. Agjentët imobiliarë sqarojnë procedurën që duhet të ndiqet nga individët apo personat juridikë. Kujdes! Ky ligj nuk e shmang tatimin prej 15% të vlerës së transaksionit të vendosur midis blerësit dhe shitësit, por nëpërmjet tij, ai mund të zvogëlohet

Në periudhën 2011–2013, qytetarëve iu dha disa herë mundësia për të rishikuar kontratat e blerjes së pasurive të patundshme me qëllim ‘disiplinimin’ e një tregu që vuante ndjeshëm nga shkalla e lartë e informalitetit. Shumë përfituan e të tjerë jo.
Shansi u dha sërish dhe ligji tashmë është miratuar. Për agjencitë e pasurive të paluajtshme dhe vlerësuesit, kjo ishte një kërkesë e përsëritur ndër vite.
Qëllimi është realizimi i një fushate rivlerësimi për pasuritë e paluajtshme, duke dhënë si stimul pagimin e një tatimi mbi diferencën (pjesa e padeklaruar) me 2% për individët dhe 3% për bizneset, që futen për herë të parë në këtë skemë.
Kjo nënkupton se çdo individ që ka pasuri të paluajtshme të blerë vite më parë dhe kërkon ta sjellë në vlerën e tregut mund ta bëjë, por koha me normën favorizuese do të jetë e kufizuar deri më 31 mars 2017.
Të gjithë ata individë që do të duan të përfitojnë, do t’i nënshtrohen vullnetarisht procesit të rivlerësimit.
Sipas ligjit, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme për subjektet juridike bëhet edhe në kuadër të respektimit të trajtimit të njëjtë dhe duke mos cenuar rregullat e konkurrencës për vlerën e pasurive të paluajtshme në treg. Pra, ashtu sikurse vlera e një pasurie që i përket një individi do të rivlerësohet, edhe vlera e pasurisë që i përket një personi juridik, parimisht, duhet të jetë në të njëjtat kushte, duke respektuar kushtet e vlerës së tregut dhe të parimit të trajtimit të barabartë.
Për qeverinë, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme është një mundësi reale nga e cila mund të përfitojë si qytetari, ashtu edhe sipërmarrësi. Ministri Ahmetaj deklaroi se kur ky ligj u soll për herë të parë në Parlament në vitin 2011, kishte 100 mijë aplikime, pra 100 mijë qytetarë të themi. Në vitin ’92-’94 kishte 500 mijë aplikime në ZRPP, pra ka ende rreth 400 mijë apo diçka më pak qytetarë që atëherë nuk patën mundësinë të përfitonin.

Amnistia, lejon largimin nga vlerat fiktive

Flet Ing. Xheni Jahja, drejtuesja e Agjencisë së menaxhimit të pronave të paluajtshme, Tirana Real Estate

Sipas Ministrisë së Financave për amnistinë fiskale për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme parashikohet: “Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që brenda dhjetor 2016, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme është si më poshtë. Nga kjo e drejtë përfitojnë të gjithë shtetasit që zotërojnë pasuri të paluajtshme pa asnjë kufizim”.
Ky ligj i ndjekur nga udhëzimi i Ministrisë se Financave, vendos në një mjedis fiskal favorizues të gjithë individët, të cilët kanë të regjistruar në Zyrat Vendore të Pasurive të Paluajtshme prona si: apartamente, dyqane, toka bujqësore, troje etj.
Është e rëndësishme të kuptohet qartë se ky ligj nuk e shmang tatimin prej 15% të vlerës së transaksionit të vendosur midis blerësit dhe shitësit, por nëpërmjet tij, ky tatim (15%) mund të zvogëlohet.
Çfarë do të thotë kjo?
Nëse keni në pronësi një apartament, që e keni blerë me një vlerë prej 20,000 euro dhe në këtë moment dëshironi ta nxirrni në shitje me një vlerë prej 100,000 euro (pasi kjo vlerë është e orientuar nga çmimet në treg, fitimi nga diferenca e shitblerjes do të ishte prej 80,000 euro. Taksa që duhet t’i paguani shtetit për realizimin e kësaj kontrate shitblerjeje do të ishte 15% e vlerës ose 12,000 euro, sipas shembullit më lart.
Por, nëse aplikohet për rivlerësim pranë një vlerësuesi të pasurive të paluajtshme të licencuar, apartamentit/pronës i jepet vlera reale/aktuale sipas çmimeve fiskale (në Hipotekë duke iu referuar çmimeve fiskale sipas zonave).
Pra, nëse apartamenti/prona do të rivlerësohej me 100,000 euro (aq sa ju dëshironi ta shisni), do të paguani pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme taksën prej 2% midis vlerës së blerjes dhe asaj të rivlerësimit (pra 2% e 80,000 euro) e vlefshme me 1,600 euro.
Në momentin e shitjes me vlerë 100,000 euro, ju do të taksoheni me 15% midis vlerës së rivlerësimit dhe asaj të shitjes, që do te thotë: 15% (vlerë shitje 100,000 euro – rivlerësim 100,000 euro) = 0 euro.
Në rastin kur kjo vlerë është 0 apo negative ju nuk taksoheni.
Ky është momenti për të përfituar nga kjo amnisti, pasi edhe si vlerësuese e pasurive të paluajtshme gjykoj se mundëson lehtësimin e taksës së transaksionit në një kontratë shitblerjeje, duke prodhuar përfitim për të gjitha palët.
Gjithashtu është momenti i fundit dhe në të njëjtën kohë më i mirë për t’i dhënë pronës vlerën e tregut, duke e larguar përfundimisht nga ato fiktive dhe vështirësitë ligjore që paraqisnin. Një pjesë e popullsisë janë të informuar mbi këtë amnisti dhe po përfitojnë prej saj, por ka shumë të cilët janë të painformuar. Pronat e paluajtshme, të cilat ishin të bllokuara në transaksione për shkak të taksës së konsiderueshme që do të paguhej, përfitojnë nga amnistia dhe janë hedhur në treg me vlerën e tyre reale.

Rivlerësimi rigjallëron ofertat në treg

Flet Estela Ziu, nënkryetare e Shoqatës Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Patundshme

