Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë më mësoi një grusht shteti për mposhtjen e Trump

Geng NGARMBOONANANT*

Jemi përballur me një demagog gjatë një sezoni të tërë zgjedhjesh. Por si mund të shmangim mpirjen e trurit nga politikat e tij korruptive?

Aktivistët në Bangkok e kanë një përgjigje.

Dy vjet më parë, gjeneralët ndërmorrën një grusht shteti në Tajlandë. Kjo nuk është e pazakontë: vendi ka vuajtur nga dhjetëra grushte shteti në më shumë se 80 vjetët e fundit. Unë me familjen time kemi përjetuar dy prej tyre. Në secilin rast, përgjigja dukej e njëjtë. Qytetarë të zemëruar do të marshonin përgjatë qendrës së Bangkokut, më pas do të tërhiqeshin në jetët e tyre personale kur hapeshin shkollat dhe dyqanet. Duke parë ndjeshmërinë e vendit ndaj autoritarizmit, regjimi ushtarak është shndërruar në normalitetin e ri.

Kështu, një grup aktivistësh shpikën taktika të reja për të mbajtur njerëzit të angazhuar. Duke sfiduar urdhërin e ndalimit të mbledhjeve politike, studentët nga universiteti Thammasat nisën të japin falas “sanduiçë për Demokracinë”, për një piknik që do të mbahej në lagjen e blerjeve në Bangkok. Aktivistët më pas ndërprenë jetën e përditshme të qytetit me lexime në heshtje të librit “1984” të Xhorxh Oruellit. Në disa ditë të caktuara, ata inkurajuan qytetarët në mbarë vendin të visheshin me të zeza që kishte domethënien e pakënaqësisë së tyre kolektive, veshje që unë vetë i pashë në një numër të madh restorantesh dhe qendrash tregtare në qendër të Bangkokut.

Këto taktika nuk nxitën një revoltë masive, mirëpo, unë kuptova, se ato nuk kishin këtë për qëllim. Ato synonin të ishin kujtesa simbolike të regjimit ushtarak, me shpresën se vendi nuk do të kalonte i përgjumur në këtë rrugë të transformimit të vet politik. Dhe ata u dhanë njerëzve mënyra për t’u ndjerë të përfshirë.

Ka një mësim për Amerikën në gjithë këtë.

Donald Trump ka demonizuar meksikanët dhe muslimanët, i ka quajtur gratë “derr” dhe i ka parë si objekte afro-amerikanët. Ai ka kërcënuar lirinë e shtypit dhe ka nxitur supremacinë e të bardhëve. Dhe disa liderë republikanë e kanë mbështetur atë duke e përfshirë në autoritetetin e rrymës kryesore politike të partisë Republikane, duke e bërë edhe kandidat zyrtar.

Edhe nëse ai humbet, unë shqetësohem se amerikanët mund të normalizohen me pikëpamjet e Trump. Ashtu si tajlandezët nisin t’i mendojnë grushtet e shtetit si normale, amerikanët mund poashtu të nisin ta shohin retorikën e urrejtjes së tij si gjë të zakonshme. Konfliktimi i Trump me Khizr dhe Ghazala Khan mund të na ketë tronditur të gjithëve, por sa prej nesh e vënë re akoma aktet më të vogla të paragjykimeve dhe rracizmit në tubimet e tij të përditshme apo në ato që shkruan në rrjetet sociale? Në një pikë, efekti i tronditjes do të kalojë. Dhe kur të kalojë, morali i tij i falimentuar do të bëhet i yni.

Çfarë duhet të bëjmë?

Aktivistët tajlandezë më kujtojnë sociologun e ndjerë Pierre Bourdieu, i cili na ka paralajmëruar sesi sjelljet radikale mund të shndërrohen në sjellje shoqëroe kur përsëriten gjatë mjaftueshëm. Trajtimi që sjell Bordieu është “kundërtrajnimi”. Ai refuzon idenë leniniste që idetë e vërteta mund të mposhtin zakonet e këqija, duke pohuar se përfshirja në këto zakone është shumë e fortë që të zotërohet vetëm përmes mendimit të mirë. Në vend të kësaj, ai bën thirrje për veprime të vogla të sfidimit, të ngjashme me ato të ndërmarra nga protestuesit tajlandezë. Ashtu si përpiqemi të tejkalojmë zakonet tona nga të cilat kemi krijuar varësi, ashtu edhe duhet të shpikim veprime të reja në jetën e përditshme për të ndaluar normalizimin e Donald Trump.

E kjo nis me mënyrën sesi i referohemi.

Një nga dështimet më të mëdha të shtypit tajlandez ishte përdorimi vetëm i titullit formal “kryeministër” për të përshkruar organizatorin  e grushtit të shtetit, pasi ai fitoi votëbesimin e manipuluar, në një parlament që e kishte caktuar vetë, e kjo e mbështolli atë me një mbulesë legjitimiteti. Për të shmangur të njëjtin gabim, ne duhet të shkojmë përtej identifikimit konvencional të kandidatëve me anë të emrit të partisë ku përkasin. Titulli i Trump si kandidati republikan nuk përfshin faktin që ai nuk është një kandidat normal republikan. Në çdo artikull, fjalim apo bisedë pas darke, ne duhet t’i referohemi Trumpit si një nga populistët më ksenofobë dhe me prirje autoritariste në historinë politike moderne amerikane.

Komedia ndonjëherë ndihmon për të treguar historinë. Kur diktatori tajlandez doli me teoritë e tij konspirative, një grup qytetarësh me humor mblodhën së bashku pjesë videosh muzikore. Në kundërshtim me deklaratat e drejtpërdrejta, ky lloj humori çarmatos, duke më detyruar të reagoj dhe të përfshihem nga përmbajtja. Humori me figurat autoritare është madje, edhe më efektiv, si p.sh shakaja e Hillary Clinton që tha se duhet “t’ia lëmë psikiatërve të shpjegojnë afrimitetin e tij me tiranët”.

Goditja më e fundit duhet të vijë, sidoqoftë, nga vetë partia Republikane. Ashtu si dezertimet dobësojnë një juntë ushtarake, edhe një revoltë masive e kongresistëve amerikanë mund të ndajë marrëdhëniet e Trump me votuesit e pavendosur. Rebelimet kanë një fuqi simbolike: ato i japin fund rregullave tradicionale dhe normave, dhe në këtë gjë, trondisin elektoratin duke e bërë të reflektojë. Mungesa e mbështetjes nga senatori Ted Cruz duhet të shërbejë si një shembull për të gjithë republikanët e tjerë në kongres.

Ndërsa fushata e zgjedhjeve presidenciale nis shpejt zyrtarisht, ne duhet të mposhtim normalizimin e Trump përveç atij vetë si kandidat. Kur mbeten të pakontrolluara, zakonet shoqërore mund të zënë vend në kulturën tonë. Dhe ashtu si është e vërtetë në jetët tona personale, sjelljet që ne pranojmë, në fund, përcaktojnë edhe se çfarë njerëzish  bëhemi.

*Geng Ngarmboonanant është konsulent menaxhimi në “New America”. Ai është rritur në Bangkok në Tajlandë dhe aktualisht jeton në Nju Jork. Opinioni është botuar në “The Washington Post”.

Please follow and like us: