Adrola Dushi dhe Troi: Udhëtimi ynë i pazakontë
Kur më në fund mbërriti në Tiranë, pas një kohe në Shtetet e Bashkuara, druhej që Troi nuk do i afrohej. Është vetëm dy vjeç e gjysmë dhe, muajt e fundit, kishte kaluar më shumë kohë pa të ëmën, sesa me të. Nëse do largohej, nëse do zgjidhte të kthehej në krahët e të atit, Adisit, apo te lodrat e tij, nuk do ishte diçka e papritur. Mirëpo ai e pa, qeshi fort dhe vrapoi drejt saj për ta përqafuar…
“Ishte gjëja më e bukur që mund të më imagjinohet. Fëmija është gjithë bota. Njerëzit kërkojnë para, famë, sukses, por asgjë, asgjë nuk krahasohet me buzëqeshjen e fëmijës tënd. Në atë çast unë isha njeriu më i lumtur në botë”, thotë Adrola Dushi.
Tani e ka marrë Troin me vete. Është nisur sërish për në Shtetet e Bashkuara, por bashkë me të birin. Në atë destinacion që atyre të dyve u përshtatet më shumë sesa mund të imagjinohet. Ai është lindur atje, ndërsa ajo ndien sikur ka lindur për atë vend. Dhe mos imagjinoni ndërtesat e larta, trafikun e çmendur, dritat që nuk shuhen kurrë…Dhe as reklamat e mëdha të qytetit apo faqet e revistave prestigjioze të modës. Të gjitha këto, Adrola me siguri i pëlqen, por nuk është vetëm prej tyre që tërhiqet drejt Amerikës prej vitesh, deri në pikën sa ka bërë edhe sakrificën më të madhe për një nënë: të largohet për javë dhe deri muaj nga i biri. “Unë Amerikën e dua për pavarësinë që të jep jeta në atë vend. Në Shqipëri, edhe nëse punon fort, nuk të mjafton që të jesh plotësisht e zonja e vetes, siç do doje. Ndërsa në Amerikë është ndryshe. Nëse punon, ti je e pavaruar! Unë jam rritur me idenë që të çaj vetë në jetë dhe Amerika është vendi i duhur për këtë”.
Sigurisht, situata e saj është pak delikate…Ka një djalë të vogël me vete dhe një partner që ka ngritur jetën në Tiranë, por tani ajo ka mësuar që mund t’ia dalë edhe kur të gjithë mendojnë që është e pamundur. Për më tepër ka familjen në Amerikë, që do e mbështesë në rritjen e djalit dhe Adisi po përpiqet për të nxjerrë dokumentet që do i lejonin qëndrimin në SHBA. Ka edhe një mikeshë, Xhesika Berberin, e cila e ka nxitur që në fillim për të nisur karrierën në Amerikë dhe me të cilën tani po ndan apartamentin në Manhattan. Gjithçka tjetër është për t’u provuar. Rruga nuk është e shtruar, por Adrola nuk e ka pasur ndonjëherë dhe as e kërkon si kusht për të nisur udhëtimin! Të paktën, tani që nuk e ka kokën pas për Troin, do e ketë më të lehtë.
Adrola dhe Troi, edhe një herë nga fillimi
Gjatë këtyre dy viteve e gjysmë të jetës së Troit ata e kanë bërë disa herë këtë fluturim të gjatë bashkë. Troi ka lindur në SHBA dhe mama e bir u kthyen në Shqipëri kur ai ishte dy muajsh. Më pas kanë shkuar sërish kur Adrola kishte disa projekte, por nuk qëndroi sepse duhej të merrte çdo ditë trenin për të shkuar aty ku realizoheshin fotot e të kthehej sërish te Troi që në atë kohë e ushqente me qumësht gjiri. Këtë herë, shpreson që do ia dalë për të qëndruar gjatë…Sigurisht nuk është gjëja më e zakontë në botë që një 22-vjeçare të jetë nënë dhe për më tepër modele, me kërkesën e domosdoshme për linja të përkryera dhe fytyrë të freskët, pavarësisht orëve pa gjumë, por nëse historia e saj do ishte e zakonshme, nuk do ishim duke folur për të. Dhe, nëse historia e Adrolës, pushoi së qeni e zakonshme që kur u shpall Miss Universe Albania në vitin 2012, kur mbeti shtatzënë, një vit më vonë, u kuptua që nuk do të ishte më kurrë e tillë. Dhe Adrola është mësuar me idenë. “Vitet e fundit kanë qenë shumë të ngjeshur me ngjarje që as nuk i kisha menduar, por rëndësi ka që janë të bukura.”