Duke nisur nga 1 shtatori, për 6 muaj deri më 28 shkurt 2017, qytetarët dhe bizneset kanë mundësinë të rivlerësojnë pasuritë e tyre të patundshme. Dilema nëse një ligj i tillë do të hynte sërish në fuqi, ose jo, ishte bërë dhe më e fortë pas vendosjes së tatimfitimit prej 15%. Shumë individë të interesuar kishin tërhequr shtëpitë e tyre nga shitja për efekt të taksës së lartë që duhet të paguanin.
Shoqata e Ndërmjetësuesve të Pasurive të Patundshme (NAREA) prej kohësh ka lobuar në ndërmarrjen e një nisme të tillë. Kjo pasi te të gjitha agjencitë imobiliare vihej re ngërçi i shitjeve prej tatimit të lartë, 15%. Nga kjo nuk përfiton vetëm individi, apo biznesi që shet, por edhe blerësi, pasi hapësira për negocim është më e lartë dhe çmimet mund të jenë më të arsyeshme.
Përveç apartamenteve ekzistuese të regjistruara me një vlerë minimale, do t’u jepet më tepër mundësi klientëve blerës që duan të investojnë në ambiente komerciale, ku diferenca që tatohet mes çmimit të tregut në shitje dhe vlerës së regjistruar është tepër e ndjeshme. Në shumë ambiente pranë rrugëve kryesore, atraktive për biznesin në Tiranë, kjo mund të shkojë deri në dhjetëra mijë euro.
Po marr një rast konkret: një dyqan i regjistruar si ofertë shitjeje me vlerën e tregut 300,000 euro, figuron në Hipotekë me vlerën 20,000 euro. Në rast të transaksionit të shitjes para hyrjes në fuqi të rivlerësimit, shitësi duhet të paguajë në hipotekë shumën 42,000 euro.
Kjo do të thotë që nëse bëhet rivlerësimi, pronari (shitësi/individ) do të paguajë në zyrën e regjistrimit jo me taksën 15%, por 2% çka e çon në 4,000 euro. Në këtë rast, blerësi merr një ofertë që është 26,000 euro më e ulët.
Për arsye të taksës 15%, shumë pronarë ofronin një vlerë ku nuk përfshihej taksa, duke u përpjekur të negocionin që atë ta paguante blerësi.
Pas njoftimit që procesi i rivlerësimit fillon në shtator, shumë shitës nisën vetë të interesohen në uljen e ofertës së shitjes dhe klientë të tjerë që kishin nxjerrë pasuritë e tyre të paluajtshme nga tregu, janë sërish të interesuar të shesin duke pritur shtatorin.
Por edhe ata që nuk e mendojnë si diçka të afërt, inkurajohen të rivlerësojnë pronat. Të gjitha agjencitë që janë pjesë e NAREA-s po ndihmojnë klientët e regjistruar jo vetëm për t’u vënë në dijeni me procesin, por edhe për t’i asistuar nga afër. Qoftë me shërbimin e ofrimit të rivlerësimit me një ekspert të licencuar, edhe me rivlerësimin sipas vlerës minimale fiskale pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të patundshme.
Mjaftoi një nismë e tillë që të rikthehej optimizmi dhe shpresa për transaksione të shpejta si tek ata që blejnë dhe tek ata që shesin. Reagimi është më i ndjeshëm tek individët sesa te bizneset. Tatimi prej 2% kundrejt atij 15%, do të bëjë aktivë në rivlerësimin e pronave të gjithë ata që zotërojnë një të tillë e që duan t’i japin vlerën e tregut duke sjellë më shumë dinamikë në këtë treg, që prej dy vitesh kishte filluar të mbetej në vend.

Vlera

Rivlerësimi i pasurisë nga vlerat historike, në vlerat e tregut, duke marrë si dysheme vlerën minimale fiskale të referuar, do të bëjë të mundur që qytetarët apo edhe sipërmarrjet, të kenë mundësi që në referencë të çmimeve dhe vlerës së pasurisë së tyre të paluajtshme, në ZRPP të kenë vlerën reale të tregut

Pagesa

Pagesa do të jetë 2% mbi diferencën e vlerës së tregut me vlerën historike. E njëjta gjë, si metodologji, ndodh edhe për personat juridikë, por do të jetë 3%

Biznesi

Për personat juridikë, reflektimi i vlerës së tregut të pasurisë së paluajtshme, nuk do të përdoret si vlerë e amortizuar, por do të jetë referencë vetëm për një transaksion të mundshëm

Efektet financiare

Ligji pritet të ketë efekte financiare në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2016, të cilat nuk janë saktësisht të matshme për vetë faktin se procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 1% është bërë edhe në vitin 2011-2013, ç’ka do të thotë që baza e tatueshme nuk është e njëjtë me atë që ka qenë në atë periudhë.

Qeveria, bazuar edhe te të dhënat e dërguara nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2015, ka bërë një përllogaritje mbi të ardhurat e munguara:
– Të ardhurat e munguara nga tatimi i individëve për transferimin e pasurive të paluajtshme, janë në masën rreth 2,1 miliardë lekë në vit, ose rreth 1,06 miliardë lekë, mesatarisht, për 6-mujor.
– Të ardhurat e munguara nga tatimi i subjekteve tregtare për transferimin e pasurive të paluajtshme janë në masën 74,6 milionë lekë në vit, ose 37,3 milionë lekë, mesatarisht, për 6-mujor.

Please follow and like us: