“Zjarri i Reichstag-ut” i Erdoganit
Politico.eu
Evropës dhe Amerikës tani i duhet të merret me pasojat e një puçi të dështuar në Turqi.
Berlin — Edhe pak para të shtënave të fundit në orët e para të së shtunës së 16 korrikut ishte më se e qartë se presidenti Rexhep Tajip Erdogan nuk do ta linte që t’i shkonte kot një përpjekje për grusht shteti. Cilatdo që të kenë qenë shpresat e fanitura të Uashingtonit dhe Evropës për Turqinë se Erdogani do të hakmerrej shumë ashpër pas puçit të mbetur në tentativë dhe populli turk bashkë me opozitën politike do të reagonin në emër të idealeve të demokracisë, ato u fashitën shumë shpejt.
Nuk patën kaluar vetëm pak orë dhe filloi menjëherë spastrimi në radhët e gjyqësorit dhe ushtrisë. Megjithëse do të duheshin muaj për të kuptuar se ç’do të thonë këto “spastrime” për të ardhmen e Turqisë, kaq është e qartë: marrëdhëniet e vështira të Ankarasë me Perëndimin tanimë u ndërlikuan edhe më.
“Ai pati një mundësi të artë për të ndryshuar narrativë, – është shprehur Jonathan Eyal, zv. drejtori i “Royal United Service Institute”, njëthink tank britanik. “ – Mirëpo ai zgjodhi rrugën e hakmarrjes dhe lënies së precedentit. Kjo i ka bërë edhe më të vështira mundësitë që aleatët e tij perëndimorë të mund t’i qëndrojnë në krah.”
“Pa dyshim, ajo që po shohim tani është konsolidimi i një forme të re të një regjimi autoritar, por me premisa populiste, – ka deklaruar Ajshe Kadiogllu, profesore pranë Universitetit “Sabanxhë”.
Erdogani i ka pasur të tendosura marrëdhëniet me Perëndimin, duke filluar nga sulmet e Turqisë ndaj kurdëve, deri te Siria dhe kriza e refugjatëve. Mirëpo ajo që i ka tensionuar më shumë marrëdhëniet ka qenë regjimi autoritar në rritje i presidentit turk, veçanërisht sulmet e tij ndaj medias kritike dhe opozitës, diçka kjo që mund ta kthejë Turqinë drejt një sistemi plotësisht ditaktorial.
Shumë zyrtarë dhe analistë perëndimorë parashikojnë se grushti i shtetit i parandaluar do të kthehet në “zjarrin e Rajhshtagut” të Erdoganit, nëse do të kujtojmë aktin kriminal të vënies së zjarrit ndaj parlamentit gjerman në vitin 1933, që i shërbeu Hitlerit për të pezulluar liritë dhe të drejtat themelore dhe kjo shënoi pikënisjen e diktaturës naziste.
“Pa dyshim, ajo që po shohim tani është konsolidimi i një forme të re të një regjimi autoritar, por me premisa populiste, – ka deklaruar Ajshe Kadiogllu, profesore pranë Universitetit “Sabanxhë” në një ese të shkruar për “Open Democracy”. – Me sulmet ndaj medias, lirive akademike, arrestimeve të njëpasnjëshme dhe dhunën në rritje në rajonin e Jug-Lindjes, individët po përballen me kufizimin e ndjeshëm të lirive themelore të tyre në këto vitet e fundit. Grushti i shtetit i dështuar në 15 korrik ngjan t’i ketë vënë pikën.”
Si edhe në “zjarrin e Rajhshtagut”, për të cilin nazistët patën akuzuar një anarkist holandez, do të jetë paksa e pamundur që të thuash me siguri se kush qëndron pas tentativës për grusht shteti. Nëse lidershipi turk do ta përdorë këtë ngjarje për të bërë amendamente në Kushtetutë, që do t’i jepnin autoritet të pakufizuar Erdoganit, siç po ndodh tani, megjithëse mund të duket sikur nuk do të lërë gjurmët e saj në të ardhmen.
Duke e ditur mirë se Perëndimi ka nevojë për ndihmën e tij për të luftuar kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik, apo për t’i mbajtur ai refugjatët sirianë, Erdogani e ka pasur të lehtë t’i shpërfillë kritikat e ardhura nga ana e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.
Kërcënimet e një “lufte serioze”
Sinjalet e dhëna nga kampi i Erdoganit menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti tregojnë se marrëdhëniet e vështira do të rëndohen edhe më shumë.
Edhe pse presidenti i SHBA-ve e denoncoi përpjekjen për grusht shteti, para se të ndodhnin ato që pasuan natën e 15 korrikut, dhe shprehu se ata qëndronin në mbështetje të presidentit Erdogan, lidershipi turk e akuzoi Uashingtonin se fshiheshin edhe ata pas këtij grushti shteti.
Kryeministri turk, Binali Jëlldërëm shkoi deri aty sa të deklaronte se Shtetet e Bashkuara “do ta përfshinin veten në luftë serioze” me vendin e tij” nëse nuk dorëzojnë Fethullah Gylenin, klerikun turk me vendbanim në Shtetet e Bashkuara, të cilin Ankaraja e cilëson si arkitektin e grushtit të shtetit.
Akuzat e drejtuara ndaj Uashingtonint, të papritura prej një aleati të NATO-s, bënë që Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri, të shfaqej me një deklaratë tejet të nervozuar.
“Akuzat apo insinuatat e bëra publike për përfshirje të Shteteve të Bashkuara në grushtin e shtetit të dështuar janë kryekëput të rreme dhe të dëmshme për marrëdhëniet tona dypalëshe,” – u shpreh ai.
Lajmi i bërë publik në shtypin turk ditën e diel, se Erdogani do të bëjë një vizitë në Rusi, ku do të takohet edhe me homologun e tij rus, do të kontribuojë shumë pak për qetësimin e ujërave.
Ndërkohë që Uashingtoni, i cili është i detyruar t’i ndërmarrë sulmet e tij kundër ISIS-it prej bazës ajrore turke të Inxhirlikut, ka shumë për të humbur prej dëmtimit të marrëdhënieve të tij me Ankaranë, Evropa ka edhe më shumë se ç’të humbasë.
Refugjatët në këmbim të vizave
Marrëveshja me Erdoganin për strehim të miliona refugjatëve sirianë, duke i paraprirë kalimit të tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian duket sikur arriti të ndihmonte në fashitjen e një krize politike të madhe që e përçante BE-në si asgjë tjetër në historinë e saj të pas Luftës II Botërore.
Në këmbim të ndihmës së Turqisë, Bashkimi Evropian ra dakord që të dërgonte miliarda euro mbështetje dhe të hiqte regjimin e vizave me Turqinë. Erdogani tani kërcënon se do ta prishë marrëveshjen për refugjatët nëse Evropa nuk heq regjimin e vizave brenda këtij viti.
Ndërkohë që Evropa i kërkon Turqisë që të përmbushë një listë me kërkesa demokratike, në të cilat përfshihet një sistem i pavarur i drejtësisë, para se ajo të përmbushë premtimin e saj për liberalizim të vizave. Mirëpo pas largimit nga detyra të mijëra gjyqtarëve prej Erdoganit në fundjavën e grushtit të shtetit, përfshi këtu edhe anëtarë të gjykatës së lartë, ngjan disi e pamundur që të pritet prej shtetit turk që ta kalojë testin.
Një tjetër pengesë të madhe përbëjnë edhe ligjet antiterror të Erdoganit, të cilat janë kundërthënëse, madje i lejojnë qeverisë që të kufizojë deri edhe lirinë e shtypit, apo të arrestojë aktivistë të ndryshëm
“Demokracia më e mirëështë ajo që respekton të drejtat e të gjithëve dhe i mbron pakicat.” — Angela Merkel.
E zgjuar me një tentativë për grusht shteti, vështirë që Turqia të bjerë dakord për t’i qetësuar disi ujërat pikërisht në këtë kohë.
Në fakt, komentet e bëra gjatë fundjavës së grushtit të shtetit prej zyrtarëve turq, të cilat arrinin deri aty sa të sugjeronin edhe rikthim të ligjit të dënimit me vdekje, tregojnë se Turqia është duke ecur në drejtimin e kundërt.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila, njësoj si Obama, e denoncoi përpjekjen për puç ushtarak dhe u shpreh se ishte në krah të Erdoganit, nuk e përfundoi deklaratën e saj pa bërë thirrje për ruajtjen e demokracisë nga ana e Turqisë.
Pasi është shprehur se shpreson që Turqia ta kapërcejë këtë periudhë të dhunës, Merkeli ka thënë: “Demokracia më e mirë është ajo që respekton të drejtat e të gjithëve dhe i mbron pakicat.” Marrëdhëniet e fundme të Erdoganit me Berlinin kanë qenë edhe më problematike se ato me Uashingtonin. Një rezolutë e kohëve të fundit e parlamentit gjerman që deklaron se masakra armene e ndërmarrë nga Perandoria Osmane në vitin 1915 është një gjenocid shkaktoi një reagim tejet të ashpër nga ana e liderëve turq.
Që prej atij votimi, Ankaraja ua ka ndaluar përfaqësuesve të parlamentit gjerman që të vizitojnë trupat e tyre të vendosura në Turqi. Merkeli e ngriti këtëçështje muajin e shkuar edhe në Samitin e NATO-s në Varshavë, mirëpo Turqia refuzoi që të bënte hap mbrapa.
Tani, gjithë këto tensione, pyetja më e rëndësishme është se sa vullnet do të ketë Evropa për ta mbajtur të gjallë paktin e bërë për refugjatët.
Mendimi ynëështë se Erdogani, duke mos dashur që regjimin pa viza ta fitojë përmes realizimit të kërkesave nga ana e BE-së, do të ishte dakord që të merrte edhe më shumë ndihma ekonomike. Por edhe Evropa, e cila ka dyshime të mëdha nëse duhet t’ua mundësojë turqve udhëtimin pa viza në zonën Schengen, do të ishte e lumtur që të binte dakord në terma ekonomikë.
“Askush nuk është i interesuar në realizimin e plotë të kësaj marrëveshjeje, por nuk është i interesuar as në kolapsin e saj përfundimtar,” – është shprehur Eyal-i, nga “Royal United Services Institute”.
Link: http://www.politico.eu/article/erdogans-reichstag-fire-turkey-coup-attempt/