Fati i kolaboracionistëve
Fakte tronditëse dhe dëshmi autentike mbi kolaboracionizmin në Europë dhe Shqipëri dhe qëndrimin ndaj bashkëpunëtorëve të fashizmit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore
Nga Shaqir Vukaj
Mbas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, në fjalorin politik hyri në përdorim një term i ri – kolaboracionizëm (nga frëngjishtja collaboration-bashkëpunim). Fillimisht me fjalën “kolaboracionizëm” nënkuptohej bashkëpunimi i qeverisë franceze të Vishisë (kryesuar nga mareshali Peten) me pushtuesit gjermanë, por më vonë filloi të përdorej edhe për qeveri të tjera europiane, organizata ushtarake apo persona të veçantë që kishin bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, italianë apo japonezë ose kishin vepruar nën kontrollin e drejtimin e tyre, për interes të pushtuesit. Krahas tij, filloi të përdorej edhe fjala “kuisling”, që vinte nga emri i ish kryeministrit të Norvegjisë, V. Kuislingut, gjatë periudhës së pushtimit gjerman dhe që mbetet model i bashkëpunëtorit dhe shërbyesit të pushtuesit.
Në të gjithë Europën e më gjerë, “kolaboracionistët” apo “kuislingët” u quajtën tradhtarë të atdheut, për çka, sipas fajeve të kryera, u dënuan nga gjykatat e vendeve të tyre. Sipas interpretimit juridik të së drejtës ndërkombëtare, kolaboracionizmi është bashkëpunim i ndërgjegjshëm, i qëllimshëm dhe vullnetar me armikun, për interes të tij, në dëm të shtetit dhe popullit të vet. Në kohën e sotme, në kodin penal të shumicës së vendeve të botës, kolaboracionizmi klasifikohet si tradhti kombëtare.
Tërheq vëmendjen fakti se shumica e kolaboracionistëve (jo vetëm në Shqipëri) janë përpjekur të paraqiten si patriotë dhe, bashkëpunimin me pushtuesin ta përligjin si vepër në “shërbim të atdheut”. Sigurisht që motivet e bashkëpunimit të kolaboracionistëve europianë kanë qenë të ndryshme. Sipas disave, nëpërmjet bashkëpunimit me pushtuesit ata kanë synuar “realizimin e aspiratave etnike, në luftën kombëtare kundër popullit dominues në atë shtet” (shembulli i kroatëve, sllovenëve, sllovakëve, shqiptarëve të Jugosllavisë etj.), “realizimin e ideve nacional-socialiste të krijimit të rendit të ri dhe kthimin e Europës nëpërmjet bashkimit të shteteve evropiane”, “realizimin e ideve reformuese dhe vendosjen e rregullave te reja shtetërore” (gjenerali Vllasov në B. Sovjetik dhe ushtria që ai komandonte, e krijuar dhe armatosur nga gjermanët), “kthimin e pavarësisë për vendet e tyre” (lituanezët, letonezët, estonezët, ukrainasit, gjeorgjianët etj. në B. Sovjetik), “të luftojnë kundër komunizmit” etj.
Jo më kot, për ta, ka hyrë në përdorim termi “Tradhti patriotike”, prandaj dhe studiuesi D. Litlejohn librin e tij “Historia e kolaboracionizmit në Europën e pushtuar nga Gjermania”, botuar në v.1972, e ka titulluar “Tradhtarët patriotë”.
Problemet që lidhen me veprimtarinë e kolaboracionistëve apo bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi-fashistë, gjatë Luftës Dytë Botërore, në shumicën e vendeve europiane, (veçanërisht në ato perëndimore) quhen të tejkaluara dhe, kolaboracionizmi e kolaboracionistët janë përcaktuar me kohë dhe kanë marrë dënimin e merituar. Në kohën e tanishme, pothuajse askush në këto vende nuk merret me rehabilitimin e tyre. Për shumë politikanë e popuj në vendet me demokraci të vërtetë, kolaboracionistët janë turp kombëtar, të cilët nuk dëshirojnë as t’i përmendin e t’i kujtojnë dhe “harresa” është mënyra më e mirë për dënimin e tyre edhe pas vdekjes.
Megjithatë edhe sot e kësaj dite, studiues të veçantë, vazhdojnë hulumtimet, kërkimet e studimet, me tepër në planin teorik dhe psikologjik, duke u përpjekur të analizojnë më së shumti motivet që i shtynin këta njerëz të viheshin në shërbim të pushtuesve, origjinën e kolaboracionistëve, shkaqet e bashkëpunimit me pushtuesin etj., por, me ndonjë përjashtim të rrallë, pa u përpjekur të justifikojnë veprimet e tyre. Vazhdojnë të mbahen konferenca kombëtare e ndërkombëtare me këtë temë, por vetëm në raste tepër të rralla, kur studiuesit kanë gjetur dokumente bindëse e fakte, që vërtetojnë se ndonjë prej atyre që është cilësuar gabimisht si kolaboracionist, kërkohet rehabilitimi i tij.
Kolaboracionizmi si fakt historik dhe fenomen ka ekzistuar prej shekujsh, por gjatë Luftës së Dytë Botërore u shfaq në përmasa dhe forma të papara. Historikisht ai është shfaqur në forma të ndryshme, por gjatë luftës së fundit, pavarësisht nga emërtimet, në vartësi të kushteve specifike të vendeve të pushtuara, ai u shtri në fusha të ndryshme të jetës politike, ushtarake, ekonomike, kulturore etj. Specialistë të kësaj fushe përcaktojnë disa lloje kolaboracionizmi: ushtarak, administrativ, ekonomik, intelektual, ideologjik, shpirtëror, seksual etj.
Kolaboracionizmi politik: bashkëpunim me armikun, të shprehura qartë mbi bazën e parimeve ideore (krahas tjerave, krijimi i partive dhe lëvizjeve politike të ngjashme me partinë e pushtuesit, fashiste apo naziste). Kolaboracionizëm ushtarak: inkuadrimi në reparte ushtarake e policore dhe pjesëmarrja në luftë kundër bashkatdhetarëve të tyre ose kundër aleatëve. Kolaboracionizmi administrativ: një formë e bashkëpunimit me armikun nëpërmjet pjesëmarrjes në organet e niveleve të ndryshme të kontrolluara dhe drejtuara nga pushtuesit, duke filluar nga qeveria e deri tek administrata lokale. Kolaboracionizmi ushtarako-politik, shërbimi vullnetar apo i detyruar në njësitë ushtarake të pushtuesve gjermanë ose italianë. Kolaboracionizmi ekonomik: bashkëpunimi në fusha të ndryshme ekonomike në interes të pushtuesit. Kolaboracionizmi kulturor: bashkëpunimi me pushtuesit në sferën shpirtërore, që i shërben përhapjes së propagandës dhe realizimit të postulateve ideo-politike të pushtuesit. Kolaboracionizëm seksual: marrëdhënie intime të vajzave apo grave me oficerë, ushtarë apo nëpunës të pushtu5esit.
Si më i rrezikshmi, për të cilin nuk ka asnjë afat kohor, pothuajse në të gjitha kodet penale të vendeve te ndryshme, është kolaboracionizmi ushtarak, që është realizuar ushtarakisht, duke vrarë bashkatdhetarët e vet ose përfaqësues të forcave të Koalicionit Antifashist.
Për kohë lufte është vështirë të vihet kufi i prerë midis “kolaboracionizmit” dhe “aleancës”. Kështu gjatë luftës, disa shtete, Hungaria, Bullgaria, Rumania e Finlanda vepruan si aleatë (vitet e para të luftës) edhe si kundërshtarë të Gjermanisë (në përfundim të luftës). Pavarësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, kjo nuk e zvogëlon aspak fajin e atyre njerëzve që udhëhoqën këta vende dhe luftuan në përbërje të njësive të veta kombëtare, ose nën komandën hitleriane, kundër vendeve të koalicionit apo në vendet e pushtuara kundër forcave që kundërshtuan pushtimin nazi-fashist.
Pushtuesit gjermanë apo ata italianë, në asnjë vend të pushtuar nuk janë deklaruar si pushtues, por duke shfrytëzuar kushtet specifike të secilit vend, kanë përdorur parulla si bashkim, çlirim, kalim transit i ushtrive të tyre neper këto vende (për nevoja gjeostrategjike apo ushtarake – siç shpreheshin ata) dhe, në shumicën e vendeve të pushtuara, kanë krijuar të ashtuquajturat qeveri vendase, me njerëz besnikë të tyre. Në të gjitha vendet e pushtuara ata kanë krijuar “Republika të pavarura” ose “protektorate” me “të drejtë shtet formuese” duke krijuar qeveri, administrata, njësi ushtarake apo policore me vendas. Terren tepër i përshtatshëm për ta kanë qenë vendet me përbërje heterogjene popujsh, kombesh e kombësish si Bashkimi Sovjetik apo Jugosllavia dhe, ku ata e konsideronin veten të shtypur e të sunduar nga kombi më i madh (rusët në B.Sovjetik, serbët në Jugosllavi etj).
Në 12-13 mars 1938, Austria u pushtua nëpërmjet “bashkimit” (Anshlus), të saj me Gjermaninë. Statusi i saj, karakterizohej nga një origjinalitet i dyfishtë. Nga njëra anë, ajo ishte viktima e parë e pushtimit paqësor nga Gjermania. Nga ana tjetër, austriakët u përfshin në ushtrinë hitleriane dhe përbënin një pjesë të konsiderueshme të trupave ushtarake gjermane, madje oficerët austriakë dalloheshin për politikën represive ndaj popujve të origjinës “jo ariane”. Për politikën e ndjekur, Austria u përfshi në sistemin e politikës pushtuese naziste dhe, në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të ShBA, Britanisë së Madhe dhe B.Sovjetik, në tetor 1943, u cilësua si vend që “mban përgjegjësi dhe që nuk mund t’i shmanget pjesëmarrjes në luftë, në anë të Gjermanisë Hitleriane”. Nga pikëpamja formale, drejtuesit e Rajhut të Tretë, e konsideronin këtë protektorat si “shtetformues” dhe gjoja si objekt i të Drejtës Ndërkombëtare.
Tipik ka qenë sistemi i pushtimit dhe drejtimit të territoreve të ish Çekosllovakisë. Në mars të v.1939, menjëherë mbas pushtimit të Çekosllovakisë, udhëheqja naziste vendosi krijimin e “Protektoratit të Bohemisë dhe Moravisë” me status shtetformues që i përkiste Gjermanisë. Për Berlinin ishte tepër e rëndësishme që protektorati, në sytë e opinionit ndërkombëtar të konsiderohej si objekt i së Drejtës Ndërkombëtare. Për realizmin e këtij projekti shërbente qëndrimi i qartë kolaboracionist i një pjese të ish elitës politike të Çekosllovakisë. Në fund të luftës, në prill të v.1945, gjermanët tentuan ti japin pushtet qeverisë kolaboracioniste dhe madje të shpallin të ashtuquajturën Republika Ceko-Morave.
Pushtimi gjerman në Sllovaki (pushtuesit e shkëputën nga territoret e tjera të Çekosllovakisë) u realizua në një formë tjetër, formalizuar si “Sovranitet shtetëror” i Republikës Sllovake. Kryetari i qeverisë sllovake, prifti J.Tiso, ju drejtua Hitlerit për ta marrë në “mbrojtje” Republikën e re Sllovake dhe kuptohet që Berlini u përgjigj menjëherë pozitivisht.
Polonia u bë një poligon i vërtetë prove, ku Hitleri verifikoi strukturën e vet të drejtimit në një vend të pushtuar, me qëllim universalizimin e tij, nëpërmjet shpalljes së të ashtuquajturës “gjeneral gubeerne”, me në krye kolaboracionistin G.Frank, ku gjoja drejtonin polakët, por në nivele të ultë, lokale (kryetarë fshatrash apo qendrash të vogla banimi, vojtë, kryetarë të këshillave drejtuese të qyteteve të vogla e fshatrave etj.). Megjithatë edhe në Poloni kolaboracionizmi ka qenë i dukshëm, aq sa historiani polak Cezar Gmiza, shkruante në tetor te v.2005 në javoren Vprost se, rreth 500 mijë polakë kanë shërbyer në Vermaht. Franku, në vitin 1940, deklaronte se tashmë Polonia nuk duhet quajtur një vend i pushtuar, por pjesë përbërëse e “Perandorisë së madhe Gjermane”.
Realisht Austria, Çekosllovakia dhe Polonia u kthyen në vende satelite.
Vendi që e ka vuajtur më shumë nga kolaboracionizmi ka qenë Franca. Nga njëra anë, nën udhëheqjen e De Golit u formua lëvizja e rezistencës e cila dërgoi trupat e veta të luftonin përkrah aleatëve, nga ana tjetër, në qytetin Vishi ishte formuar një qeveri, e kryesuar nga heroi i Luftës Parë Botërore Mareshali Peten që mbështeste Gjermaninë Hitleriane.
Në Belgjikë pushtuesit gjermanë u mbështetën tek kolaboracionistët vendas, konkretisht tek reksistët, ithtarë të Rajhut të Tretë, udhëhequr nga L.Degrel si dhe tek “Aleanca Kombëtare Flamande” dhe “Aleanca Punëtore Gjermano-Flamande”. Gjatë periudhës së pushtimit vazhdonin të vepronin administrata vendase dhe organet e policisë belge. Megjithëse xhandarmeria ishte krijuar me belgë, ajo ishte pjesë e xhandarmerisë gjermane në Belgjikë. Në v.1941 u formuan dy legjione belge që u dërguan të luftonin në frontin Lindor, ndërsa në v.1943 u krijuan dy brigada SS, të cilat ne v.1944, mbi bazën e tyre u formuan dy divizione SS.
Gjatë gjithë periudhës së pushtimit e gjithë industria dhe ekonomia belge u vu në shërbim të administratës pushtuese gjermane.
Në veprimtarinë e tyre në Danimarkë, pushtuesit gjermanë u mbështetën te qeveria kolaboracioniste. E gjithë ekonomia daneze u vu në shërbim të pushtuesit. Në planin politik u krijua Partia Nacional Socialiste Daneze. Në planin ushtarak vepronte Korpusi Vullnetar SS (Danmark). Në v.1943 nga danezë dhe suedezë u krijua divizioni tankist SS (Nordland).
Në Hollandë vepronte haptazi lëvizja Nacional-Socialiste, kryesuar nga A.Mjusert. Aty u formua një qeveri kolaboracioniste, kryesuar nga A.Mjusert, nën drejtimin e kontrollin e plotë te pushtuesve gjermanë. Në planin ushtarak njësitë ushtarake të krijuara me vendas, si legjioni “Nederland”, brigada SS “Nederland” apo brigada “Landshtorm Nederland” luftuan kundër ushtrive aleate anglo-amerikane. Sipas të dhënave të historianëve holandezë, në trupat SS kanë shërbyer rreth 40 mijë holandezë
Norvegjia u sulmua nga Gjermania Naziste më 8-9 prill 1940, me pretekstin e mbrojtjes nga Britania e Madhe dhe Franca.
Norvegjia e pushtuar u administrua nëpërmjet qeverisë së kryesuar nga V.Kuislingu, që është konsideruar si modeli i pushtimit të një vendi dhe realizimi i të gjitha objektivave të pushtuesit, nëpërmjet një qeverie vendase. Jo me kot ka hy në përdorim emërtimi “kuisling” që përdoret edhe sot e kësaj dite për të konkretizuar një bashkëpunëtor tipik të pushtuesit apo tradhtari të atdheut.
Gjatë periudhës se pushtimit, në Norvegji u zbatuan të gjitha normat e modelet e Gjermanisë Naziste. Edhe vet Kuislingu, që kryesonte të vetmen parti të lejuar, “Partinë e Unitetit Kombëtar” u quajt Fyhreri i Norvegjisë. Njëlloj si në Gjermani, u ngritën kampe përqendrimi për kundërshtarët e regjimit, u ndoqën deri në fund hebrenjtë etj. Gjithë ekonomia norvegjeze u vu në shërbim të Gjermanisë.
Në Ballkan u përdorën emërtime dhe forma të tjera, ku pothuajse kudo u krijuan “Qeveri Kombëtare”. Në Jugosllavi, një shtet artificial, i krijuar vonë, mbas Luftës Parë Botërore, nga bashkimi i vendeve e popujve të ndryshëm, pushtuesit italianë fillimisht dhe, më vonë ata gjermanë, shfrytëzuan kontradiktat e brendshme, mosmarrëveshjet e armiqësitë midis popujve që i kishin bashkuar pa i pyetur në një shtet. Kështu u shfrytëzuan armiqësitë e vjetra midis serbeve e kroatëve, midis serbëve e hungarezëve, apo midis serbëve e sllovenëve. Si të veçanta ata trajtuan problemet e shqiptarëve, një pjesë të cilëve i bashkuan me Shqipërinë, apo të maqedonasve që i bashkuan me Bullgarinë.
Në Serbi u vendos regjim i menjëhershëm pushtimi ushtarak, me perspektivë transformonin në “Shtet i pavarur serb”. Në maj të v.1941, hitlerianët filluan ta drejtojnë Serbinë edhe direkt, edhe nëpërmjet njerëzve të tyre, kolaboracionistëve M.Stojadinovic, M.Acimovic dhe, në gusht të atij viti formuan “Qeverinë e re serbe” me në krye M.Nedicin.
Specifik është rasti i krijimit të të ashtuquajturit “Shtet i pavarur i Kroacisë”, që ishte produkt i përbashkët i politikës pushtuese të Gjermanisë dhe Italisë. Pushtuesit duke shfrytëzuar kontradiktat dhe armiqësitë e vjetra dhe të reja midis kroatëve dhe serbëve dhe, kryesorja dëshirën e kroatëve për tu shkëputur nga Jugosllavia dhe dëshirën e hershme të kroatëve për të krijuar shtetin e tyre të pavarur (ëndërr e vjetër e patriotëve kroatë). Pavarësisht nga emërtimi, qeveria kroate u kthye në një qeveri marionetë që varej krejtësisht nga Gjermania, ku gjithçka u vu në shërbim të politikës së Berlinit.
Një krijesë të veçantë shtetërore, vendosën pushtuesit italianë në Malin e Zi. Mbasi pushtuan Malin e Zi, italianët shfrytëzuan pakënaqësinë e malazezëve ndaj nacionalizmit serb. Duke u mbështetur në separatistët vendas, që donin shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia, dhe vënien nën “mbrojtjen” e Italisë, ata premtuan rivendosjen e “Mbretërisë” së Malit të Zi. Për këtë qëllim ata krijuan Komitetin e Përkohshëm Administrativ të Malit të Zi, ngritën administratën e re me në krye kolaboracionistë vendas dhe kryeministër S.Drlevicin. Në maj 1941 Mali i Zi u shpall Mbretëri e Pavarur. Mbas pushtimit gjerman, në v.1943, administrata u organizua mbi bazën e modelit që gjermanët kishin organizuar në Serbi.
Në Greqi pushtuesit krijuan qeverinë kolaboracioniste me në krye gjeneralin G.Collakogllu. Faktikisht aty u vendos një kondominium origjinal gjermano-italian me dy komandantë ushtarakë, me dy administrata, me dy të plotfuqishëm politikë dhe ekonomikë, nga Gjermania dhe Italia. Mbas kapitullimit të Italisë, gjermanët zgjeruan formalisht të drejtat e qeverisë së I. Ralisit në zonën italiane të pushtimit.
Kështu mund te vazhdohet me të gjitha vendet e tjera të pushtuara, ku u krijuan “Qeveri Kombëtare”.
Një nga problemet më të mprehta që doli para fitimtarëve, menjëherë mbas lufte, ishte si duhej të veprohej, krahas drejtuesve kryesorë të Gjermanisë dhe Italisë, dhe me kolaboracionistët. Madje, pa mbaruar lufta, disa qeveri të vendeve të pushtuara që vazhdonin aktivitetin në emigracion, kishin përgatitur bazat ligjore për dënimin e kolaboracionistëve të vendeve të tyre, pa fol për grupet e rezistencës që kishin përgatitur listat e bashkëpunëtorëve të pushtuesit dhe veprimtarinë e tyre gjatë periudhës së pushtimit.
Sipas të dhënave të vendeve të ndryshme, në periudhën 1945-1955 në Europë janë zhvilluar 13607 procese gjyqësore kundër tyre.
Vendi që ka vuajtur më së shumti nga kolaboracionizmi ka qenë Franca, prandaj aty edhe qëndrimet ndaj tyre e dënimet kanë qenë radikale. Urrejtja ndaj kolaboracionistëve ishte aq e madhe sa kërkohej me çdo kusht që spastrimet e dënimet të ishin të ashpra dhe të shpejta. Për të vendosur mbi baza ligjore dënimin e tyre, Asambleja Konsultative e Francës, në gusht-shtator 1944, aprovoi dy ligje për dënimin e atyre që “i kishin dhënë ndihmë Gjermanisë dhe aleatëve të tyre, që kishin dëmtuar unitetin kombëtar, të drejtat dhe barazinë e shtetaseve francezë”.
Sipas të dhënave zyrtare, në Francë u zhvilluan 170 mijë procese gjyqësore ndaj kolaboracionistëve, ku 120 mijë vetë u dënuan, nga të cilët, 4785 vetë me vdekje. Vetëm 4 muajt e parë, mbas çlirimit të Parisit, janë dënuar me vdekje 6763 vetë nga të cilët 1500 prej tyre janë ekzekutuar menjëherë. Sigurisht që këto shifra nuk japin gjithë pasqyrën e ngjarjeve, sepse, sipas vlerësimeve të qeverisë franceze, ditët e para të çlirimit të Francës, partizanët, mbas një procesi të shkurtër gjyqësor kanë dënuar dhe ekzekutuar rreth 4500 kolaboracionistë të tjerë. Sipas shifrave që japin studiues të ndryshëm, në Francë janë ekzekutuar me gjyqe të rregullta, gjyqe të shpejtuara ose pa gjyqe, 20-30 mijë kolaboracionistë.
Tërheq vëmendjen fakti se që ditët e para të çlirimit të Parisit ata përzunë si kolaboracionist të dërguarin e Vatikanit, nuncin apostolik.
Më shumë se kushdo në Europë, francezët përndoqën dhe dënuan bashkëqytetaret e tyre që kishin pas marrëdhënie intime me pushtuesit gjermanë. Sipas të dhënave te historianëve, për “kolaboracionizëm horizontal” (shprehje e përdorur me ironi për femrat franceze që kishin pas marrëdhënie me oficerë e ushtarë gjermanë) krahas dënimeve tjera, janë qethur zero mbi 20 mijë prej tyre…
Me shumë interes u ndoq gjyqi ndaj mareshalit Peten dhe Pjer Laval. Të dy u dënuan me vdekje, por për arsye moshe, Petenit ju fal jeta dhe ju kthye me burgim të përjetshëm.
Gjyqet kundër tyre kanë vazhduar deri në v.1949, por me urdhër të presidentit De Gol, ato u ndërprenë, siç shprehej ai, për hir të “unitetit të kombit”, sepse ndarja e kombit në “tradhtarë dhe patriotë” i kishte sjellë dëme të mëdha “Unitetit të Kombit, që duhej venë mbi gjithçka”. Në v.1953 u shpall amnisti për kolaboracionistët dhe me ligj u ndalua të përmendej bashkëpunimi me pushtuesit, duke zgjidhur një herë e mirë problemin e kolaboracionisteve, por jo duke e harruar….e ç’është më e rëndësishme, duke mos i rehabilituar. Francezët nëpërmjet harresës u munduan ta shlyejnë këtë turp të bashkatdhetarëve të tyre. Për të harruar këtë turp që kolaboracionistët i kishin lënë Francës, De Goli u përpoq që krahas harresës, të krijonte mitin se i gjithë populli francez ka luftuar kundër pushtuesve gjermanë. Siç shkruante një studiues francez, para disa kohësh “Ishin grisur faqet e turpshme të historisë së Francës gjatë Luftës Dytë Botërore”.