Albspirit

Media/News/Publishing

Fasada e stadiumit “Qemal Stafa”, Rama i përgjigjet kritikëve

fasada

Punimet në fasadën e stadiumit “Qemal Stafa”, si pasojë e ndërtimit të arenës së re, kanë shkaktuar mjaft debate, pasi kjo fasadë konsiderohet si monument kulturor.

E pikërisht në lidhje me ata që e kanë kritikuar faktin se ajo po prishet, ka reaguar Kryeministri Edi Rama. Në një postim në rrjete sociale, Rama shkruan se i vetmi argument që kanë zërat kritikë është injoranca.

Sipas tij, basorelievet që janë prishur turpëronin edhe realizmin socialist dhe nuk mund të konsiderohen si pjesë e trashëgimisë kulturore.

“Kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër i’a mballosën fasadës së “Qemal Stafës”) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore”.

Kryeministri sqaron se është fakt se fasada monument kulture po trajtohet me të gjitha standardet profesionale, nën mbikqyrjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me qendrën italiane të ekselencës në restaurim Palazzo Spinelli.

Në postimin e tij, Rama shkruan gjithashtu se të gjithë elementët e gurtë të kohës po inventarizohen dhe do të rivendosen në vendin e tyre, njësoj siç kanë qenë në projektin e arkitektit të famshëm, ku në vend të dy mballomave vulgare prej betoni, do të realizohen dyert e parashikuara e dizenjuara nga Gherardo Bosio.

“Prandaj, edhe njëherë ‪#‎QentëLeTëLehinKarvaniDoEcëPërpara dhe stadiumi i ri do të jetë përgjigja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen, derisa Arena Kombëtare të imponohet me të gjithë rrezatimin e saj”, shkruan Kryeministri. 

Please follow and like us: