Albspirit

Media/News/Publishing

Suzana Tahiri: “Kolera” e medias së shkruar dhe asaj online

 

Nuk ka asnjë dyshim se media e shkruar dhe ajo e portaleve, përveç dobisë së informimit të menjëhershëm, ka ndërkaq dhjetra problematika ku më e rrezikshmja është shndërrimi i tyre në llagëme edhe më të sterrosura se ato që kanë misionin e përcjelljes së jashtëqitjeve të përditshme dhe të përnatshme të qënieve njerëzore.
Nëse do t’u hedhësh një sy krejt të përditshmeve që dalin sot në treg do të vëresh se të gjitha punojnë me mimimum stafesh, ku gazetarët profesionistë numërohen me gishtat e dorës, ndërsa pjesa tjetër është ajo e të rastësishmëve, e anonimëve, e gjysmartizanëve, që mund të bëjnë gjithçka, megjithëse nuk kanë aftësi të bëjnë asgjë dhe nuk e kanë për gjë të krekosen mjediseve publike si heronj të dy luftrave të fundit botërore!
Natyrisht mbajtja e një gazete të përditshme apo e një portali interneti është një kosto për pronarët e tyre, por kursesi atyre nuk u lind e drejta që të zëvendësojnë misioni publik të medias me një kanal të zi ku derdhen gjithfarë skupirash e kutërbirash.
Rrjeti social facebook, por edhe rrjete të tjera të komunikimit të gjithbotshëm, kanë një të mirë të madhe sepse nxjerrin lakuriq armatën e madhë të llagëmbërësve, janë pikërisht ato që nëpërmjet komunikimit të shpejtë të japin një informacion se kush janë njerëzit e medias sot, kë kanë si tabelë qitjeje dhe kë mbrojnë deri në pështirosje.
Pra janë një lloj pasqyre që ballafaqojnë ato çka fiksohen në faqet e gazetave dhe portaleve me ato që hedhin përditë protagonistët e fjalës së shkruar.
Një turmë mediokre, analfabete, e pashkolluar, e gjendur në vendin dhe kohën e gabuar, jashtë çdo kontrolli të etikës gazetareske, por edhe të instrumentave shtetërorë, që rri sipër nesh me në formën e një ndotjeje tejet të madhe ku edhe uraganët ndihen të pafuqishëm.
Një reformë tërësore në mediat shqiptare, po aq sa Reforma në Drejtësi, është sot më aktuale se kurrë në hapësirën shqiptare, për ta ndarë një herë e mirë nga kjo llagëmsi dhe për ta shndërruar atë vërtet në një pushtet dinjitoz dhe me ndikim pozitiv në shoqëri.

Please follow and like us: