Albspirit

Media/News/Publishing

Dekurajimi, arma e fshehur e minidiktaturës

Agim Baçi

“Dëshpërimi më i thellë që mund të pushtojë një shoqëri është dyshimi se të jetosh ndershmërisht është e kotë”, thotë shkrimtari dhe gazetari italian Corrado Alvaro, duke prekur ndoshta një nga çështjet më të rëndësishme të shoqërisë së sotme, e sidomos të marrëdhënies prind-fëmijë, për çështjen e edukimit për të nesërmen.

Sot, shumë prindër në Shqipëri nuk i fshehin më pikëpyetjet lidhur me atë çka duhet t’u thonë fëmijëve të tyre për mënyrën se si duhet t’i arrijnë gjërat në jetë. Shumë prej prindërve i dëgjon të thonë se kanë frikë që fëmijët e tyre të jenë të ndershëm, pasi ashtu kanë frikë se mos humbasin, se mos etiketohen si naivë. Shumë prej tyre besojnë se të jenë të ndershëm, fëmijët e tyre nuk do të arrijnë kurrë atë çfarë do t’u duhet dhe se do të rrëzohen nga të këqijtë.

Kjo situatë dekurajimi, ndaj mënyrës së të jetuarit me ndershmëri, ka krijuar një minidiktaturë të padukshme, por që çdo ditë rrënon jetët tona, duke i hequr një nga një tullat e murit moral që brezat kanë ndërtuar përballë së keqes. Këtij dëshpërimi i shtohen edhe botimet e shumta me shoqëri sekrete, ku përshkruhet se për shoqëritë ku jetojmë vendimet janë marrë prej kohësh nga të tjerët dhe se ne thjesht duhet të gjejmë rrugën tonë për të mbijetuar në këtë botë vendimesh të marra.

Kjo ide e paravendosjes, e përhapur jo pak në publik, por e kundërshtuar shumë rrallë nga opinionformuesit, duket se po arrin qëllimin për të frenuar kurajën njerëzore për të kërkuar ndryshimin, për të kërkuar një jetë dinjitoze, për të kërkuar ndëshkimin e atyre që krenohen me vjedhjen, me mashtrimin, me aftësinë për të përfituar mbi të tjerët. Dhe fjalitë dhe modelet dekurajuese duket se kanë marrë krahë, duke bërë që shumë nga prindërit dhe shumë nga mësuesit të mos jenë më të orientuar lidhur me edukimin për të nesërmen.

Ndërkaq, kjo situatë dekurajimi, ku shpesh flamurin e debatit moral e ka marrë në dorë anonimati, ka bërë që shumica të sillen si robotë, ashtu siç paralajmëronte vite më parë poeti Oscar Wilde, teksa shkruante se “Shumë njerëz janë ndryshe nga se prezantohen. Shpesh, mendimet e tyre janë opinionet e tjetërkujt. Jetët e tyre janë një imitim. Pasionet e tyre janë thjesht një citim”. Natyrisht, duhet pohuar se në të gjithë historinë e njerëzimit ka pasur të këqij, të korruptuar, të pamoralshëm apo që kanë dashur të trembin njerëzit në kërkimin e tyre drejt një jete të ndershme, ku të fshihet e vërteta.

Por kjo përhapje e dekurajimit, e pasigurisë që të shkakton jeta e ndershme, ka bërë që sot të krenohen ata që vjedhin, që mashtrojnë, që u marrin të tjerëve atë që u takon. Ky krenim i tyre është alarmi më i madh për të gjithë dhe e kthen çështjen e edukimit, sidomos të brezit të ardhshëm, si një shqetësim kombëtar, për të mos lënë korruptimin moral të shoqërisë të zgjerohet dhe të kthehet në moton e brezave që nesër do të kenë në dorë fatin e këtij vendi.

Ne kemi detyrë t’u shpjegojmë fëmijëve se asnjë gjë e mirë nuk mund të arrihet në jetë me mjete të gabuara apo që dëmtojnë të tjerët. Për këtë nevojitet të rihapen debate që kanë të bëjnë me mënyrën e edukimit të tyre, me mënyrën se si ata t’u qasen shoqërisë dhe dëshirës së tyre për të qenë dikush në jetë. Tekstet e shkollave duhet të shtojnë rastet e debateve për këtë çështje, që fëmijët, të paktën, të shmangin çdo admirim ndaj atyre që janë shkaktarët e dekurajimit.

Është e rëndësishme ta themi hapur se dekurajimi nuk është çështje e një individi, pasi një njeri pa kurajë për të thënë apo për të kërkuar të vërtetën, mund të jetë nesër pengesë e fëmijëve tanë. Dekurajimi është varfërimi i përditshëm i jetës së të gjithëve. E për më tepër që dekurajimi është rruga e shtruar për autocensurën, ndërsa të dyja së bashku, dekurajimi dhe autocensura, arrijnë të ndërtojnë në çdo kohë më së paku një minidiktaturë, në mos një diktaturë të pastër.

Please follow and like us: