Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Takohet sulltani i Turqisë me carin e Rusisë

 Polemikat për flamurin amerikan/ Frank Shkreli letër Yuri Kim: U ...

Frank Shkreli

Këtë javë u takuan në Shën Petersburg – kryeqyteti i carëve të Rusisë — Presidenti rus Vladimir V. Putin dhe Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan për të biseduar mbi përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve, si dhe mbi gjëndjen në Siri, ku të dy vendet luajnë rol kyç në atë konflikt. Duke marrë parasyshë se deri këtë javë marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Moskës konsideroheshin si tepër të acaruara, si rrjedhim, ky takim u cilësua nga media dhe analistët ndërkombëtarë si një takim i papritur që habiti të gjithë, për kohën në të cilën u mbajtë, menjëherë pas grusht-shtetit të dështuar në Turqi. Por, megjithëkëtë ishte një takim që sipas presidentit rus Putin, “kishte një rëndësi të veçantë për fatin e marrëdhënieve ruso-turke”, ndërkohë që megjith armiqësitë e deritanishme midis tyre, gjatë një konferencë me shtypin ai iu referuar vazhdimisht Erdoganit si, “mik i dashur”. Ndërsa udhëheqsi turk u shpreh se takimi në Shën Petersburg me presidentin Putin do të forcojë marrëdhëniet ekonomike dhe politike, ndërkohë që të dy u zotuan se janë gati të rivendosin të ashtuquajturin “boshtin e miqësisë” midis dy vendeve të tyre.

Ky takim u mbajtë gjithashtu në një kohë kur marrëdhëniet e Moskës dhe të Ankarasë me vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se janë keqësuar në mënyrë të dukëshme. Aneksimi i Krimesë nga Rusia ka shkaktuar më heret venjen e sanksioneve kundër Moskës nga vendet perëndimore, ndërkohë që në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe ushtarake në Turqi nuk kanë munguar kritikat e udhëheqësve perëndimorë ndaj burgosjes dhe spastrimit në masë të dhjetëra mijëra ushtarakëve, zyrtarëve civilë dhe gazetarëve turq, si rrjedhim i grushtshtetit të dështuar në atë vend.  Nga ana e tij, presidenti Erdogan ka kritikuar reagimin e vendeve perëndimore ndaj përpjekjeve për grusht-shtet në Turqi. Të dy vendet, Rusia dhe Turqia, për shkak të politikave të tyre autoritare, sipas analistëve, janë të izoluara në nivel rajonal dhe ndërkombtar.

Por kur diktatorët — për arsye të politikave të tyre të mbrendshme dhe ndërkombëtare — e ndjejnë veten të izoluar sidomos në fushën diplomatike, megjithë kundërshtimet dhe armiqësitë midis tyre, ata gjejnë mënyra dhe përpiqen t’i tregojnë botës së në të vërtetë nuk janë të izoluar – se ata kanë njëri tjetrin dhe kanë mbështetjen e njëri tjetrit. Si të tillë, ata nuk çajnë fortë kokën ndaj kritikave që mund tu bëhen nga jashtë politikave të tyre të mbrendshme ose të jashtme, as për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe as për shtypjen e lirisë së fjalës dhe të medias.

Ky është edhe vlerësimi i takimit Putin-Erdogan të martën, nga shumë analistë ndërkombëtarë.  Ata thonë se të dy këta udhëheqës kanë shumë gjëra të përbashkëta – mbi të gjitha, mënyrën autoritare të qeverisjes, ndërkohë që të dy këta nuk kanë fshehur aspak admirimin, ndjenjat dhe ambiciet nacionaliste dhe imperialiste për historinë e kaluar të vendeve të tyre. Nuk është sekret se bazuar në politikat e ndjekura gjatë disa viteve të kaluara, Putini dhe Erdogani dëshirojnë të rivendosin atë që ata e konsiderojnë si  “madhështinë” e së kaluarës historike të kombeve të veta, në kurriz të kombeve të tjera dhe kundër vullnetit të tyre:  Putini dëshiron të rivendosë influencën ruse mbi ish-vendet e orbitit komunist sovjetik, ndërsa Erdogani synon përhapjen e influencës fetare, kulturore dhe ekonomike të Turqisë në rajonet që dikur ishin të pushtuara nga perandoria osmane, në përpjekje për të ringjallur perandorinë osmane.

Por, ëndërrat e Putinit për të rikapur influencën e perandorisë komuniste sovjetike dhe ambiciet e Erdoganit për të ripushtuar ekonomikisht dhe fetarisht pjesë të Europës lindore që dikur sundoheshin nga perandoria osmane – përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën – shikohen si shënja tepër shqetësuese nga politika perëndimore. Konsiderohet se Turqia nën udhëheqjen e presidentit Erdogan dhe Rusia e Putinit po shkojnë drejtë krijimit të regjimeve gjithnjë e më autoritare mbrenda vendit po se po, por edhe në relacion me vendet e tjera të rajonit, gjë që kërcënon paqën dhe sigurinë rajonale.

U tha se në takimin ruso-turk në Shën Petersburg u bisedua gjithashtu edhe mbi çështje të mbrojtjes dhe mbi çeshtje europiane, por nuk u dha ndonjë hollësi se cila mund të ketë qenë përmbajtja e bisedimeve mbi këto çështje.

Nuk ka asgjë sekrete rreth ambicieve të Rusisë së Putinit dhe Turqisë së Erdoganit se duan që me çdo mjet të rivendosin influencën e tyre, sidomos në në vendet e Ballkanit Perëndimor. Turqia përpiqet të rivendosë “madhështinë” osmane në vendet me shumicë myslimane si në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, ndërkohë që Rusia nga ana e saj ka vazhduar të përkrahë politikisht dhe ekonomikisht Serbinë dhe serbët e Bosnjës. Me përpjekjet e tyre diplomatike, si Rusia ashtu edhe Turqia, po përpiqen ta paraqesin veten para udhëheqsve politikë të rajonit të Ballkanit, si partnerë të pazëvendsueshëm ekonomikë dhe gjeopolitikë në përgjithsi. Kjo është e qartë nga politika e këtyre dy vendeve ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit. Sidomos kohët e fundit vihet re një rritje e aktiviteteve të ambasadave ruse dhe turke në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat duket se kanë bërë përpjekje të dukshme për të rritur nivelin e propagandës së tyre në krahasim me të kaluarën, në orvatje që duke angazhuar dhe duke siguruar mbështetjen e politikanëve, të influencojnë jo vetëm politikën por edhe median vendase, në një nivel të pa parë deri tani.

Ndërkaq, mbetet për tu parë nëse takimi Erdogan-Putin në Shën Petersburg të martën që kaloi, ishte një manovër e përkohshme politike e dy udhëheqsve apo një partneritet strategjik afatgjatë midis dy vendeve të tyre.  Por një gjë është e sigurt.  Rivaliteti historik midis Rusisë dhe Turqisë në rajonin e Ballkanit Përendimor – pa marrë parasyshë nëse u arrit gjë ose jo në takimin Putin-Erdogan – do të mbetet siç ka qenë gjithmonë historikisht. Është në dorë, sidomos të dy shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) që të zgjedhin alternativat: Përendimin apo politikat autoritare të Erdoganit e Putinit.

Si me të gjitha kombet e tjera, Shqiptarët kanë nevojë për marrëdhënie të mira të një respekti të pëbashkët me popullin turk dhe me popullin rus, por jo me carët dhe sulltanët modernë të cilët kanë kërkuar haptas rishkimin e historisë dhe të cilët kanë venë në pikëpyetje madje edhe identitetin kombëtar të shqiptarëve. Gjatë historisë, carëve dhe sulltanëve, shqiptarët ua kanë ngrënë çorbën, duke u parë sherrin me pasoja katastrofike, të cilat shihen kudo edhe sot nepër trojet e përçara dhe të ndara shqiptare.

Please follow and like us: