Albspirit

Media/News/Publishing

Sadije Berisha rrëfen ndarjen

Pavarësisht artikujve apo thashethemeve që kanë qarkulluar prej kohësh në lidhje me ndarjen e djalit të ish-Kryeministrit Berisha dhe nënës së dy fëmijëve të tij, vetë Sadije Berisha ka thyer heshtjen, duke rrëfyer për herë të parë në një intervistë, të vërtetat e divorcit. Arsyet e saj janë krejt ndryshe dhe duket se hedhin poshtë gjithë versionet që kemi lexuar deri më tani. Përkundër mediave që shkruajtën se ishte Armina Mevlani, partnerja aktuale e Shkëlzen Berishës, shkaku i ndarjes së tyre, vetë Sadija rendit për “Living” një sërë problemesh të cilat çuan në prishjen përfundimtare të çiftit.

“Që në fillim mundësitë kanë qenë kundër nesh. Kjo fillon që nga diferenca në moshë, te mospranimi i familjes, faktin që ishim rritur në vende të ndryshme, në mënyra të ndryshme dhe me mendësi të ndryshme”, rrëfen 49-vjeçarja, duke shtuar se kriza mes tyre nisi në vitin 2007, kohë kur Shkëlzeni braktisi Suedinë për t’u rikthyer në Tiranë.

“Fillimi i fundit erdhi me kthimin e tij në Shqipëri”, tregon e keqardhur ish-gruaja e Shkëlzen Berishës e cila këto ditë të nxehta vere është thirrur në ndihmë nga mikesha e saj aktorja Elia Zaharia, për t’u marrë me përgatitjet e dasmës mbretërore.

Nga ana tjetër, Sadije Berisha pohon se momentalisht po përjeton një lidhje të re dhe është e lumtur. Por siç thotë edhe ajo vetë me humor, nëse do të kishte një martesë tjetër, do t’i ngjante as më pak e as më shumë se aktores së njohur për lidhje e ndarje të shumta, Elizabeth Taylor.

Sadije Berisha mund të duket e re dhe në formë, por ish-gruaja e Shkëlzen Berishës është nënë e katër fëmijëve. Dy më të mëdhenjtë nga martesa e saj e parë janë rreth të 25-ave. Ndërkohë që, menjëherë pas disa muajsh njohje me Shkëlzenin, (ai 11 vjet më i vogël), mbeti shtatzënë dhe pas 6 muajsh ata u martuan, pavarësisht se familja e ish-Kryeministrit Berisha e kundërshtoi dhe nuk qenë të pranishëm në ceremoni për shkak të diferencës së moshës dhe kohës së shkurtër që u mor vendimi. Pas lindjes së vajzës, Medinës, në vitin 2006 erdhi në jetë djali, Laidoni. Në vitin 2007, Shkëlzeni u kthye në Shqipëri ndërkohë që sipas Sadijes, këtë kohë nisi dhe kriza. Vetë Shkëlzen Berisha nuk është shprehur ndonjëherë publikisht në lidhje me ndarjen e shumëpërfolur. Sipas shkrimeve në media dhe intervistave të publikuara, 6 vite pas shpërnguljes në Tiranë, pra në vitin 2013, djali i ish-Kryeministrit Berisha njohu bukuroshen Armina Mevlani.

Please follow and like us: