Albspirit

Media/News/Publishing

Vepror HASANI: TVSH rrëmben vëmendjen e humbur të publikut

Ka vetëm pak kohë që Televizioni Publik Shqiptar u bë me drejtor. Vetëm për ketë arsye, deri dje TVSH-ja ishte dhe s’ishte, ekzistonte dhe s’ekzistonte. Prej shumë kohësh kishte mbetur e harruar. Pa lënduar askënd, e vërteta është se Televizioni Publik Shqiptar e kishte humbur vëmendjen e publikut. Askush nuk merrte mundimin të shihte çfarë programesh ishte duke transmetuar. Shikuesi nuk kishte më interes. Mediat private, me të mirat dhe të këqijat e tyre, e kishin përpirë vëmendjen e publikut. Një alternativë më e mirë mbi këto medie nuk ekzistonte.

Tashmë në karrigen e Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit Shqiptar është ulur Thoma Gëllçi. Shumçka po ndryshon. Për shumë njerëz ky është vetëm fillimi. TVSH-ja ka nisur të shtrihet hapësirave të vëmendjes së publikut, tenton të rimarrë gjithçka që ka humbur që nga viti 1990 e këtej. Sot TVSH-ja ka një ide të qartë ku kërkon të mbërrijë: finalja kthimi te publiku.

Sa e vërtetë është kjo? Përgjigjja është e thjeshtë. Nuk e keni vënë re? Nëse të rastis të jesh duke biseduar me miqtë e tu për ndonjë program televiziv, a nuk gjendet aty dikush që të pyet: Po nga TVSH- ja e ke kthyer ndonjëherë këto kohët e fundit?  Që nga ky çast kupton se edhe të tjerët kanë vënë re ndryshimin: “Po, është përgjigjja e tyre, ka patur emisione të bukura, kam filluar ta ndjek.

Eqerem Avdolli, banues në Vashtimi në një nga fshatrat më të mëdhenj të Korçës, na tregon këtë histori: Televizionin Shqiptar e kisha shënuar te zeroja, (numri zero) sepse kisha kohë që nuk e kontrolloja çfarë emisionesh jepte dhe çfarë nuk jepte. Një mëngjes, në një nga lokalet e Vashtmisë, ku ishin mbledhur shumë njerëz, dikush ngriti zerin e i tha pronarit të lokalit: Çoje njëherë nga Tirana! Kështu e quajnë ndryshe TVSH-në, “Tirana”. Të them të drejtën të gjithë panë të habitur nga ai që kishte folur. Ndoshta e kishte zënë malli për kohë të shkuara. Çfarë do të gjenim të veçantë te Televizioni publik Shqiptar?

Mirëpo e vërteta nuk kishte qenë tamam kështu. Të gjithë e kishin vënë re se TVSH-ja po ofronte model tjetër. Rizbulimi i thesareve të saj, të krijuara ndër vite po ofroheshin me nderimin dhe vlerësimin që meritojnë krijuesit. Programet e transmetuara kishin qenë nga më të bukurat, madje të shumta, si dokumentarë shqiptarë: “Shqipëria në fokus-Korça” “Perla e fshehur e Vjosës”, “Gjirokastra”, “Ballkoni i bukurisë” etj, dokumentarë të huaj: “Ndërgjegjja e Europës”, “Rrobaqepësit e mëdhenj”, filma: “Erë ndryshimesh”, “Lamtumirë të dashurit e mi”, “Krijimi” etj.

Eqerem Avdolli na tregon edhe diçka tjetër: Tashmë, që nga ajo ditë, shoh më së shumti Televizionin Shqiptar. Humori që po na ofron ka qenë i shëndetshëm. Mund ta ndjekësh pa merak me të gjithë anëtarët e familjes; me nusen, me djalin, me çupën e me këdo tjetër, pa frikën se dikush nga aktorët do të pëlcasë pa takt një fjalë të turpshme, që në raste të tilla të bën të ulësh kokën.

Sepse kështu ndodh gjithnjë: kur nuk bën dot artin e vërtetë, bën artin e rrugës, por kaq mjafton që të ta prishë humrin e ditës, edhe pse ke qenë duke ndjekur një program humori! Perlat e humorit të sjella nga TVSH-ja po sjellin atmosferë tjetër te njerëzit, pse jo edhe shumë nostalgji. Edhe komeditë dhe dramat e shfaqura prej saj kanë qenë nga më të mirat, si: “E shtuna gazmore e një qyteti”, “Tre shokët pa shërbyesen”, “Natë me hënë” etj.

Fola vetëm për të rriturit, por në këtë televizion gjejnë veten edhe fëmijët, programet janë të shumta. E di këtë se kam një mbesë. Kur ajo ngrihet nga gjumi TVSH-ja është duke dhënë programe fëmijësh, si: “Pinoku”, “Tao Tao”, teatër kukullash, “Lulja dhe Shega” etj.Tani nuk e mbaj më TVSH-në te zeroja, e kam çuar te njëshi (numri 1), sepse për mua është televizioni që po shkon drejt njerëzve. Tani e kuptoj sa i lodhur kam qenë me televizonet e tjera, kur që në fillim e dija se “ky” mban anën e PD-së nga mëngjesi në darkë, kurse “ai” anën e PS-së nga darka deri në mëngjes, ndërsa programet për njerëzit i kanë vërtet shumë më të pakta nga ajo çka po na ofron TVSH-ja.

Të njëjtën gjë dëgjon edhe në qytetin e Korçës, edhe në Pogradec, edhe në Bilisht, ndoshta në të gjithë vendin, kurse në Ersekë për Thoma Gëllçin të flasin me respekt të veçantë: “Gëllci është djali i Kolonjës të thonë, sa herë që ka patur detyra të rëndësishme na ka nderuar. I urojmë punë të mbarë për një TVSH ndryshe nga këto 26 vjet që na kanë lodhur”.

Please follow and like us: