DASH: Në Shqipëri grupet fetare ankohen për çështjen e pronave
Në raportin vjetor për gjendjen e lirive fetare në botë Departamenti amerikan i Shtetit, në pjesën që flet për Shqipërinë thotë se shteti është neutral ndaj çështjeve fetare, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare, garanton lirinë e fesë dhe ndalon diskriminimin fetar.
Qeveria ka marrëveshje me 5 grupe fetare dhe shteti ndihmon me fonde 4 prej tyre. Grupet fetare janë ankuar se është bërë pak përparim për zgjidhjen e rreth 1 mijë pretendimeve të tyre për kthim pronash të sekuestruara gjatë regjimit komunist. Kisha autoqefale ortodokse shprehu pakënaqësinë e saj ndaj shkatërrimit nga autoritetet lokale të një strukture që ajo thoshte se ishte kishë.
Përmes Këshillit Ndërfetar, thuhet në raport, udhëheqësit e komuniteteve suni, ortodokse, katolike, protestante dhe bektashinj takohen për të diskutuar shqetësimet e tyre të përbashkëta, informon Zeri i Amerikës.
Dy shkelësit më të mëdhenj të lirive fetare, sipas raportit janë grupet Da’esh dhe Boko Haram që kanë kryer disa nga krimet më mizore, shkru
Veç këtyre dy grupeve, thuhet në raport, qeveritë në vende të ndryshme të botës, vazhduan të shtrëngojnë rregullat ndaj grupeve fetare, veçanërisht ndaj pakicave fetare që nuk shihen si tradicionale për një vend të caktuar.
Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se ligjet nuk lejojnë regjistrimin e grupeve fetare si person juridik, duke u krijuar kështu pengesa funksionimit të tyre. Qeveria, thuhet më tej, mori masa të miratonte një projekt-ligj që do të lejonte grupet fetare me mbi 50 vetë që të regjistrohen. Raporti ve në dukje një sërë incidentesh gjatë vitit të kaluar, si ai kur protestuesit shqiptarë, me sa duket të organizuar nga politikanët, qëlluan me gurë dhe u përpoqën të ndalonin pelegrinët ortodoksë serbë të ndiqnin meshën e Krishlindjeve në Gjakovë. Qeveria thuhet në raport ka hartuar një strategji për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm që përfshin edhe bashkëpunimin me komunitetit mysliman.