Andrea Stefani: Mësoni nga Konica se ç’është liria!
Debati mbi Luftën, komunistët dhe nacionalistët i shpërthyer në “Dita”, nxorri edhe një herë në evidencë një problem që kanë disa shqiptarë, mungesën e respektit për lirinë e tjetrit qoftë edhe për të shprehur një mendim ndryshe nga i tyri. Ky është një difekt i madh për një shoqëri që pretendon të integrohet në BE sepse një nga tiparet më thelbësore të europianit është shqetësimi kur cënohet liria e tjetrit.
Eshtë e qartë se pse. Vetëm duke mbrojtur lirinë e tjetrit në të gjitha rrafshet, unë mund të mbroj edhe lirinë time. Kjo mendësi është një nga faktorët kryesorë që e ka bërë të qëndrueshme lirinë në Europë, SHBA dhe në krejt qytetërimin Perëndimor.
Nuk është se në mendimin politik shqiptar ka patur shumë zëra të shquar që të fokusohen tek problemi i lirisë. E magjithatë ata nuk kanë munguar. Njëri prej tyre, dhe më i mprehti, që e ndjeu deri në dhimbje këtë gjymtim ka qenë Faik Konica.
Qysh në vitin 1897, kur sapo kish nisur publikimin e gazetës “Albania” ai shkruante:
“Ç’është liria? – Më mbetet pak kohë akoma. Dua të marr shpatën, t’u çaj kokën gomarëve, edhe, në vënt të tmerit, të këllas këtë: ç’është liria? Të mos e kisha nisur këtë fletë (vaftë në djall!) s’do humbisja kokën time të mësonj gomerave ç’është liria? Dy muaj janë që u nis kjo puna dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shesë pleh njeriu se të nisja punë për shqiptarët. Janë nj’a 50 shqiptarë që e kuptojnë ç’është liria: Ata nuk më shkrojtin gomarërira se e dinë që ësht’ i lire njeriu të thotë si e ka në fund të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra; mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vetë të shes mut, në vënt që të mbaj të përkohëshmen; më mirë të shes mut njeriu, se të shkronjë për Shqiptarët”.
Gjëndja nuk ka ndryshuar aq shumë edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull që nga ajo kohë. Madje është bërë më e vështirë për gazetarët, është bërë akoma më keq se të shesësh mut se të shkruash për ca shqiptarë. Sepse Konica merrte personalisht ca letra me ankesa kurse sot që të nesërmen e botimit të ndonjë artikulli, nisin gomarërirat nëpër rrjete sociale kundër gazetarit sepse ka shkruar diçka që disave nuk ju pëlqen. Nuk merren thuajse fare me problemin që shtron gazetari por me linçimin e tij si tradhëtar, i shitur, i blerë, agjent, i poshtër, idiot, findërrinë, shkërdhatë etj. Shfrim që flet jo vetëm për mungesë koncepti lirie por edhe për një rrugaçëri të nakatosur me injorancë dhe neurozë.
Sulmi ndaj gazetarëve po shndërrohet në një ves i rrjeteve sociale dhe forumeve të gazetave. Edhe pse sondazhet tregojnë që media perceptohet nga publiku si një ndër institucionet më të besueshme, në rrjetet sociale mbretëron linçimi duke i bërë fajtorë gazetarët deri edhe për konfliktin politik.
Gazetarët nuk gjenerojnë konflikt. Ata vetëm reflektojnë konfliktin që gjeneron politika. Dhe ç’kuptim ka të flasësh keq për një gazetar pa prova? Nese shkruan se Andrea Stefani ka një vilë në bregdet të ndërtuar me para të pista a nuk do të qe më mirë të bëje një foto të vilës (gjë aspak e vështirë sot) dhe një denoncim në gazetë dhe akoma më mirë, në prokurori? Kështu hyjmë në një shteg që sjell një zgjdhje. Ose Stefani dënohet për korrupsion ose t’i për shpifje. Por të flasësh në erë kundër një gazetari është totalisht një gomarëri antiliri.
Nuk them se të gjithë gazetarët janë engjëj. Ka prej tyre që edhe kanë marrë para padrejtësisht duke abuzuar me profesionin. Por e them me siguri se shumica nuk janë të tillë. Dhe mendojeni shoqërinë pa median, pa gazetarët. Sulmet kundër gazetarëve janë sulm kundër fjalës së lirë. Ata që i bëjnë janë si ata të marrët që për të pamundësuar djegien e pyjeve nga zjarret, propozojnë heqjen e oksigjenit meqenëse ai ushqen zjarret.
Para pak ditësh, pati një shfrim të tillë histerik kundër Blendi Manes. Po kështu edhe ndaj Artur Zhejit. Momentalisht nuk ndaj të njejtat pikëpamje me Zhejin për zhvillimet politike në Shqipëri, dhe natyrisht mund të debatojmë, por në asnjë mënyrë nuk mund të pranoj të cënohet liria e tij si gazetar. Ca vite më parë kemi patur pikëpamje të kundërta me Mero Bazen por kjo nuk më ka penguar që kur ai u dhunua nga disa banditë në Vlorë, të shkruaj në mbrojtje të tij si gazetar.
Konica ankohej: “Kur më dërgojnë artikëlla për të lëvduar ferat, i shtyp pa besuar, sepse skam të drejtë t’u pres lirinë e fjalës. Por kur unë besonj, thom, shkronj që më vjen për të vjellur për çdo fe, ata shpirtrobërit më thërresin: “S’të lëshojmë lirinë të shaç ferat?… Por unë shpirtrobër, pse u lëshonj t’i lëvdoni ferat ato? A kini, në mos fillozofi, pakëzë mënt për të kuptuar që fjala juaj është fjalë gomari”?
Të njëjtën dukuri të shëmtuar shohim edhe sot. Dhe e kanë vënë Thanon në të njëjtin hall si Konicën. Se është i njëjti brumë shqiptarësh që nuk ka ndryshur edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull nga ajo kohë. S’të apim lirinë të botosh në gazetën tonë shkrimet e Andrea Stefanit se na ka sharë Luftën dhe komandantin, – i thonë. E vërteta është se nuk kam “sharë” luftën por vetëm komandantin. Dhe nuk është faji im që në një solidaritet narcist me kultin e liderit, ata i bëjnë bashkë luftën dhe komandantin. E megjithatë, unë e denoncoj, ju keni lirinë ta lëvdoni. Po ç’hyjnë në këtë mes sharjet? A kini mënd të kuptoni që është gomarëri?
Si dilet nga këneta e sharjeve ku jemi zhytur. Le t’i drejtohemi prapë Konicës për shpëtim. Ja ç’sugjeron ai:
“Vëllezër shqipëtarë! Mjaft vojti e gjora Shqipëri jetën e Kurmit, duhet edhe ajo të nisjë tani të rrojë jetën e mëndes (La vie intellectuelle). Jeta e mëndes është të hapim të tërë zëmbërat t’ona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalët tjatërit, të kuvendojmë si njerëzit të qytetëruara qi mblidhen të luftojnë me fjalë për ideat e tyre”. Pra, të bëjmë luftë idesh me fjalë si të qytetëruar po pa sharje dhe duke respektuar lirinë e tjetrit pra, edhe tonën. Dhe ç’është liria sipas Konicës? “…të mundet njeriu 1) të besojë ç’i do zëmbëra; 2) të thotë ç’i do zëmbëra; 3)të shkrojë ç’i do zëmbëra 4)të bëjë ç’i do zëmbëra, veç ato që janë kundër lirisë së tjatër njeriu”.
E kam respektuar përherë këtë aksiomë. Kam shkruar dhe shkruaj atë që më thotë “zëmbëra”. Por, kur dikush shkruan një pikëpamje të kundërt me timen, nuk i ankohem gazetës në fjalë dhe nuk i kërkoj të mos ja botojnë më shkrimet. Madje kur kryeredaktorët, kuptohet kam shumë miq mes tyre, më kanë pyetur shoqërisht nëse mund të botonin një shkrim polemik të dikujt ndaj meje, i kam inkurajuar ta bëjnë. Dhe nuk e fyej apo e shaj atë person. Se është kundër lirisë së tij dhe lirisë time. Por idetë e tij, që mund të jenë të urrejtshme për mua, ja kundërshtoj sa më rreptë të mundem me ide.
Gjë që do vazhdoj ta bëj në vazhdim. Edhe për Enverin. Sepse është liria ime që nuk cënon lirinë e askujt!