Ema Andrea, në rolin e një vejushe
“Vëthi i munguar” / Dy femra përballë një burri…Regjisori Bujar Alimani sjell një film një histori dashurie, përmes rrëfimit të dy femrave që deshën të njëjtin burrë… nën interpretimin e Ema Andreas dhe Adele Gjoka
Çfarë ndodh brenda një gruaje kur i duhet të përballet me të dashurën e bashkëshortit të vdekur? Cili është reagimi i saj përballë një tjetër gruaje, më e re se ajo, e cila ka dashur të njëjtin burrë? Një histori njerëzore, e rrëfyer përmes jetëve të dy femrave, është dhe subjekti i filmit më të ri të regjisorit Bujar Alimani. “Vëthi i munguar” sjell më në fund në ekranin shqiptar një film larg klisheve të subjekteve me të cilat jemi përballur tani, politike e historike, një film për jetën e vërtetë përmes një përjetimi dashurie. Vetë regjisori Alimani e quan këtë temë, me të drejtë të veçantë dhe të paekspozuar në filmin shqiptar, “një lloj mbyllje”. Duket sikur njeriu, e brendshmja ka kaq shumë për të eksploruar në kinema. “Është një lloj përsiatje e imja dhe përveç shtysës apo mënyrës së brendshme të punimit të skenarit, është një “devijim”, pak a shumë ,në qoftë se mund ta quajmë kështu, nga sa keni parë deri tani prej meje”, thotë ai.
Filmi nuk ka kahe sociale apo politike. “Është totalisht zhytje brenda njeriut në marrëdhënie me tjetrin, pa asgjë “të jashtme”. Dy femra një lokalicion, njëra bashkëshorte, tjetra e dashura e burrit të sapo vdekur”, thotë regjisori, duke e parë këtë si thjesht një çast të jashtëzakonshëm me dy aktore që janë brilante në role. Gjithçka ndodh brenda këtyre dy karaktereve, në një përplasje për të mësuar një të vërtetë që dhemb, ky karaktere që kanë dhe çaste të vështira në film, siç mund të jetë zemërimi i së shoqes, përballë vajzës së re… Rolin e bashkëshortes regjisori Alimani ia ka besuar aktores së njohur Ema Andrea, e cila vjen në këtë rol me një tjetër arritje të saj, ndërsa në rolin e së dashurës vjen aktorja e re Adele Gjoka.
Vetë mënyra e realizimit të filmit mund të quhet një film më vete, pasi sipas regjisorit filmi u shkrua në dy ditë dhe u xhirua në dy net me një buxhet zero. Skenografia u realizua nga Klod Dedja, drejtor fotografie Spiro Nino, kostumografia Stela Laknori, skenari Eriona Cami, as regjisore Laura Buna, producente ekzekutive Lediona Kasapi, zëri Jurgen Kurti dhe grimi Juri Gjoka. Për Alimanin, ky film është një lloj teatri, pasi mbahet kryesisht nga dialogë dhe të bësh dialogë që kushtëzohen nga një situatë e vështirë e marrëdhënieve të karaktereve është jo fort e lehtë.
“Vëthi i munguar” (titulli provizor “Dy gota”), u shkrua për dy ditë dhe mesa duket është produkt i një nevoje të brendshme për të thënë disa gjëra në një mënyrë ndryshe siç janë thënë deri tani. N.q.s kinemaja shqiptare me të gjithë filmat pa përjashtim kishte në një përqindje të madhe peizazhin, në të shumtën e rasteve i trajtuar si absurd bashkë me karakteret njerëzore shpesh ekzotike,(gjëra që shisnin shumë në Perëndim) këtë herë vendosa ta mbyll krejt rrethin, ose me sakte ta “kyç” apartamentin.
Të vendos dy personazhe që do të testonin njëra tjetrën në një përballje të fortë e për pasojë brenda një atmosferë asfiksimi. Face to face. Të testoj gjithashtu vetveten në dialogët me të cilët do të mbaheshin skenat.
Të precizoj kohën –reale dhe filmike në një. Të ndërroj rolet e dy karaktereve kryesore herë në lider e herë në lidërndjekes, të luaj me ironinë, talljen, gënjeshtrën, erosin, sensualitetin, xhelozinë, dhunën, joshjen, pështyrjen”, shpjegon Alimani. Sipas tij, ky film s’është asgjë tjetër veçse humbja njerëzore si pjesë e të gjithëve dhe dashuria si një gjë jo fort e thjeshtë.