Ishte vetëm 19-vjeçe, studente, me shumë plane dhe gjithçka ndryshoi kur mësoi që priste një fëmijë. “Më kujtohet që kalova një periudhë me shumë dyshime, m’u përmbysën shumë plane, nuk dija më çfarë të bëja…Shtatzënia ishte e mbarë, unë isha mirë fizikisht, por mendjen e kisha të turbullt”, tregon Adrola. Por kjo gjendje nuk do të zgjaste shumë. “Më pas erdhi në jetë kjo dashuri, për të cilin ia vlen gjithçka”. Adrola pati një lindje natyrale, lindi në Shtetet e Bashkuara ku kishte familjen, duke i dhënë shtetësi amerikane të birit dhe e ushqeu me qumësht gjiri deri një vjeç e gjysmë, edhe pse ndërkaq i ishte rikthyer modelingut. Gjatë kësaj kohe, ajo dhe Adisi organizuan edhe dasmën, ku Troi ishte i ftuari më i rëndësishëm. Kishin krijuar tashmë familjen e tyre dhe Adrola u ishte kthyer studimeve për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun, ashtu si dhe projekteve profesionale. Dukej sikur gjithçka vazhdonte rrjedhën e mëparshme, por ndërkaq kishte ndryshuar një herë e përgjithmonë. “Kur bëhesh nënë ti ndjen papritur që asgjë dhe askush nuk mund të vihet përpara fëmijës dhe nuk të hyn asgjë tjetër në sy sa ai. Fëmija është gjithçka…”
Nuk është nga ato mamatë e fiksuara, që alarmohen nëse fëmija laget me ujë, përkëdhel një mace, apo vrapon pas një topi, por nëse Troi nuk ndihet mirë, do bënit mirë të mos i afroheshit…“Unë jam tip i lirë dhe nuk dua që Troi të rritet me kufizime, e lë të vrapojë e të eksplorojë dhe nuk jam nga ato mamatë që bëjnë skena në çdo hap të fëmijës, por nëse ka diçka serioze, gjithçka ndryshon. Te Troi nuk toleroj asgjë. Kur ai është sëmurë, nuk lë njeri t’i afrohet.”
Është bërë mama shumë e re, por kjo nuk e pengon, siç nuk pengon askënd, të jetë mama e vërtetë, me të gjithë zotësinë e mundshme për t’u kujdesur dhe gjithë dhembshurinë, që do ishte humbje kohe ta diskutonim. Edhe pse puna e ka larguar për disa javë e muaj nga ai, ajo di shumë mirë çfarë duan të thonë shprehjet e tij të fytyrës, di si ta qetësojë, di çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk duron dot, çfarë e bën për të qeshur dhe çfarë e mërzit, ajo është e para që e ka mbajtur mbi kraharor dhe që ai i ka drejtuar fjalën e tij të parë: mami! Kështu që, edhe pse për gjithë botën mund të jetë një modele 22 vjeçare, për Troin, Adrola, është mamaja ideale, që do bënte gjithçka vetëm që ai të mos mërzitej.
“Herën e fundit kam vuajtur shumë larg Troit dhe pata edhe një provë shumë të vështirë. U ktheva nga ShBA dhe më duhej të nisesha në Varshavë, për një javë, për një projekt mode, pas pesë orësh. Troin kisha më shumë sesa një muaj pa e parë dhe po çmendesha nga malli, por e dija që po ta takoja dhe të ikja prapë, do e trondisja. Kam qëndruar ato orë në Tiranë, pa e takuar. Ishin orët më të vështira të jetës sime”. Por pas një jave ama, kur ai e njohu dhe vrapoi drejt saj duke i qeshur, ishte dita më e bukur e jetës…Ja, kësaj i thonë që fëmija është njeriu më i rëndësishëm i jetës. Konkretisht që Troi, është njeriu më i rëndësishëm për Adrolën, që kur e mbajti për herë të parë në krahë. Dhe duken aq të ngjashëm ata të dy, edhe pse Adisi nuk do thoshte të njëjtën gjë.
Troi ka të njëjtët sy të mëdhenj shprehës që bëjnë përshtypje te një fëmijë aq i vogël, aq sa mendon, sapo e shikon, që do ishte një model shumë i mirë. Ia kanë thënë shumë njerëz Adrolës, por ajo mendon që është ende i vogël. Dhe megjithëse të gjithë e njohim nga fotot e rrjeteve sociale, është hera e parë që Adrola pranon të realizojë një kopertinë reviste me të, sepse do që të vazhdojë i qetë fëmijërinë e tij…Nëse një ditë do pozojë para një aparati profesional për ndonjë poster, kjo do ndodhë më vonë. Krejt ndryshe qëndron puna për Adrolën. Koha e saj është tani…dhe nuk mund të humbasë më prej saj.
Mir(ë)dita-Amerikë!
Fadil Berisha, ai që i besoi kurorën e Miss Universe Albania-s, katër vjet e gjysmë më parë dhe që tregohet kurdoherë i gatshëm për ta mbështetur dhe modelja Xhesika Berberi, që ka arritur të ndërtojë karrierën e saj në SHBA, janë dy njerëzit që i kanë dhënë shpresë të parët që do mund të ecë përpara edhe në SHBA. “Në Amerikë nuk mund të shpresosh te bukuria, atje ka nga të gjitha llojet e bukurisë, është një vend shumë i madh, me shumë vajza të bukura, por Xhesika, apo dhe profesionistë të tjerë të modës, më thonë që u pëlqen energjia ime. Ndoshta kjo, që as unë vetë nuk e di mirë çfarë është, do të më ndihmojë.”
Adrola ka vendosur ta sfidojë veten. “Nëse ia dola në Tiranë, kur erdha nga Rrësheni, 17 vjeçe, do ia dal edhe në Amerikë, mendoj shpesh me vete”. Dhe kur erdhi, në atë kohë, nga Mirdita në Tiranë, as nuk mendonte që do të bëhej modele. Ishte një vajzë shumë e bukur, por që siç e pranon pa asnjë kompleks, as nuk dinte të ecte me taka e jo më të sfilonte. Por ja që mori pjesë në Miss Universe Albania dhe e fitoi sepse Fadil Berisha, mesa duket, e kishte parë te Adrola, shkëndijën e gjithë modeleve të suksesshme që nuk janë as më të bukura, as më të dobëta dhe as më të gjata se të tjerat. Janë origjinale! Kanë diçka unike, të vërtetë, diçka të pazbutur përbrenda dhe të veshur me një bukuri të pavetëdijshme nga jashtë. Por sigurisht Manhattan-i është shumë më ndryshe nga Tirana, mbi të gjitha prej ndryshimit mes kulturës amerikane dhe shqiptare e aq më tepër në fushën e modës, ku Shqipëria është ende në hapat fillestare. “Në Shqipëri, nuk ka parime bazë, kushdo bën si ta mendojë, kushdo mund të bëhet modele, ndërsa atje ka një koncept tjetër për modën, për fotot, për kontratat e punës, gjithçka…”
Ka realizuar disa shërbime fotografike për disa kompani veshjesh gjatë muajve të kaluar dhe e ka parë nga afër si funksionon gjithçka atje. Ka kontrata pune edhe në Zvicër, Gjermani dhe Austri dhe e njeh tashmë filozofinë ndërkombëtare në këtë sektor, por di që gjithmonë duhet të punojë shumë. “Puna e modeles është shumë e lodhshme. Unë vetë kam punë për të bërë për tonifikim e trupit, sepse atje standardet janë rigoroze. Duhet të realizoj edhe foto të reja për Book-un që do prezantoj nëpër kompani sepse edhe koncepti i fotove është ndryshe…Nuk është aspak e lehtë. Konkurrenca është shumë e madhe”, tregon ajo, por me një ton zëri që përdoret për të rrëfyer realitetin qe e njeh, jo atë me të cilin duam t’i japim rëndësi asaj që po na ndodh në jetë. Adrola nuk e ka këtë merak. Dhe për fatin e saj, duket që ka pak shqetësime të tilla. Madje ajo merr në sy gjithçka dhe nuk ngurron ta shprehë hapur atë që i kalonte në kokë, pak ditë para nisjes, kur është realizuar intervista dhe fotot për revistën Class.
“Sa kohë kam këmbë e duar, do punoj dhe do jetoj, edhe sikur mos të më ecë si modele” dhe, megjithëse me një fytyrë që, e pagrimuar, duket si prej bebeje, të bind! Ndoshta sepse kjo frazë sot nuk përdoret më, aq më pak nga vajzat e bukura dhe nëse ajo e përdor shprehjen e dalë mode, i bie që e mendon vërtet.
Sikur Adrola të ishte aq e zakontë, nuk do ishim duke folur për të dhe udhëtimin e saj, që ia ka bërë edhe më të bukur Troi, shfaqur tashmë në kopertinën e tij të parë…
/Class/